Nga Blerina Karagjozi
Sot dëshiroj dhe njëherë të shkruaj për lirinë e fjalës dhe të drejtën e pjesëmarrjes në diskutimet e hapura për çështje të ndryshme në rrjet. Që në mënyrën e konceptimit të faqeve publike, shpërndarja dhe përfshirja e ndjekësve apo miqve të faqes bëhet përmes parimit të pëlqyeshmërisë dhe dialogut me administratorin e faqes, apo dhe miqtë e tjerë të faqes.
Një njeri i thjeshtë, me mendimet e tij modeste, mund të bëhet pjesë e komunikimit direkt me figura të cilat në një format tjetër do të ishin, siç dhe kanë qenë, të paarritshme. Por mesa duket ky është në rastin më të mirë një kurth konceptual, një rrjetë ku lexuesi ngec i mahnitur nga shumëllojshmëria e niveleve të diskutimit, dhe aktivizmit social. E në rastin më të keq, është thjesht një komunikim me një kah, ku vetëm pritet që lexuesi të pranojë pa asnjë kundërshtim çdo gjë që shkruhet dhe thuhet aty.
Përmes këtij komunikimi rreziku i daljes apo shfaqjes në përmasa të panjohura njerëzore është tepër i madh. Në këto faqe, etja për komunikim është e madhe dhe e dyanshme. Figurat që dëshirojnë të tregojnë supremacinë e tyre ndaj publikut qoftë dhe në nivel mesatar argumentimi, ngrenë pyetje dhe tema diskutimi të shumëllojshme, të cilat shpesh tingëllojnë si tepër të thjeshta e me efekte populiste. Dhe populli ndjekës që vërshon të japë komente, vlerësime por dhe gjykime duke i lejuar vetes lirinë e të dhënit një mendim apo sugjerim ‘të madhit’.
Këtu ndahen shtresat dhe grupet në ata që për çdo fjali dhe të themi përkufizim janë gjithnjë aty për të mbështetur çdo ide të administratorit, dhe ata që guxojnë të mendojnë dhe shprehen ndryshe. Kurajon për ta bërë këtë të fundit, pra menduar ndryshe, kurajo që mesa duket është ende një veprim heretik në shoqërinë tonë pseudo të lirë, e bëjnë njerëz që zgjedhin emra të rremë, por dhe njerëz që ende nuk e kuptojnë se mendimi i lirë i shprehur me kujdes në publik, është në mos i dënueshëm, i pa vlerësuar dhe për rrjedhojë nuk mirëpritet.
Rrjetet sociale përveç funksionit të tyre parësor dhe themelor, të krijimit të një forumi të madh lidhjesh dhe komunikimi njerëzor, kanë sjellë glorifikimin e Unit. Këtë e them dhe e kam të vërtetuar në lëkurë, pasi dhe në faqen që administroj më përkëdhelet sedra nga çdo pëlqim apo koment vlerësues, por asnjëherë nuk e kisha menduar se idhulli mbi të cilin kisha argumentuar me shumë pasion dhe idealizëm, mësuesi im i vlerësuar i diskursit filozofik, do të tregonte faqen tjetër tepër të papëlqyer të censurës në mediumin ku auto-promovon diskutimin e hapur publik.
Më ka lëkundur dhe thyer parimin e lirisë së fjalës, së barazisë në aftësitë për të logjikuar mbi të njëjtat premisa, të kufizimit drastik autoritarist të lirisë së shprehjes, duke më përplasur dhunshëm në fytyrë shuplakën e hidhur të standartit të dyfishtë që kurrsesi nuk prisja ta gjeja aty.
Për disa ditë me rradhë e rrotullova mendimin nëse këtë shqetësim duhet ta ndaja publikisht, apo thjesht ta përtypja qetësisht deri sa të tretej e të harrohej. Hezitova për dy vjet të shpreh mendimin tim mbi një libër të mbetur në nivel pre-redaksional, i krahasueshëm për nga niveli i shkrimit dhe gjuhës së përdorur me një dorëshkrim minimalist. Por ky libër është promovuar shumë, madje është vlerësuar dhe me çmimin e parë në panairin e librit, e nëse jepet një këshillë dashamirëse për cilësinë e ulët në mos totalisht të munguar të redaktimit gjuhësor, atëherë ke guxuar të shkelësh të pashkelshmen.
Sepse unë pata kurajon të pohoj publikisht, që profesori im ka ide të shkëlqyera të shprehura në librin e tij, të cilin e lexova me një frymë duke justifikuar në çdo fjali, gabimet e mëdha dhe mangësitë shprehëse, me cilësinë e ulët të punës nga shtëpia botuese.
Fola me njerëzit që më qëndrojnë pranë, që më kuptojnë shqetësimet, por dhe që më ndihmojnë shpesh të qëndroj me këmbë në tokë dhe të kuptoj nëse kam gabuar.
Dhe po, është tepër e gabuar të kesh një kokë mbi shpatulla me të cilën të guxosh të mendosh se përveç të tjerash, ke të drejtë të shprehesh ndryshe.
Unë kam gabuar në mitizimin që i bëra prej shumë vitesh figurës njerëzore, e për këtë e meritoj çdo ndëshkim, duke filluar me censurën e fjalës së lirë.