Obama: SHBA dhe vendet e Gjirit Persik të bashkuar kundër ISIS

Presidenti Obama deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Gjirit janë të bashkuara në përpjekjet e tyre për të shkatërruar grupin Shteti Islamik dhe për të stabilizuar rajonin e Lindjes së Mesme.

Presidenti i bëri këto komente në përfundim të takimit të 6 vendeve anëtare të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e Gjirit ranë dakord për nevojën e gjetjes së një zgjidhje politike për Sirinë.

Presidenti Obama tha se e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza është përmes një qeverie tranzicioni dhe largim të presidentit të tanishëm Bashar al Assad.

Por presidenti Obama pranoi se mes Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të Gjirit ekzistojnë mosmarrëveshje, që ai i quajti teknike, për Iranin.

Takimi i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit u zhvillua në Riad. Veç Arabisë Saudite në të bëjnë pjesë Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Bahreini dhe Omani.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU