Një problem i rremë drejtori

Nga Skënder Minxhozi/

Pozita dhe opozita po debatojnë prej muajsh për reformën në drejtësi. Një ushtrim i gjatë negociatash, sherresh, dakordësish dhe kundër-goditjesh, i cili po ecën ngadalë në shinën e aprovimit. Orët e fundit po diskutohet me tone të larta dhe pasion edhe për Byronë Kombëtare të Hetimit, e cila parashikohet të jetë “maja e diamantit” e reformës. E thënë ndryshe, struktura që do të ndjekë korrupsionin e zyrtarëve të lartë të vendit. Jemi njohur me detaje të një drafti që deri dje mbeti mister në tryezat e politikës shqiptare. Dhe menjëherë, sapo u zbuluan aspektet e para të ligjit të Byrosë së Hetimit, debatet u fokusuan tek çeshtja e kompetencave. Cili emëron, cili firmos apo kundërfirmos, kush e kontrollon drejtorin dhe kush e heq dhe e ve atë në detyrë.

Natyrshëm që çeshtja e varësisë së një institucioni hetimor përbën një problem jo të vogël parimor. Është gjithashtu e natyrshme që Buroja e Hetimit do të ketë një rol, i cili, nëse integrohet me logjikën e përgjithshme të reformës në drejtësi, nuk do të jetë një zyrë banale për të punësuar disa aparatçikë dhe kaq. Pritet që Byroja e Hetimit të prekë disa nerva të zbuluar të jetës politike e sociale në këtë vend, të cilat deri tani kanë qenë tabu.

Por ndërkohë që të gjithë sherrosen për poltronin e kreut të Byrosë, ose aspekte të tjera të reformës në drejtësi, realiteti që jetojnë shqiptarët vijon të jetë ai i njohuri: korrupsion masiv në të gjitha shkallët e shtetit dhe politikës, sistem drejtësie që shet dhe blen fajësinë dhe pafajësinë, qytetarë të tradhëtuar nga liderët e tyre politikë të të gjitha krahëve. Ky realitet ecën prej kohësh në një kahje, e cila është përherë e më e largët nga debati meskin dhe përllogaritjet hilaqare që konsumohen në aulat e politikës.

Para disa javësh, një ish-prokuror i përgjithshëm që ka shumë eksperiencë dhe emër në fushën e profesionit të tij, thoshte një të vërtetë në dukje naive, por që në fakt ishte çarmatosëse: ai shprehej se vendit nuk i duhej fare një reformë në drejtësi, pasi egziston i gjithë korpusi ligjor dhe institucional, që krimi dhe korrupsioni i të gjitha krahëve të dënohet me ashpërsi dhe rigorozitet. Juristi i njohur nënkuptonte me logjikën e tij të thjeshtë, se ishte një harxhim i kotë energjish të përmbysje një gjithë piramidën e drejtësisë shqiptare, ndërkohë që egzistonin (në letër, natyrisht), si institucionet, ashtu edhe ligjet që dënojnë veprat penale për të cilat flitet aq shumë këto kohë. Për shembull, ka një Inspektoriat kombëtar deklarimi të pasurive, i cili qysh sot, mund të hetojë dhe inicojë dënimin e çdo zyrtari të këtij vendi. Si ky organ ka shumë e shumë të tjerë, kudo në indin e drejtësisë shqiptare. Egzistojnë edhe ligjet që dënojnë veprat penale, por ato ose nuk aplikohen, ose zbatohen shtrembër.

Një ndër deputetët e shumicës, i cili aktualisht është në konflikt me partinë e tij, tha një gjë të përafërt (me fjalë të tjera) të enjten në Kuvend, teksa bëri thirrje që të shpjegohej se çfarë ishte Byroja Kombëtare e Hetimit, para se të bëhej sherr për drejtorin e saj. Në substancë, të dy eksponentët, njëri i fushës juridike dhe tjetri i fushës politike, venë në dukje se realiteti shqiptar i ka brenda tij, si krizat, ashtu dhe zgjidhjet. Me fjalë të tjera, aty ku duket gjithçka e zezë dhe pa shpresë, ka në fakt shtigje dhe hapësira për veprim.

Problem nuk është një drejtor i Byrosë së Hetimit, sado i fuqishëm dhe hijerëndë do të jetë ai nesër. Problem nuk janë as dispozitat që reforma në drejtësi ka hedhur në letër dhe që ende s’janë miratuar. Problemi i vërtetë është mospërputhja e realitetit virtual që politika ka krijuar enkas për të vonuar zgjidhjet e duhura, me realitetin e prekshëm të rrugës, i cili këlthet nga mungesa e oksigjenit demokratik. Mes asaj që sot politika përtyp ngadalë dhe me ulje-ngritje dhe asaj që në fakt duhet bërë sa më parë, ka një hendek gjithnjë e më të thellë, ku ka rënë logjika elementare e njerëzve normalë, të cilët besojnë se shumëçka në këtë vend do të ishte më e thjeshtë dhe e realizueshme, nëse do të kishte pak, vetëm pak më shumë vullnet. Nga ai që duhet, për shembull, që të mos lejohet që një ish-guvernator të tallet me shtetin, duke kërkuar shdëmtim financiar për largimin nga detyra.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU