Pakt me Metën për rrëzimin e Ramës? Ja sesi përgjigjet Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur për negociatat e fundit për gjetjen e konsensusit për reformën në drejtësi. Kreu i PD-së ka deklaruar se ka një propozim që fut në ngërç bisedimet.

Basha në një lidhje telefonik gjatë transmetimit të emisionit “Opinion”, u shpreh se kur po arrihej gjetja e kompromisit, u bë një propozim “poshtërues” që përjashton shqiptarët për të qenë pjesë e vetingut pa u bazuar në fakte dhe prova.

“Jemi kundër propozimit për t’i dhënë një kompetencë përjashtuese për qytetarët shqiptarë, në komisionerët e vetingut, bazuar në opinione dhe jo në fakte. Ky propozim është provokim gjithashtu për ta vendosur PD-në aty ku ka qenë që në ditën e parë, në mbrojtje të lirive të të drejtave të njeriut. Jam i sigurt që qëndrimi ynë do të rezultojë me heqjen e kësaj dispozite”, tha ai.

Por, nga ana tjetër Basha tha se drafti në tërësi ka të gjithë votat e opozitës.

“Drafti sot në tërësinë e tij paraqet norma dhe standarde perëndimore. Sot kjo reformë është gati për miratim dhe PD është gati të bashkojë votat për miratimin më parim”, tha Basha. “Vetingu do të kryhet nga shqiptarët dhe ndërkombëtarë do të kenë vetëm rol asistent.”

Lidhur me mundësinë e një bashkëpunimi Meta-Basha për reformën në drejtësi, kreu i PD-së tha se nuk ka asnjë aleancë të tillë.

“Nuk kam asnjë marrëveshje, Ilir Meta i ka bashkërenduar propozimet e tij me partnerin në koalicion z. Edi Rama”, tha ai.

Ndërsa për deklaratën e bërë nga Kryeministrit Edi Rama se ai i ka 94 vota për miratimin e draftit në parlament, Basha u përgjigj se kreu i PS-së nuk ka as 64 të tilla.

“Kryeministri të numërojë votat e veta se nuk ka as 64 dhe jo më të ketë 94”, tha Basha.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU