Nuk duhet të presim dhimbjet për te mjeku! Ja pse duhet “CHECK UP”

Pa dhimbje të forta, nuk kemi pse shkojmë tek mjeku. Fatkeqësisht, kjo mendësi mbetet ende dominuese në mentalitetin shqiptar, çka po behët shkak për zbulimin e sëmundjeve në stade shumë të rënduara, ku dhe trajtimet bëhen më të vështira dhe shpesh pa rezultate. Nisja e Programit të Kontrollit Mjekësor Bazë, tek grupmoshat 40-65 vjeç ka nxjerrë në pah një sërë ndërlikimesh të rënduara të zemrës, diabetit, kancerit të zorrës së trashë, etj, sëmundje për të cilat pacientët nuk kishin asnjë simptomë të dukshme paralajmëruese që t’i çonte drejt mjekut. Për gazetën “Dita”, drejtoresha e Qendrës Shëndetësore nr.3  në kryeqytet, Bruna Shiroka, tregon se analizat dhe ekzaminimet e bëra tek kjo grupmoshë, flasin për një nivel të konsiderueshëm të sëmundjeve të identifikuara për herë të parë, ndërkohë që pacientët neglizhonin marrjen e ndihmës mjekësore, pasi nuk kishin asnjë shqetësim të dukshëm në shëndet.

•••••••••

Sa i takon nivelit të sëmundshmërisë, çfarë rezultatesh po nxjerr “Check up” për banorët që marrin shërbimin mjekësor nga Qendra Shëndetësore nr.3?

Kemi gjetur raste të shumta problematike. Nga kontrollet e zhvilluara deri më tani, kemi identifikuar shumë pacientë, të cilët as nuk e dinin që ishin të sëmurë. Kjo pasi pjesa dërrmuese e sëmundjeve që prekin grupmoshat nga 40 deri në 65 vjeç, mund të zhvillohen në heshtje për një kohë të gjatë. Në mungesë të shenjave të dukshme klinike, pacientët mund të shkojnë shumë vite pa u vizituar tek mjeku, çka vonon zbulimin e sëmundjes dhe trajtimin në stadet më të lehta. Fatkeqësisht, tek ne nuk është formësuar ende kultura e ndjekjes dhe kryerjes së vizitave periodike tek mjeku specialist, edhe në mungesë të shqetësimeve të dukshme, sikundër ndodh në shumë vende të botës. Mund të përmend këtu rastin e njërës prej pacienteve, e cila vinte çdo ditë me biçikletë për të shoqëruar bashkëshortin që ishte i sëmurë dhe ndiqej pranë qendrës tonë. Me pak këmbëngulje, e ftoj për të bërë kontrollin “Check up”, edhe pse shumë herë më refuzoi duke më thënë se jam shumë mirë, e nuk kam asnjë problem apo shqetësim të dukshëm. Por, me kryerjen e analizave dhe ekzaminimeve të tjera, kjo paciente del me probleme të diabetit dhe të zemrës. Sëmundje, për të cilat ajo, as nuk e dinte se i kishte dhe nuk i kishte trajtuar asnjëherë.

Sa të shpeshta janë këto raste dhe si ndikon koha e zbulimit të tyre në shëndet?

Bruna-Shiroka

Bruna Shiroka

Numri i rasteve me komplikacione që janë zbuluar për herë të parë që nga nisja e kontrollit tek kjo grupmoshë e përcaktuar, janë të shumta. Ta kapësh një pacient në stadin kur nuk ndjen asgjë, është më e mira e mundshme. Kështu, nuk lejohet arritja e sëmundjes në stadet më të rënduara, kohë në të cilën mjekimi duhet të jetë më i fortë, i mundimshëm, i kushtueshëm, për të mos folur më pas për ndërlikimet që rrezikojnë të shfaqen në shëndetin e pacientit. Nëse sëmundja ka shtruar krahët, atëherë mjeku ndërhyn, por thjeshtë si një shkrues dhe mbushës recetash për trajtimet medikamentoze që duhet të ndjekë pacienti. Ndërsa në rastet kur kemi një diabet që është në stadin e parë, mund të ndihmojmë në parandalim dhe qetësim të simptomave, pa kaluar drejt përdorimit të medikamenteve. Në këtë rast dieta ushqimore dhe aktiviteti fizik e ndihmojnë shumë mirë pacientin që të stabilizohet, pa kaluar ende në procesin e përdorimit të preparateve medikamentoze. Kjo është më e bukura, sepse në këtë stad, mund të parandalohen ushqimet e dëmshme, apo veprime të tjera të përditshme që mund të çojnë në rëndimin e sëmundjes, duke shmangur në këtë formë praktikat e gabuara të bombardimit të trupit nga përdorimi pa kriter i barnave. Ndaj vëmë theksin tek domosdoshmëria e kryerjes së këtyre ekzaminimeve, si dhe tek krijimi i kulturës që sëmundja të identifikohet sa më herët, në mënyrë që të trajtohet në kohë, si dhe ky trajtim të jetë më  komod e më i efektshëm, sigurisht me kosto më të ulet. Vetëm për janarin, kemi zbuluar diagnoza, të cilat janë për herë të parë dhe që janë të nxjerra vetëm nga “Check-up” për grupmoshat 40-65 vjeç. Pak ditë më parë, janë identifikuar dy raste me “diabet melit” për herë të parë, pa e ditur pacientët që janë të prekur nga kjo sëmundje. Moshat ku janë shfaqur janë të reja, 50 vjeç, tek të cilët nuk ka pasur asnjë shenjë të dukshme më parë. Po flasim për rastet që nuk kanë asnjë dijeni për sëmundjen. Se për pacientët që janë të konfirmuar me këto sëmundje, kontrolli bëhet rutinë për të verifikuar gjendjen dhe ecurinë shëndetësore.

Sa është numri i kontrolleve të kryera përgjatë një muaji?

Nëse do ndalemi tek shifrat mund të them se nga 100 kontrolle të zhvilluara përgjatë muajit janar, vetëm në zonën që unë mbuloj me shërbim si mjeke familje, 22 prej rasteve janë identifikuar me probleme shëndetësore të identifikuara për herë të parë. Kjo shifër është shumë lartë, duke menduar që po flasim për banorët që marrin kujdes vetëm në një mjek të kësaj qendre shëndetësore. Mendoni sa mund të shkojë ky numër në nivel qendrash shëndetësore që ndodhen në kryeqytet, apo dhe rrethe. Po flasim për rastet më të rënda, sepse kemi dhe raste pacientësh që mund të kenë patologji të lehta, për shembull siç janë anemitë, të cilat nuk i shënojmë në regjistrin e rasteve të rënda. Në këto raste veprojmë me dhënien e këshillave, i mjekojmë për dy, apo tre muaj, deri sa gjendja të përmirësohet plotësisht. Ndaj dhe këto raste nuk i quajmë sëmundshmëri të rënda, siç mund të përmendim problemet kardiovaskulare, rastet e diabetit, etj. Çdo pacient duhet mbajtur nën vëzhgim. Kjo është pjesa e punës së mjekut, e jo të ndalemi vetëm në mbushje të recetave. Çdo mjek sot përballet me aftësitë e veta në vlerësimin real të patologjive, apo riskut të shfaqjes së sëmundjeve të caktuara, gjë që ka sjellë rritjen e përgjegjshmërisë profesionale. Më parë i jepej më shumë vëmendje mbushjes së recetave dhe dërgimit tek mjeku specialist, pa u ndalur në kuptimin dhe identifikimin e saktë të sëmundjes së pacientit. Me rezultatet e dala nga analizat dhe ekzaminimet e “Check-up”, referimin dhe informimin e pacientëve në kohë reale, zgjidhjen e hershme të problemeve shëndetësore, kemi vënë re që raporti mjek-pacient po bëhet më i ngushtë në të gjitha hallkat.

Cilat janë ndërlikimet më të shpeshta që janë identifikuar tek qytetarët që e kanë kryer tashmë kontrollin?

Ndër më kryesoret është diabeti. Kjo sëmundje përbën rastet më të shpeshta që janë të vërejtura për herë të parë tek pacientët që i janë nënshtruar këtij kontrolli bazë. Flas për identifikimin e sëmundjes tek pacientë që nuk e dini se ishin të sëmurë, dhe jo për pacientët që trajtohen në mënyrë të vazhdueshme për simptomat e diabetit. Pacientët janë mbajtur nën kontroll, e në varësi të rezultateve të gjetura, janë udhëzuar edhe për ndjekje të mëtejshme tek mjekët specialistë. Një tjetër kategori sëmundjesh të identifikuara tek kjo grupmoshë, janë edhe patologjitë kardiake. Kryerja e EKG-ve ka nxjerrë në pah një sërë rastesh të dyshuara, për të cilat është kërkuar edhe mendimi i mjekut specialist kardiolog, për një përcaktim më të saktë të diagnozës dhe vendosje të trajtimit që duhet të ndjekë më pas pacienti. Jemi nisur nga simptomat e shfaqura, të cilat  janë vlerësuar nga mjeku i familjes, janë referuar te specialisti dhe është vijuar me ndjekjen e mëtejshme të rastit. Këtu dua të kujtoj një person të moshës 40 vjeç, i cili erdhi në qendër shëndetësore për plotësim të dokumentacionit për rinovim patente, në shërbimin e kontrollit bazë që iu ofrua, zbuloi se vuante nga probleme kardiake. Rasti iu referua specialistit kardiolog ku pas vlerësimit u bë përcjellja e pacientit në QSUT, dhe po atë dite, ju nënshtrua procedurës së revaskularizimit koronar. Aktualisht pacienti është mire dhe i është kthyer jetës në kushte normale tashmë. Nëse ky pacient nuk do të ishte diagnostikuar në kohë, do kishte neglizhuar edhe më tej, mund të ishte përballur me ndërlikime të rënda, që mund t’i rrezikonin edhe jetën. Pra, kjo është një jetë e shpëtuar, shumë e shumë raste të ngjashme me këtë që përshkrova, kanë vlerë për ne mjeket, por jo vetëm.

Po treguesit e nivelit të yndyrave në gjak si rezultojnë të jenë dhe çfarë u rekomandohet pacientëve në këto raste?

Duke u rikthyer tek sëmundshmëria e zbuluar, mund të themi se të shumta janë edhe rastet e dislipidemive, ose siç i njohim ndryshe në gjuhën popullore niveli i lartë i yndyrave në gjak. Pjesa dërrmuese e pacientëve që janë kontrolluar kanë rezultuar me probleme në këtë tregues, për të cilat është kërkuar fillimisht ndryshimi i stilit të jetesës veçanërisht sa i takon dietës ushqimore dhe aktivitetit fizik. Ndërsa, në rastet kur shifrat kanë rezultuar tepër mbi norme, është  vazhduar me terapi medikamentoze. Niveli i lartë i yndyrave në gjak është promotor i shumë sëmundjeve në organizëm. Për rastet më të lehta, trajtimin e nisim si këshillim, dhe pas tre muajsh kur ribëjmë kontrollin përcaktojmë, nëse ka ndryshuar gjendja e pacientit që vuan nga niveli mbi normë i yndyrave në gjak. Rivlerësimi përcakton edhe ndjekjen e mëtejshme të rastit konkret.

Po në lidhje me problemet dhe akuzat që janë ngritur mbi analizën e urinës ç’mund të themi?

Realizimi në praktikë i kontrollit bazë të popullatës bëhet në standarde bashkëkohore, analizat problematike, fillimisht i kemi kontrolluar edhe në laboratorë privatë e shtetërore, ku kemi vërejtur përputhshmërinë e tyre, gjë që na ka rritur besueshmërinë në rezultatet e marra. Lidhur me atë çka thuhet për rezultatet e analizës së urinës apo evidentimin e problemeve të prostatës edhe në femrat, mund të them që në totalin e ekzaminimeve që ofrohen me kontrollin bazë, asnjë prej tyre nuk evidenton probleme të lidhura me këtë sëmundje. Kështu, s’kemi ç’të nxjerrim në me probleme prostate, për aq kohë sa nuk bëjmë PSA-në, apo ekografinë e saj në “Chek-up”, ekzaminime të cilat janë specifike vetëm për prostatën. Sa mirë do ishte të ishte, që edhe këto ekzaminime të përfshiheshin në programin e kontrollit bazë, pasi do na ndihmonte shumë në zbulimin e sëmundjeve të rënda tek meshkujt. Ekzaminimi i gjakut feçe okult, është po ashtu shumë i rëndësishëm, pasi mund të ndihmojë në identifikimin  e problematikave serioze si kancerit kolorektal (të zorrës së trashë). Duke iu referuar rasteve të paraqitura nga 6 rezultatet pozitive të dala nga përgjigjet e “Check-up”, zbuluam dy raste me këtë sëmundje dhe që nuk kishin asnjë shenjë. Janë dy jetë të shpëtuara, sepse janë identifikuar në stadin normal dhe pasi kanë marr mjekimin e duhur janë më mirë. Ndërkohë, nëse do pritej që sëmundja të kapej në stadin kur mund të jepeshin shenja të dukshme, atëherë pacientët do rrezikon edhe jetën, pasi kjo patologji në të tilla stade nuk të fal.

Sa kohë do nga dalja e përgjigjeve dhe si ndiqet pacienti më pas?

Marrja e rezultatit të ekzaminimeve në kontrollin bazë zgjat nga 10 ditë, në 2 javë nga kryerja e tyre. Fatmirësisht kemi vënë re edhe një ndërgjegjësim të vetë popullatës që mbulon kjo qendër, sa i takon interesimit të daljes së përgjigjeve, si dhe këshillave që duhet të ndjekin për rastet e shfaqjes së problematikave. Sikundër e theksuam edhe më lart, në rastet më të lehta pacientët ndiqen prej nesh, ndërsa për rastet më të ndërlikuara i referojmë më tej tek mjeku specialist. Pranë qendrës tonë funksionojnë dy kabinete të “Check-up”, të cilat realizojnë një mesatare ditore ekzaminimesh në 10 raste në ditë për kabinet. Vlen për t’u përmendur informimi në kohë reale nga laboratori i kontrollit bazë, i rasteve me probleme shqetësuese, informohet mjeku i familjes për problemin, ftohet pacienti, i bëhet e ditur problematika dhe i ofrohet shërbimi përkatës. Si përfundim, bazuar edhe në përvojën e deritanishme (1 vjeçare), desha t’i bëj një apel ndërgjegjësimi popullatës që i përket grupmoshës 40-65 vjeç, asaj që mbulohet me shërbim shëndetësor nga qendra jonë, por edhe në tërësi, shkoni pranë mjekut të familjes për të marrë informacion, si dhe për të përfituar shërbimin e kontrollit bazë, sidomos kur nuk ndieni as një shqetësim të dukshëm. Zbulimi i hershëm i çdo problematike shëndetësore është jetëgjatësi, cilësi jete, si dhe kosto e ulët trajtimi. Te parandalosh është më e lehtë se të mjekosh.

Ç’fare përfshin paketa e kontrollit bazë

Vlerësim, këshillim, trajtim dhe ndjekje për faktorët e stilit të jetesës:

Ushqyerja.

Konsumimi i duhanit.

Konsumimi i alkoolit.

Niveli i stresit dhe depresionit.

Matje, vlerësim, këshillim, referim dhe ndjekje e parametrave fiziologjikë:

Tensioni arterial.

Indeksi i masës trupore.

Aktiviteti i zemrës (EKG).

Matje, vlerësim, këshillim, trajtim, referim dhe ndjekje e parametrave biokimikë:

Formula e gjakut.

Hb, HCT, MCV, MCH, MCHC.

Kolesteroli total, HDL kolesterol, LDL kolesterol, triglyceride.

Glicemia.

Feçe për gjak okult.

Albuminuria, prania e qelizave, cilindrave, kristaleve në urine, azotemi dhe kratinemi.

Bilirubinë totale dhe direkte, transaminaza (SGPT, SGOT. /gazetadita.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU