Një ofertë që duhet marrë parasysh

Sherri i zjarrtë i një paneli të gjerë, ku bëjnë pjesë forca politike, shoqata civile të mbrojtjes së ambjentit, por edhe analistë mediash e biznesmenë, ndaj ndërtimit të një parku fëmijësh në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës, duket se i ka dhënë shkëndijën një konflikti të të gjithë këtyre aktorëve, me kryetarin e bashkisë Erion Veliaj. Situatën e ka bërë edhe më inkandeshente dalja në grevë e bizneseve që protestojnë për tarifat e rritura të lokaleve, për shërbimet që ofrojnë jashtë sipërfaqeve të tyre të brendshme. U bënë ditë që duket sikur lufta e përjavshme e parlamentit, ka tashmë një “degëzim” të saj, në këmbët e zyrës së kryebashkiakut të Tiranës.

Ndërtimi i një instalacioni lojrash në mes të Parkut nuk mund të mos ngjallte reagime. Prej vitesh kjo pjesë e Tiranës ka qenë shënjestra e lejeve masakruese të ndërtimit, të cilat i kanë ngrënë kurorës së kryeqytetit zona të tëra rreth Kopshtit Zoologjik, Kopshtit Botanik dhe kodrave që rrethojnë liqenin e Tiranës.

Por sot Veliaj hodhi një ide e cila parimisht mund të shërbejë për të qetësuar shpirtrat e trazuar dhe për të ndarë një herë e mirë spekullimet e manipulimet mediatike e politike, nga e vërteta e projektit të parkut të Liqenit. Veliaj i ka ofruar përfaqësuesve të shoqërisë civile që të bëhen pjesë e verifikimit dhe vëzhgimit të të gjitha fazave të projektit në fjalë, duke pasur akses në mënyrën sesi do të trajtohen standartet mjedisore, kostot financiare dhe sesa do të respektohen kriteret e një ndërtimi të tillë delikat.

Kjo qasje mund të jetë një pikë e vlefshme takimi, për të kuptuar se ku fillon e ku mbaron beteja ambjentaliste, e ku nis e ku përfundon sherri me sfond politik e propogandistik. Përreth projekteve të bashkisë së Tiranës ka pasur tradicionalisht debate dhe mungesë dakordësie. Pak metra nga vendi ku po bëhet gati të hedhë shtat parku i fëmijëve, administrata paraardhëse e kryeqytetit ka akorduar një numër lejesh ndëtimi, të cilat e kthejnë zonën poshtë digës së Liqenit në një lagje tërësisht të betonizuar banimi. Duke i dhënë një goditje të rëndë jo vetëm raporteve mjedisore tashmë të prishura të zonës së Liqenit artificial, por duke hedhur hije serioze edhe mbi zhurmën aktuale që po bën opozita e sotme për parkun e fëmijëve. Formula e Veliajt ofron një mundësi që të shihet qartë edhe në një mjedis kaq të rënduar paragjykimesh e akuzash.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU