Odat Ekonomike të Serbisë e Kosovës, deklaratë e përbashkët kundër Vetëvendosjes

Kryetarët e Odave Ekonomike të Serbisë dhe Kosovës Marko Çadezh dhe Safet Gërxhaliu u kanë dërguar letër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe ambasadorëve të vendeve të Quintit në Serbi dhe Kosovë.

Me anë të kësaj letre ata dënojnë incidentet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kërkojnë ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që këto ngjarje të mos përsëriten, thuhet në një komunikatë të Odës Ekonomike të Serbisë, shkruajnë mediat në Serbi.

“Oda Ekonomike e Serbisë dhe Oda Ekonomike e Kosovës që janë, të përkushtuara drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës si dhe rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së dënojnë ashpër përmbysjen e kamionit me mallra serbe më 11 mars, duke e konsideruar si një përpjekje të shkeljes së lirisë së lëvizjes së njerëzve dhe mallrave”, thuhet në letrën drejtuar Komisionarit Evropian për Zgjerim Johanes Hann, përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme të BE-së Federica Mogherini, si dhe ambasadorëve të Italisë, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Shteteve të Bashkuara.

Siç thuhet në deklaratë, Çadezh dhe Gërxhaliu ftojnë institucionet në Kosovë dhe organizatat e tjera që janë të angazhuara për garantimin e stabilitetit, që të ndërmarrin të gjitha masat në mënyrë që të ndalohen këto lloj forma të dhunës.

Ata apelojnë publikun që të dënojnë hapat e njëanshëm që ngadalësojnë procesin e normalizimit ku bashkëpunimi ekonomik dhe zhvillimor luajnë rol të rëndësishëm. “Përsëri konfirmojmë angazhimin tonë në procesin e integrimit evropian, veçanërisht në fushën ekonomike dhe duam që t’u bëjmë thirrje juve dhe institucionet të tjera evropiane për të përdorur kompetencat e tyre ligjore, duke pasur parasysh fuqinë dhe ndikimin politik, në mënyrë që të dënohet sjellja e dhunshme dhe duke parandaluar që incidente të tilla mos të ndodhin në të ardhmen”, thuhet në këtë letër, të cilën nëpërmes një komunikate e ka bërë të ditur Oda Ekonomike e Serbisë.

Sipas mediave serbe, të cilat e kanë botuar komunikatën e Odës Ekonomike të Serbisë, kjo letër ka ardhur si pasojë e disa aksioneve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët në rrugën nga Podujeva për në Prishtinë kanë përmbysur një kamion me mallra serbe si dhe një kamion tjetër po me mallra serbe në autostradën “Ibrahim Rugova”.

KOSOVA PRESS

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU