Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së ka dalë ditën e sotme në një konferencë për mediat nga ku ka falenderuar pjesëmarrësit në mitingun e një dite më parë.
Në fjalën e tij, Luan Rama tha se në këto 9 ditë që kanë mbetur deri në zgjedhje qytetarët duhet të mos bien pre e kulisave që mund të krijohen për shkak të dëshpërimit që ka përfshirë rivalët.
Rama ka falenderuar ministrin Dritan Demiraj ndërsa ka sulmuar Partinë Socialiste. Sipas tij, vetëm pak orë pas mitingut në Tiranë, ka nisur shkarkimi nga puna i pjesëmarrësve në të.
“Dua të falenderoj vetë ministrin e Brendshëm për lehtësinë që na u krijua në mitingun e së enjtes për organizimin dhe menaxhimin. Për fat të keq, grupe të ngjashme me Gardistët e Kuq shkuan nëpër institucione për të larguar nga puna punonjës të administratës vetëm pse kanë qenë të pranishëm dje në mitingun e LSI” – tha Luan Rama.
Ai tha se më 26 qershor të gjithë do të kthehen në vendet e tyre të punës konform ligjit.
I pyetur për replikat e Gramoz Ruçit, i cili një ditë më parë paralajmëroi shkarkimin e Metës si president nëse nuk dekreton qeverinë, Luan Rama u përgjigj: “Z.Meta ka thënë se nuk do të dekretoj asnjë ministër dhe kryeministër që del nga zgjedhje të vjedhura. Prandaj nuk e kuptoj çfarë problemi ka z. Ruçi me këtë standard. Nëse ka ndonjë skenar për t’u zgjedhur me vota të vjedhura, ky do ishte një rast ku nuk do deklaronte vetëm z. Meta, por të gjithë qytetarët”. /javanews/b.d