Opinioni i kryeqytetasve për Teatrin Kombëtar: 50%-50%

Nga Eduard Zaloshnja

Ditët e fundit Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj të posaçëm, për t’i hapur rrugën shembjes së godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një të reje në vend të saj, në kuadër të një kontrate PPP. Debatet politike kanë qenë të ashpra mes opozitës e pozitës rreth kësaj çështje, por ç’mendojnë qytetarët e thjeshtë rreth saj?

Ndër ata banorë të bashkisë së Tiranës që e kanë krijuar tashmë një opinion të përcaktuar rreth çështjes së Teatrit Kombëtar, 50% janë për të ndërtuar një teatër të ri kombëtar në vend të ekzistuesit, ndërsa 50% janë kundër. Kështu rezultoi nga një sondazh elektronik që zhvillova gjatë fundjavës që sapo kaloi, i komisionuar nga revista Follow Business Albania, e cila publikohet nga firma CROSG®.

Në fakt, çdo banor i rritur i Shqipërisë me akses ndaj celularëve, tabletëve e kompjuterave kishte probabilitet të ekspozohej ndaj këtij sondazhi elektronik (përmes reklamave në Google, Facebook, Instagram, portale shqiptare dhe përmes shpërndarjes me Whatsup, eti. ). Sidoqoftë, niveli i pjesmarrjes në sondazh nga banorët jashtë Tiranës ishte krejt i papërfillshëm nga pikpamja statistikore. Për këtë arsye, vetëm rezultatet për banorët e Tiranës janë statistikisht të vlefshme. Kampioni për Tiranën përbëhej nga 1024 anketa të plotësuara dhe marzhi i gabimit statistikor të kampionit ishte plus/minus 3% (shihni në grafikun shoqërues shpërndarjen probabilitare të gabimit statistikor të mundshëm).

Ndër të anketuarit që e duan ndërtimin e një teatri të ri kombëtar në vend të ekzistuesit, rreth treçereku ka votuar për partitë e mazhorancës në zgjedhjet e vjetshme. Nga ana tjetër, ndër ata që janë kundër, treçereku ka votuar për partitë opozitare në zgjedhjet e vjetshme. Të anketuarit që nuk kanë marrë pjesë në zgjedhjet e vjetshme janë të ndarë në mënyrë të barabartë në dy krahët e kësaj çështje.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU