Orët e fundit të një epoke të errët

Nga Skënder Minxhozi/

Seanca e të martës në Kuvendin e Shqipërisë shënon de facto rinisjen e sezonit të ri politik. Është një rifillim paksa ndryshe nga ai që parashikon Kushtetuta e vendit, sipas të cilës parlamenti i fillon punimet të hënën e parë të shtëtorit. Shtatë ligjet bazë të paketës kushtetuese të reformës në drejtësi do të jenë arsyeja e kësaj seance të jashtëzakonshme parlamentare. Një objektiv i caktuar qysh më herët, në darkën e 21 korrikut, kur u votuan me unanimitet ndryshimet kushtetuese në fjalë.

Ambasadorët kanë nisur vallen e tyre pas pushimeve, duke u përpjekur të bindin edhe një herë nga e para opozitën, që të votojë pjesën e mbetur të reformës. Ose më saktë ligjet që do t’i japin jetë asaj. Duket një sprovë jo e lehtë, duke parë “malin” prej 66 amendamentesh që PD ka dorëzuar në Kuvend në lidhje me vetingun. Ky operacion masiv duket se ka synimin e qartë që të silurojë një draft të përgatitur thuajse totalisht nga ndërkombëtarët, duke vonuar kësisoj kalimin e një ligji që përbën në fakt pikën e gravitetit të të gjithë reformës: pa verifikim të thellë e rigoroz të gjyqtarëve e prokurorëve, është thuajse e pamundur që reforma të nisë me këmbën e duhur.

Kjo situatë e sjell procesin e reformës në drejtësi në një pikë tejet delikate. Po jetojmë orët e fundit të rezistencës, drejt rrëzimit të një kaste 25 vjeçare, e cila ka prodhuar një pjesë të mirë të dramave të mëdha e të vogla në Shqipëri. Opozita i ka të gjitha kapacitetet për të gjetur lloj-lloj pretekstesh, për të hedhur poshtë vetingun apo ligje të tjera të reformës në drejtësi. Fjalëformimi nuk ka qenë kurrë problem as për Bylykbashin e as për kolegët e tij opozitarë. Mjafton t’u hedhësh një sy 66 amendamenteve, të cilat në fakt bëjnë që të mos ketë më një ligj vetingu. Të paktën jo ashtu siç e kanë sugjeruar dhe hartuar ndërkombëtarët.

Çeshtja është se përtej kësaj frazeologjie të ngarkuar juridike, qëndron një synim i thjeshtë dhe krejt i lexueshëm: evitimi i kontrollit te thellë të së shkuarës së atyre që sot vendosin në emër të popullit nëpër gjykata e prokurori. Kjo është barrikada e fundit që duhet shembur këto orë.

Shtatori do të hyjë me një zhvillim që në letër ka premisat për të qenë unikal. Do të nisë të zbatohet  gradualisht më në fund reforma e drejtësisë shqiptare, si hapi i parë për të pasur më tej një shkundje dhe një korrigjim të të gjithë kursit të gabuar drejt të cilit lundron anija shqiptare e tranzicionit. Shpresohet të jenë orët e fundit të një epokë të errët.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU