Një jetë e jetuar me dinjitet

Nga Skënder Minxhozi

Sot, kur Gilman Bakalli nuk jeton më, të gjithë ne, miqtë, kolegët dhe njerëzit e zakonshëm që e kanë njohur, dëgjuar apo parë në sallën e Parlamentit, auditoret e mësimdhënies apo në media, përpiqemi të gjejmë në togun e prozave dhe publicistikes që ai la pas, mesazhin e tij të fundëm, dëshirat e tij finale, të cilat rëndom populli i quan amanete. Ndoshta të gjithë gabojmë ngapak në këtë ushtrim të lashtë të kthimit të kokës pas, që bëhet me ata që s’jetojnë më. Dhe sidomos me ata që kanë ikur herët nga kjo botë.

Sepse mesazhi që na ka lënë Gilman Bakalli, është i shtrirë në të gjithë egzistencën e tij, kudo ku jetoi, punoi, foli, shkroi. Është i pranishëm në betejën e tij të shkurtër, por pasionante, politike. Ndodhet në retorikën e tij në parlament, në mes të mijëra faqeve të leksioneve e librave që ndau me studentët e tij, në qindra artikujt që shkroi e intervistat që dha, në tharmin krejt të veçantë të publicistikës së tij herë rebele, e herë të shtruar, por gjithnjë qytetare dhe plot kulturë.

Në redaksinë e revistave Mapo e Java, patëm kënaqësinë ta mirëpresim, sa herë që kishte diçka për të thënë. Dhe përherë, shkrimet e tij kishin diçka të re për të kumtuar. I jemi mirënjohës për atë që na la pas në arkivën tonë shumëvjeçare.

Gilman Bakalli jetoi vetëm 49 vjet. Me aq sa ne e njohëm, ishte një jetë plot dinjitet, që ja vlejti ta jetoje. Njeri i shkolluar në botën gjermanike, plot kulturë dhe dije, një personazh që rrezatonte jo vetëm mirësi, por edhe vetëpërmbajtje dhe që e mishëronte më së miri stofin e shkodranit të fisëm, të qytetarit që mendon dhe jeton lirë, sipas disa kritereve që ja ka mësuar jeta dhe shkollat ku ka qenë – ky ishte Gilman Bakalli që patëm nderin dhe privilegjin të njohim në dekadën e fundit.

Në rrugëtimin e tij të shkurtër, Gilman Bakalli na la mesazhin e madh të njeriut që e do jetën dhe që lufton për të. Iku shpejt, duke na lënë në dëshpërim dhe dhimbje, si për të na thënë me këtë gjest të beftë, se jeta duhet jetuar çdo ditë me kurajo, respekt dhe dinjitet. Ashtu siç i jetoi 49 vitet e jetës së tij miku ynë i përbashkët Gilman Bakalli.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU