Pagat e policëve, Tahiri: Nga 1 janari, rritje me 17 përqind për 11 mijë efektivë

Kërkesa e ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, për rritjen e pagave të policëve, drejtuar kryeministrit Edi Rama direkt në televizion gjatë ceremonisë së Murit të Yjeve në ministri, ka marrë përgjigje pozitive. Këtë e ka bërë të ditur vetë ministri pak minuta më parë, duke thënë se që nga fillimi i vitit të ardhshëm pagat e policëve do të rriten.

“E lamë pas policin e nëpërkëmbur, me paga sa një pastrues. Policia e Shtetit është rimëkëmbur dhe nga viti tjetër do të rriten pagat”, tha Tahiri në aktivitetin “Policia e Gjeneratës tjetër”.

Duke përcjellë reformat që janë bërë në Policinë e Shtetit, Tahiri falënderoi kryeministrin Rama për miratimin e kërkesës për rritjen me 17% të pagave të 11 mijë punonjësve të policisë.

Fjala e Tahirit

Punonjësit e policisë ishin të tradhëtuar. Jo vetëm nga bashkëpunimi me krimin, por më shumë akoma nga braktisja e qeverisë.

Kush e ka quajtur të tepërt a kush e ka quajtur politikë, përcaktorin “tradhëtinë e Policisë nga Qeveria”, ka mundësi të kuptojë tradhëtinë e vërtetë vetëm duke parë trajtimin financiar që kishte Policia deri në 2013.

Rritja e fundit e pagave, në 2003,

Që atëherë, paga neto e punonjësit të policisë është ulur, viti 2011 me 4%

2005-2013 policia më e keqtrajtuara financiarisht

Një punonjës policie merrte 34% me pak se punonjesit e administratës.

Madje një punonjës policie i Patrullës së Përgjithshme kishte pagë më të ulët se një punonjës pastrimi në administratë.

Policia e Shtetit kishte pagat më të ulta në rajon, për të mos folur për BE.

Ne u angazhuam që tradhëtinë e Qeverisë së shkuar ta kthejmë në besim dhe mbështetje për Policinë.

Vendosja e taksës progresive në 2013 ndikoi në rritjen e pagës neto të punonjësve të nivelit bazë të Policisë mesatarisht me 2.3 %, ndërkohë më pagat e nivelit bazë ndikoi në një rritje 5%.

Gjatë vitit 2014 u rritën me 25% pagat e punonjësve të nivelit bazë të Policisë së Shtetit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt trajtimit më të mirë financiar.

Paga mesatare e nivelit bazë ishte 45.600 lekë dhe u bë 57.100 lekë.

Ligji i ri i Policisë së Shtetit parashikuam dhe rritje të pagës për efekt të vjetërsisë në punë, me efekt që nga marsi i këtij viti. Kjo sjell një rritje mesatare të pagave me rreth 5%.

Që në vitin e parë miratuam ligjim “Për sigurimin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave Speciale Operacionale të Policisë së Shtetit”, sepse punonjësit e forcave speciale shkonin në operacione pa sigurim për shëndetin.

Përveç pagave të ulta, deri në 2013, për mbi 2 vjet punonjësve të Policisë së Shtetit, kryesisht punonjësve të forcave speciale, nuk u paguheshin orët jashtë orarit, dietat, shpërblimet për largësinë nga vendbanimi.

U shlyen të gjitha detyrimet e prapambetura për punonjësit e Policisë së Shtetit ndër vite – 325.9 milion lekë (2.2 milion euro) që qeveria e kaluar ua kishte borxh punonjësve të policisë dhe tani orët jashtë orarit, dietat dhe shpërblimet jepen menjëherë.

Sot është dita për një lajm të mirë!

Po, pagat e mbi 11 mijë punonjësve të policisë në të gjithë Shqipërinë, do të rriten nga Janari 2017.

Faleminderit zoti Kryeministër!

Do rrisim pagat e policëve të nivelit bazë me rreth 17% ose në vlerë absolute me një rritje 10.070 lekë.

Për t’ju marr një shembull, paga e inspektorit në vitin 2017 bëhet 69 mijë lekë, pra krahasuar me vitin 2013, rritet 45%.

Deri dje, punonjësi i Policisë ishte i tradhëtuar nga qeveria e tij. Ulja e pagës deri në 2013, është shembulli më i mirë për ata që e kanë parë si të tepërt përcaktimin “tradhëti”.

Sot, punonjësi i Policisë jo vetëm nuk është i tradhëtuar, por është në qendër të vëmendjes. Dhe rritja e pagës për të dytën herë brenda 3 vitesh, është investimi më i qeverisë, për të mbështetur Policinë.

Kjo domethënë më shumë mirëqënie për familjet dhe fëmijët e punonjësve të policisë.

Deri dje të ishe polic ishte hall më vete, për shkak të pagës dhe kushteve skandaloze të punës.

Për këtë arsye kemi investuar në mjete të reja për policinë, në infrastrukturë, në teknologji. Në mjedise të reja punë, në uniforma të reja.

Sepse për ne të jesh punonjës policie, nuk mund të jetë hall mbi halle.

Sepse në përballjen me krimin nga njëra anë, me baltën e opozitës nga ana tjetër, përballja me varfërinë në familje dhe pamundësinë në detyrë, është fare fare e tepërt.

Ndaj detyra e kësaj qeverie është të lehtësojë këtë betejë të padrejtë me pamundësinë, me pabarazinë.

Betejën e padrejtë të punonjësit të Policisë dhe familjes së tij me varfërinë dhe keqtrajtimin financiar.

Ky investim i Qeverisë, do të thotë më shumë punë, më shumë shërbim, më shumë rezultat për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë e më të drejtë.

Ne rrisim pagat e policisë, por nuk ka asnjë çmim, puna që duhet të bëjmë për t’i shërbyer qytetarëve.

Nuk ka asnjë çmim besimi i qytetarëve.

Nuk kanë asnjë çmim rezultati që duhet të arrijmë kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit.

Shqipëria e sigurtë dhe e drejtë që duam, nuk ka asnjë çmim.

Ndaj rritja e pagës, është një motivim më shumë për policinë që duam, për shqipërinë e gjeneratës së të ardhmes.

Edhe njëherë faleminderit zoti Kryeministër!

Urime punonjësve të policisë në të gjithë Shqipërinë për rritjen e pagës në 2017!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU