“Një xhiro me Toyota Yaris”

Nga Mira Kazhani

Do doja të habitesha por nuk habitem dot as si gazetare as si qytetare e këtij vendi, se përse deklarata dhe të dhëna që i takojnë prokurorisë konsumohen si politikë në kuvend dhe pas një cikloni harrohen si të gjitha skandalet, me të cilat na u mësua veshi!

Sot Toyota Yaris bëri sërish një xhiro. Këtë herë ngjarja me miliona eurot parkoi në zyrën e Bashës dhe tek njerëz afër PD-së. Fotot dhe miqësitë me ‘like’ e komente në Facebook na hutuan pak.

Por dua ta nis nga parlamenti! Sot, Taulant Balla iu përgjigj Lulzim Bashës me një foto për akuzën që mori emrin e markës japoneze të makinave Toyota Yaris.

Veç faktit që në zyrën e Lulzim Bashës shfaqet vëllai i dy personave në kërkim për pritjen e 4 milionë eurove, gjë e cila është një e papritur/aksident,

PD-ja do duhej ta kish denoncuar zorin Balla në prokurori që ditën e parë. Edhe vetë zoti Balla duhet që fotot dhe të dhënat t’ia kalojë vetëm drejtësisë. Edhe pse, me sa di unë, e ka bërë dje një gjë të tillë, sot bëri politikë prapë duke nxjerrë një foto nga foltorja e kuvendit.

E dyta: Ajo ç’shohim sot është një koktej lidhjesh, të cilat e bëjnë çështjen “Toyota Yaris” telenovelë dhe me adresë të ndryshuar. Nga PS-ja kemi kaluar tek PD-ja dhe njerëzit rreth saj.

Rezulton që i kërkuari Alfred Veliu te jetë mik në Facebook edhe me një koleg gazetar, i cili deri para listave “Basha” njihet si grupi i zjarrit në rrjete sociale në favor të PD-së.

I kërkoj ndjesë kolegut Bledi Koka, se ai në këtë histori është thjesht dëm kolateral dhe vetëm sa konfirmon se njerëzit e Toyota-s kanë lidhje miqësore me njerëz pranë PD-së, përveçse direkt edhe me liderin e saj, zotin Basha.

Sigurisht, nuk kemi asnjëri nga ne përgjegjësi se me kë kemi miqësi në Facebook, Instagram madje s’kemi pse paguajmë haraç as për vëllanë, siç nuk ka as Fatmir Xhafaj sot.

Personalisht nuk besoj asnjërën palë dhe kam gjithë arsyet e botës e përvojës të kem respekt për përgjigjet që jep drejtësia!

Personalisht sidomos nuk habitem, por e kam punë dhe detyrim të shkruaj kur shoh fakte, prova, komunikime që publiku duhet t’i dijë.

E treta: Mbase Lulzim Basha s’e ka edhe aq keq. Nëse bashkëpunimi PS-PD është bërë kaq i ngushtë sa njerëzit e Lulit të punojnë edhe për Taulantin, atëherë Lulzim Basha paska të drejtë kur kërkon bashkim kombëtar, domethënë marrëveshje patriotike me Edi Ramën.

E fundit: Jeni qesharakë! (tiranapost)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU