“Një markatë moderne, në mbështetje të fermerëve korçarë”

Në Korçë u përurua sot “Markata e Shijes”, një investim i përbashkët i Bashkisë Korçë, Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe IADSA (marrëveshja Italo-Shqiptare për Shkëmbimin e Borxhit), që i vjen në ndihmë fermerëve dhe biznesit të zonës për shitjen e prodhimeve të tyre.

Markata e Shijes i ofron banorëve të Korçës një hapësirë me kushte bashkëkohore për blerjen e frutave dhe perimeve të freskëta të zonës, produkteve të bulmetit, mishit dhe peshkut.

Në ceremoninë e përurimit të markatës ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo,Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, ish- ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, përfaqësues të Rajonit të Pulias, Institutit Adriapol dhe banorë të Korçës.

 Në fjalën e tij, Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri, tha: “Nëpërmjet një sërë investimesh sociale dhe mjedisore TAP i ka dhënë një shtysë pozitive ekonomive të bashkive nga ku kalon gazsjellësi. Pas investimit për muzeun Gjon Mili sot hap dyert një projekt tjetër i rëndësishëm që i ofron Korçës standarde optimale për tregtimin e produkteve lokale. Markata është një projekt që do të nxisë zhvillimin e ekonomisë së zonës.”

Kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo, në fjalën e tij theksoi ndikimin e markatës në ekonominë lokale por edhe rëndësinë e qendërzimit të të gjitha prodhimeve rajonale brenda një njësie të vetme, e cila garanton standardet më të larta për konsumatorin: “Ky projekt i Bashkisë së Korçës ka qenë i domosdoshëm për disa arsye. Përveç punësimit dhe fuqizimit të ekonomisë lokale, “Markata e Shijes” i ofron qytetit një treg modern me kushte optimale higjiene. Bashkia po investon shumë në rritjen e sigurisë ushqimore dhe kjo markatë është pjesë e këtij vizioni.”

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo u shpreh i kënaqur nga realizimi i projekteve të tilla si ky i sotmi pasi krijon mundësi për gjallërimin e sektorëve të caktuar të ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. “Marka duket që është e gjallë dhe ka një ndikim pozitiv në rritjen e qëndrueshme të ekonomisë”, tha ai.

 “Markata e Shijes” në Korçës është një investim prej afërsisht 145 milion lekësh. Bashkia e Korçës dhe IADSA së bashku kanë financuar 80 milion lekë ndërsa TAP ka financuar 65 milion lekë. Partnerë në realizimin e këtij investimi janë Rajoni i Pulias dhe Instituti Adriapol.

 Sipërfaqja e brendshme e markatës është mbi 2’000 m2 dhe në të do të ketë rreth 118 vende-shitje. Në kënde të caktuara të markatës do të gatuhen ushqime tradicionale me produkte të freskëta të marra nga tregtarët e markatës.

Pjesa e punimeve që u realizuan nga TAP u menaxhuan nga Abkons, kontraktori i TAP për investimet sociale dhe mjedisore, ndërsa Xhengo shpk i realizoi këto punime. Për realizimin e punimeve të TAP u punësuan afërsisht 50 persona.

 TAP mbetet i përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e jetesës së komuniteteve përgjatë gjurmës së gazsjellësit në Shqipëri në bashkëpunim me qeverisjen qendrore dhe vendore.

/a.rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU