Një llogari e vogël e parlamentarizmit opozitar

Nga Skënder Minxhozi/

Lulzim Basha nuk e lëshoi të enjten e fundit foltoren e Kuvendit, duke bllokuar praktikisht çdo vijim normal të punimeve. Kreu i parlamentit e madje edhe aleatët ju lutën kryeopozitarit që t’i hapë rrugë seancës plenare, por Basha ngulmoi në idenë e vjetër të opozitës, se “ka punë më të rëndësishme se rendi i ditës”. Edhe një herë më tepër ligjet u miratuan mes zhurmave, rënies me grusht të tavolinave, edhe një herë më tepër krerët e institucioneve të pavarura që mbahen në këmbë me para publike, nuk mundën të relatojnë para Kuvendit për veprimtarinë e tyre.

Po kthehet në një normalitet të përjavshëm, bllokimi nga ana e opozitës, i funksionimit të parlamentit. Në të gjitha nivelet e punës së tij. Po bllokohet shqyrtimi i ligjeve, rregulloreve, marrëveshjeve me palë të treta, rezolutave dhe raportimi i institucioneve të varësisë. Shkurt, Kuvendi po nxirret krejtësisht jashtë rolit dhe funksionit qëndror që ka në strukturën e drejtimit të shtetit. Megjithëse statistikat e katër ditëve të fundit tregojnë se ka pasur 57 raste dhune në familje në rang vendin, dy ditë më parë opozita prishi diskutimin për këtë fenomen në komisionin parlamentar të sigurisë.

Duket qartë se opozita e ka shkëputur totalisht rolin dhe përgjegjësitë e saj përfaqësuese në Kuvendin e Shqipërisë, duke e zëvendësuar axhendën e çeshtjeve të interesit publik, me interesat e saj politike. Droga dhe rrëzimi i Ramës mbi gjithçka, të tjerat le të presin. Të presin ligjet dhe aktet e tjera, kontrolli mbi institucionet dhe marrëveshjet me botën – kemi halle të tjera më të rëndësishme!

Kjo sjellje ka provokuar kaos dhe çekuilibrim në punën e parlamentit shqiptar. Mjafton të kujtosh sesi u zgjodh prokurorja e përgjithshme e përkohshme, për të kuptuar se një pjesë e deputetëve të republikës tonë, e kanë shkëmbyer mandatin e përfaqësimit me bilbilin e zhurmaxhiut profesionist. Dhe kjo, me shumë gjasë, nuk ndihmon më as edhe vetë kauzën aktuale opozitare. Dhe ja pse.

Së pari, një sjellje ekstreme mund të jetë një zgjidhje afatshkurtër taktike, për të krijuar një efekt të caktuar, por jo një strategji e përhershme. Opozita provoi ta kthejë Çadrën në një vatër infeksioni afatgjatë dhe u pa sesi përfundoi ajo histori. Duke qëndruar gjithë kohës në skajin më ekstrem të aksionit të saj politik, PD po rrezikon të kthejë në “normale” atë që duhet të jetë anormale: sjelljen e dhunshme. E kjo ja heq me kalimin e kohës, peshën dhe vlerën këtij qëndrimi, që nis e bëhet i bezdisur për opinionin e gjerë publik. Duket qartë se në mungesë të një alternative tjetër më me peshë, Lulzim Basha po i rikthehet edhe një herë tundimit të dhunës politike, si mjet afatgjatë të arritjes së qëllimit. E kjo po e dëmton edhe një herë, siç ndodhi një vit më parë. Të gjitha shifrat që ofrojnë sondazhet sporadike që kryhen aty-këtu, japin të njëjtën panoramë: të dyja palët janë të ngërthyera në pozitat shifrore të zgjedhjeve të fundit. Nëse qeveria është në stanjacion, opozita nuk di të fitojë, ose fiton shumë pak, krahasuar me atë që duhet të ishte performanca e saj.

Së dyti, duke hequr dorë vullnetarisht nga çdo oponencë, verifikim, propozim apo sugjerim mbi fluksin e madh të akteve që kalojnë nëpër tryezat e një parlamenti, opozita i ka bërë një nder jo të vogël Edi Ramës, duke i lënë dorë krejtësisht të lirë që të propozojë, hartojë dhe më në fund të miratojë me numrat që ka, gjithçka që ai dëshëron. De facto parlamenti po funksionon me një krah të vetëm dhe jashtë kriterit të balancës, aq të rëndësishëm për një demokraci pluraliste.

Së treti, imazhi ndërkombëtar i kësaj sjelljeje, sidomos në optikën e hapjes së negociatave me BE, e ka ekspozuar opozitën aktuale si një faktor pengues në rrugën drejt Europës së Bashkuar. Kryqëzata kundër Fatmir Xhafajt, nga e cila sot s’ka mbetur në këmbë thuajse asgjë, tregoi se parlamenti i përdorur nga opozita si një shesh-beteje për të penguar negociatat, është një strategji tashmë e kuptuar gjerësisht nga të huajt. E kjo natyrisht që nuk përputhet me atë që mund dhe duhet të jetë funksioni i një opozite në çaste të tilla. Një opozitë e tillë shihet si problemi, jo si zgjidhja, nga ata që mbajnë shënim për punët shqiptare.

1 koment

  1. Mire mo Skender mire, po nai shkrim per poziten ne qofte se mundesh, se po na thahen syte si udhetarit gryka ne shkretetire.

Leave a Reply to koment Anulo përgjigjjen