Një letër nga SHBA për Bashën dhe Xhelal Mziun

Nga Bernd Fisher*

Unë zbavita pak por më shumë u habita kur dëgjova se një rrugë në Kamëz ka marrë emrin e Donald Trump, presidentit të ri amerikan. Ndërsa bëri këtë nderim, Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, citohet të ketë thënë se “Donald Trump është një model revolucionar i rendit të ri demokratik, një ekspert në ekonomi, një negociator i huaj, një komunikues me një mendje të mprehtë dhe një lider për kohët moderne”. Lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke i dhënë rëndësi rastit solemn, theksoi se “Duke zgjedhur z. Trump, Shtetet e Bashkuara i dhanë botës një mësim në demokraci”, dhe se fitorja e Trump ishte “një akt i dashurisë së kampionëve të lirisë.” Dhe me këto dy miratime me ngjyra të ndezura, Kamza bashkohet me qytetin rus Ryazan, si qyteza e dytë në planet që nderon zotin Trump.

Më lejoni t’ju shpjegoj se pse unë besoj se ky veprim ishte seriozisht i gabuar.

Kryebashkiaku Mziu dhe Z. Basha me sa duket janë përfshirë nga propaganda e shpërndarë pafundësisht kryesisht nga “Fox News” dhe nga ajo shumë më tinëzare “Breitbart Neës”. Z. Basha u intervistua kohët e fundit nga Breitbart dhe deklaroi mbështetjen e tij për zotin Trump. Pyes veten nëse ai është i vetëdijshëm se Breitbart ulet në kufirin e skajshëm të ekstremit të djathtë në SHBA dhe që është i njohur për botime të trilluara, teori konspiracioni, si dhe rrëfime qëllimisht mashtruese. Ai mbron Etho-nacionalizmin e bardhë dhe që ka tendencë të jetë maskilist, racist, anti-semit, anti-emigrant dhe anti-mysliman. (Përse një politikan shqiptar do ta identifikojnë veten me një publikim polemik anti-mysliman, kjo nuk më përket mua.) Që nga zgjedhjet, Breitbart është bërë de-facto propaganda e krahut të zotit Trump dhe me siguri do të bjerë dakord me dhe deklaratat e Kryebashkiakut Mziu për zotin Trump dhe vlerësimin e z. Basha për zgjedhjet.

Le të shohim së pari vetë zgjedhjet, të cilat zoti Basha i sheh si një mësim në demokraci dhe një akt dashurie. Zgjedhjet e vitit 2016 ka të ngjarë të jenë zgjedhjet më të rrezikuara në kujtesën e gjallë të SHBA, ndërsa aspekte të tyre janë ende duke u shqyrtuar nga FBI-ja dhe Kongresi. Një nga problemet më të mëdha ishte delegjitimimi i procesit nga vetë zoti Trump. Në asnjë rast gjatë fushatës që ai bëri në fakt nuk ra dakord të pranonte rezultatin në rast të humbjes së tij. Kjo është me të vërtetë mjaft e pashembullt – asnjë kandidat presidencial në zgjedhje nuk ka vënë ndonjëherë në pikëpyetje të gjithë procesin zgjedhor. Pastaj, edhe pse duke fituar votën zgjedhore në kolegj dhe në këtë mënyrë zgjedhjet, kur u bë e qartë se zoti Trump kishte humbur votën popullore me gati 3 milion vota, ai shpiku historinë se ka pasur miliona vota të hedhura në mënyrë të paligjshme, përsëri duke deligjitimuar procesin zgjedhor. Z. Trump nuk paraqiti asnjë provë për të mbështetur këtë pohim të egër.  i cili, për të qenë të qartë, ishte thjesht një gënjeshtër; dhe hetuesit kanë ende mundësi të gjejnë 10 vota të paligjshme, të mos flasim për miliona.

Ndoshta aspekti më shqetësues i zgjedhjeve të vitit 2016 është lidhja ruse. Përkundër pohimeve të zotit Trump për të kundërtën, komuniteti i zbulimit amerikan ka përcaktuar qartë një hije dyshimi, se rusët ndërhynë në mënyrë aktive në zgjedhje, në dëm të Hillary Clinton. Çfarë FBI është duke hetuar në këtë pikë është se individë nga fushata e Trumpit u përfshinë drejtpërsëdrejti dhe në mënyrë aktive në planet ruse për të prishur zgjedhjet. Kjo do të konsiderohet tradhti. Është e qartë se shumë njerëz të fushatës së Trump-it kanë pasur kontakte me zyrtarët rusë gjatë fushatës dhe ish-Këshilltari për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn dhe Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions kanë gënjyer në lidhje me të nën betim ndërsa  dëshmonin në Kongres. Z. Flynn u detyrua të japë dorëheqjen dhe z Sessions e mënjanoi  veten nga çdo gjë që përfshinte hetimi në vazhdim.

Ndërsa kjo çështje flet për natyrën e demokracisë në Amerikë, FBI e ka shndërruar në prioritet këtë hetim penal. Z. Trump është duke bërë gjithçka që mundet për të penguar hetimin. Në fund të fundit, zgjedhjet e 2016-s ishin larg të qenit një  “mësim në demokraci”, sikurse sugjeron Basha. Në fakt, në qoftë se ky është lloji i demokracisë që zoti Basha shpreson ta shohë në Shqipëri, atëherë unë kam frikë për Shqipërinë.

Kryebashkiaku Mziu gjithashtu tha se zoti Trump e ka merituar nderin që një rrugë të mbajë emrin e tij edhe për shkak se ai është një ekspert ekonomie. Le të shqyrtojmë këtë vlerësim për një moment. Është e qartë se Z. Trump është shumë i pasur; është e vështirë të thuhet se sa i pasur, sepse, ndryshe nga çdo kandidat tjetër në zgjedhjet e mëdha presidenciale amerikane në kujtesën tonë, ai ka refuzuar të tregojë taksat që ka paguar. Z. Trump pohon se ai ka një pasuri prej rreth 10 miliardë dollarësh. Ata që kanë vëzhguar financat e tij thonë se ajo është afër 4 miliardëshit.

Në çdo rast, disa ekonomistë mendojnë se me pasurinë që ai ka trashëguar nga babai i tij, i cili ka dalë në pension në vitin 1970 dhe që i kishte futur të gjitha paratë e tij në çdo një nga dhjetëra fondacione të menaxhimit të parave, ai ka të ngjarë të ishte më i pasur nga ç’deklaron. Dhe nuk është e qartë se sa ai është i përfshirë në të vërtetë në biznesin e tij. Avokati i tij e ka bërë të qartë se ishte gjithmonë gruaja e tij që kërkonte shpjegime për çështjen e taksave, ndërsa vetë zoti Trump nuk kuptonte asgjë dhe nuk ishte i interesuar për këto çështje.

Ky perceptim sigurisht ka lindur nga disa deklarime të tij për çështjet ekonomike gjatë fushatës. Në një moment ai i tha një intervistuesi se do të ishte në gjendje të paguajë borxhin kombëtar të SHBA në 8 vjet. Borxhi kombëtar amerikan është pak më shumë se 19 trilion dollarë dhe në fund të 8 viteve ka të ngjarë të jetë afro 26 trilionë dollarë. Buxheti mesatar vjetor i SHBA-së është aktualisht rreth 1.3 trilionë dollarë. Kjo nuk kërkon një “ekspert ekonomie”; në të vërtetë ndoshta kërkon jo më shumë se një 6 vjeçar ; të kuptojë se në qoftë se qeveria e SHBA nuk do të shpenzojë asnjë dollar më shumë në 8 vitet e ardhshme, zoti Trump do të ketë ende një borxh të paktën 18 trilion dollarë.

Buxheti i parë i zotit Trump është një shembull tjetër i paaftësisë dhe mizorisë. Buxheti në vetvete, i cili është përshkruar si një slogan fushate i maskuar si një dokument i qeverisë, nuk bën asgjë për të reduktuar deficitin apo për të paguar borxhin kombëtar. Ai përmban shkurtime të thella në financimin për kërkime mjekësore, arsimin, kërkimin e përgjithshëm shkencor, transportin publik, programet sociale të cilat ndihmojnë të varfrit dhe të moshuarit, artet dhe mjedisin. Ai parashikon ulje të konsiderueshme të taksave për të pasurit dhe për korporatat, por edhe një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes.

Gjatë fushatës Z. Trump shpërtheu kundër dobësisë së ushtrisë amerikane që ai e përshkroi si “të varfër”; dhe një “katastrofë”;, duke premtuar se do ta bënte “aq të fuqishme dhe aq të madhe saqë nuk do ta duhet ta përdorim”. Veçanërisht për marinën shprehu se dëshiron ta zgjerojë nga 272 anije në 350 anije, pavarësisht nga fakti se në nivelin e tanishëm marina amerikane është më e madhe se 13 flotat e kombinuara, 11 prej te cilave janë aleatë të SHBA-së. Buxheti i zotit Trump parashikon një rritje prej 56 miliardë dollarësh në shpenzimet e mbrojtjes. Z. Obama kishte parashikuar një rritje prej 40 miliardë dollarësh, kështu që shtesa e zotit Trump arrin në rreth 16 miliardë ose rreth 2% të buxhetit ushtarak mesatar vjetor prej përafërsisht prej 600 miliardë. Duket pra se zoti Trump beson se ai mund të transformojë një “katastrofë”; në diçka “të madhe dhe të fuqishme”, duke rritur buxhetin me 2%.

A është kjo ajo që Kryebashkiaku Mziu e sheh si një shembull të ekspertizës ekonomike? A është ky lloji i buxhetit që zoti Basha do të mbështesë nëse do të bëhet kryeministër? Nëse është kështu, unë do të inkurajoj shqiptarët të votojnë për këdo tjetër përveç zotit Basha.

Kryebashkiaku Mziu gjithashtu e përshkruan zotin Trump si një “negociator të politikës së jashtme, një komunikues me një mendje të mprehtë”. Le të shohim shembujt e fundit të aftësive negociuese të zotit Trump. Brenda javëve të fundit ndihmësit e tij në Shtëpinë e Bardhë u detyruan t’i kërkojnë falje qeverisë britanike pasi Z. Trump, pa prova, akuzoi inteligjencën britanike për përgjimin e fushatës së tij në emër të zotit Obama. Gjatë vizitës së Kancelares Angela Merkel në Uashington, Z. Trump shpërfaqi një nga shfaqjet e tij më të ashpra dhe më injorante. Një diplomat i lartë evropian që mori pjesë në takimin, tha se përgatitja e zotit Trump ishte përafërsisht me atë të klasës së katërt. Ai nuk dinte asgjë mbi marrëveshjen europiano-amerikane të propozuar dhe i njohur si Partneriteti Trans-Atlantik i Tregtisë dhe Investimeve, dinte pak rreth agresionit rus në Ukrainë apo marrëveshjet e Minskut, dhe ishte aq i hallakatur sa që zyrtarët gjermanë arritën në përfundimin se vajza e presidentit, Ivanka, që nuk kishte arsye zyrtare për të qenë atje, ishte më e përgatitur dhe më ndihmuese.

Trump u përqendrua kryesisht në pretendimin se Gjermania u ka borxh qindra amerikanëve miliarda dollarë për mbrojtjen qe kjo i ka ofruar përmes NATO-s, e cila nuk ka të bëjë, sigurisht, me atë se si funksionon NATO-ja. Por zoti Trump nuk e dinte gjithsesi këtë.

Në frontin e brendshëm Z. Trump ka demonstruar aftësitë e tij negociuese në përpjekjen fatkeqe të javës së kaluar për të shfuqizuar aktin e qeverisë së mëparshme për shërbimet në shëndetësi, ose siç njihet ndryshe Obamacare. Gjatë fushatës së vitit 2016, Z. Trump e etiketoi Obamacare një “katastrofë” dhe premtoi se do ta shfuqizojë dhe ta zëvendësojë atë me “diçka të mrekullueshme”, e cila do të zgjasë sigurim shëndetësor për të gjithë me kosto të ulët. Atë që ai dhe lidershipi republikan prodhuan me ngut ishte një paketë që do të ketë, aty nga 2024-a, heqjen e kujdesit shëndetësor për rreth 24 milionë njerëz, afërsisht aq sa e kanë marrë nga Obamacare.

Përveç kësaj, ligji do të ketë një çmim të paktën të trefishuar për njerëzit e varfër mbi 60 vjeç, duke ofruar ulje të ndjeshme të taksave për të pasurit. Projekt-ligji ishte me aq të meta sa që edhe republikanët e moderuar nuk mund ta mbështesnin. Trump, pa u mërzitur nga detajet, njoftoi se ligji për shëndetësinë ishte “i mrekullueshëm”. Shkalla e negociatave të tij u shtri duke thirrur disa kongresmenë republikanë kokëfortë në Shtëpinë e Bardhë duke i kërcënuar, siç bën me anëtarët e bordit të kompanive të tij të ndryshme. Kongresmenët e pranishëm u habitën me mungesën e të kuptuarit të faturës, si dhe me mos kuptimin e procesit legjislativ. Kur Kongresmenët, që refuzuan të sillen si anëtarë të bordit të zotit Trump, refuzuan të mposhteshin, duke treguar se ligji do të dështojë, Z. Trump shtriu duart dhe filloi të kërkojë njerëz për t’i fajësuar.

Në këtë rast paaftësia e zotit Trump ishte një lehtësim për dhjetëra miliona njerëz, të cilët do të kishin humbur sigurimet ose do të shihnin se si ato do të shtrenjtoheshin. Në fund të fundit, ky është një shembull i mirë se si Z. Trump manifestoi aftësitë si një komunikues dhe negociator.

A shpresojnë Kryebashkiaku Mziu dhe zoti Basha që të imitojnë këto aftësi? Për hir popullit të Kamzës dhe të Shqipërisë në përgjithësi, shpresojmë që të mos jetë kështu.

Nuk do të ishte e vështirë të përmendim më shumë shembuj për sa u përket aftësive të kufizuara të zotit Trump si ekonomist, negociator dhe komunikues. Por nëse ai nuk është asnjë nga këto, atëherë çfarë është? Kjo është e vështirë të thuhet, sepse ai ndryshon qëndrimin e tij për çështje të mëdha në mënyrë të shpejtë dhe aq shpesh. Është e qartë se ai nuk është konservator tradicional. Sipas mendimit tim ai është afër të qenit një fashist.

Si një historian me profesion, fashizmi nuk është një term i përdorur lehtë. E di se çfarë do të thotë. Për të qenë i drejtë, në shumë mënyra Z. Trump nuk është shumë ndryshe. Ai nuk është një korporatist ose një populist, edhe pse ai pretendon të jetë i tillë. Është e qartë nga lëvizjet e tij të para si president se ai kujdeset shumë pak për mirëqenien e atyre që e zgjodhën. Megjithatë, jam i shokuar dhe i alarmuar, se si disa prej parimeve kryesore të fashizmit mirëpriten nga Trump. Ka variacione të shumta për këtë temë, por shumica e formave të fashizmit përfshijnë disa versione të autoritarizmit demagogjik, nacionalizmin ekstrem, militarizmin dhe një manifestim të dhunës, racizmit, dhe anti-intelektualizmit.

Trump është në zemrën e një autoritari bombastik, angazhimi i të cilit për demokracinë pjesëmarrëse është të paktën i diskutueshëm. Ai duket se konsideron demokracinë një barrë që duhet të shmanget apo të tejkalohet. Ai dëshiron që ne ta lejojmë ta bëjë, për na siguruar se do të jetë “i madh.” Nacionalizmi i tij ekstrem dhe ksenofobia janë të dukshme në qëndrimin e tij ndaj kinezëve, meksikanëve, myslimanëve, kundër të cilëve Z. Trump ka lëshuar tani 2 ndalime udhëtimi, për të cilat gjykatat kanë deklaruar se janë jokushtetuese.

Na është thënë se Amerika mund të ringjallet ndërkombëtarisht nëpërmjet një kryqëzate të drejtë ushtarake të bazuar në doktrinën e thjeshtë  “shkelmo dhe merr naftën”, e plotësuar nga përdorimi i torturës, dhe akoma më keq duke vrarë familjaret e të dyshuarve për terrorizëm. Manifestimi ose të paktën pranimi i dhunës si mjet legjitim i brendshëm politik dëshmohet me dëshirën e tij për të “goditur njerëzit në fytyrë”; me pretendimin e tij se është e pranueshme që njerëzit të “keqtrajtohen pak.”

Racizmi i zotit Trump është demonstruar edhe nga ekzaltimi i tij për pastërtinë racore, ku e shohim të përqeshë njerëzit me aftësi të kufizuara dhe të tallet me gratë që nuk arrijnë përkufizimin e tij për një notë “10”. Ai i ka habitur edhe mbështetësit e tij me këmbënguljen raciste që ai nuk mund të presë drejtësi nga një gjyqtar me prejardhje meksikane. Ai i veshi anti-intelektualizmit të tij dhe injorancën sikur të ishte një simbol i virtytit. Ai është injorant i injorancës së tij.

Unë nuk do ta krahasoj atë me Hitlerin, sepse nuk besoj se është gjenocidist.

Por ai mbart të paktën disa ngjashmëri me fashistë të vegjël si Ante Paveliç, At Tiso, apo Juan Peron, populizmi i krahut të djathtë i të cilëve ka ndihmuar në çuarjen e shteteve të tyre në shkatërrim. Z. Trump ka fituar përkrahjen e Marine la Pen, e supermacistit të bardhë amerikan David Duka dhe kriminelit serb të luftës Vojislav Sheshel; ai citon Musolinin, dhe është i admiruar nga Vladimir Putin; një galeri tipash të racizmit dhe shtypjes dhe një grup me të cilin unë do të mendoja që kryebashkiaku Mziu dhe zotin Basha nuk do te donin të kishin të bënin.

Mendoj se të gjithë biem dakord se racizmi dhuna dhe fanatizmi nuk janë në përputhje me demokracinë perëndimore. Bota perëndimore duke përfshirë Shqipërinë ka derdhur gjak për të mposhtur mallkimin e fashizmit. Mendoj se u detyrohemi atyre që sakrifikuan për këtë kauzë të madhe që të refuzojmë “fashizmin e lehtë” të Donald Trump. Për këtë arsye inkurajoj shqiptarë progresistë t’i bëjnë thirrje kryebashkiakut Mziu dhe Zotit Basha të rikonsiderojnë “Bulevardin Trump” .

*Historian

Botuar në DITA:  Përkthehu dhe përgatiti botimin Xhevdet Shehu

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU