Një lajm i keq për shoqërinë jo politike në Shqipëri

Nga Afrim Krasniqi

Deri tani na ishte thënë se reforma në drejtësi po realizohej nga një grup ekspertësh të pavarur, shumë të pavarur, me integritet dhe pa konflikt interesi. Ca e besuan, ca jo, pjesa më e madhe ishte skeptike! Dha ja ku jemi: ditën kur partitë ranë dakord të rifillojnë punën me konsultime midis përfaqësuesve të tyre juristë, pra ekspertëve të partive, disa nga ekspertët e “pavarur” papritur morën mandate politike dhe janë në tryezë në emër të ekspertëve të deleguar të partive politike! Grupi i ekspertëve të lartë publikoi një draft ligjor mbi sugjerimet e Komisionit të Venecias. 24 orë më pas, me urdhër të partive politike, ata hoqën dorë nga drafti dhe nisën bisedimet në nivel “ekspertësh” me të deleguarit zyrtar të opozitës dhe qeverisë, – këta të fundit, – shumica, juristë të aftë, por me sponsor dhe axhendë të qartë politike!

Si është e mundur që brenda 24 orëve të bëhen palë, – të jenë edhe të pavarur edhe politikë, edhe ekspertë edhe zëdhënës të përzgjedhur të selive të partive politike? Si është e mundur që asnjë prej tyre nuk refuzoi ofertën e bërjes palë politike, duke thënë: “mjaft, nuk marr urdhra nga partitë, nuk u shërbej atyre, jam ekspert dhe kam integritet, ndaj heq dorë nga tryezat dhe bisedimet partiake përderisa e kam dhënë mendim dhe jam prezantuar në publik si ekspert i pavarur profesional”, !?.

Si është e mundur që në Shqipërinë tonë gjenden kaq pak individë që refuzojnë ofertat partiake dhe tregojnë respekt për interesin publik? Kaq pushtet të madh kanë partitë politike në Shqipëri sa kanë politizuar gjithçka, dhe mund të përdorin e keqpërdorin edhe profesorët e të drejtës si dhe drejtues të institucioneve akademike? A mund të kemi drejtësi të pavarur nesër kur humbën shansin të kemi sot ekspertë të pavarur, të cilët të mund hartonin 5 faqe nene e draft propozime?

Kompromisi mund edhe të funksionojë, të hënën mund të kemi edhe një ose dy drafte paralele për sugjerimet e Venecias, procesi mund edhe të ecë, reforma mund edhe të bëhet, – gjithçka mund të ndodhë, por ajo nuk u lejua të ndodhë, dhe nuk do të ndodhë është fakti se i mohuam vetes të kemi një shoqëri jo politike, një zë profesional jo politik, një alternativë qytetare jo politike, një tribunë vlerësimi jo politike, një ekspertizë jo mbi axhenda politike, – pra i mohuam shpresën të kemi atë që është thelbësore për një demokraci funksionale, – komponentin qytetar e civil, me integritet, kurajë dhe aftësi që të jetë në gjendje, edhe me akte simbolike dhe frymëzuese, të bëjë diferencën në vlera e parime nga sistemi korruptiv oligark partiak i mbi-pushtetshëm në Shqipëri. Çfarë zhgënjimi!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU