Një “Frigorifer” për të ruajtur kufomat politike të PD!

Nga Mero Baze

Lulzim Basha dështoi në vitin e gjashtë të drejtimit të opozitës, të fitonte qoftë dhe një betejë politike me kundërshtarin dhe ka vendosur të ngrijë “kufomën” e tij politike përmes bojkotit, duke i ikur jetës institucionale. Në një deklaratë politike sot në mesditë, Basha për herë të parë vendosi të kërkoj miratim nga strukturat, edhe ashtu jodemokratike të partisë së tij, për të legjitimuar diegien e mandateve të grupit parlamentar dhe një qeveri të re drejt tranzicionit për zgjedhje të reja.

Zërat për diegie të mandateve kanë filluar qysh pas humbjes së thellë në vitin 2017, kur pas një marrëveshje me kryeministrin  Edi Rama, Basha shpresoi se do të bashkëqeveriste pas zgjedhjeve, por fitorja e thellë e socialistëve e bëri atë të padobishme.

Duke ju shmangur përgjegjësisë së humbjes së thellë, Basha bëri një spastrim të thellë në parti nga gjithë rivalët e mundshëm, por kjo ja vështirësoi dhe më shumë betejën me një opozitë të përçarë. 

Opozita është nën akuzë se nuk ngjall shpresë dhe besim në shoqëri për shkak të inkriminimit të rënd të saj në kohën që ishte në pushtet dhe përpjekjen për të ruajtur ndikimin e Berishës, si familja më kriminale politike që mban ende nën kontroll partinë.

Përpara Lulzim Bashës kishte dy rrugë. Ose të fillonte një ndryshim të fort radikal në parti, të reformonte partinë, ta hapte atë realisht me elementë të rinj dhe të distancohej qartazi nga krimet e së shkuarës së Berishës, ose të të ikte nga jeta insitucionale politike për të ruajtur lidershipin aktual në gjendje të ngrirë, nën shpresën se mund të prodhoj një krizë artificiale politike.

Lulzim Basha ka zgjedhur rrugën e dytë. është një rrugë me  e lehtë për të dhe Sali Berishën. Kështu ata kanë shpresën se do të ruajnë monopolin mbi opozitën dhe do të frenojnë çdo forcë të re politike që mund të ngrihet, dhe tu rrezikoj monopolin mbi opozitën. 

Pasi humbën betejën për të provokuar qeverinë me viktima në mitingun e djeshëm, dke tentuar të sjellin fantazmën e vrasjeve të 21 Janarit, ata tani shkuan drejt hapit tjetër atë të ruajtjes së monopolit të tyre përmes rrugës radikale.

Kjo është pak a shumë ajo që ka bërë Berisha pas vitit 1997. Ai e mbajti PD thuajse dy vjet me ndërpreje të shkurtra jashtë parlamentit, duke e zvogëluar atë dhe duke ruajtur pozitën e tij pas humbjes së thellë të vitit 1997. Cdo kundërshtarë brenda partisë flakej jashtë nën frymën radikale dhe kjo i jepte mundësi atij të bënte një parti të vogël, por që nuk i rrezikonte karrigen.

Mes të tjerash bojkoti është dhe një përpjekje për ta përballuar efektin e reformës në drejtësi SPAK dhe Byronë e Hetimit për krimet 30 vjecare, si revolucionarë, duke tentuar ta quajnë atë si gjeuti shtrigash mbi ta. Izolimi i familjes Berisha nga Perëndimi dhe frika se drejtësia do të rihap vrasjet politike dhe vrasjet për korrupsion të familjes së tij, ai shpreson se mund të përballohen duke dal nga sistemi dhe duke u mbrojtur në rrugë.

Tashmë këtë gjë, po e bën duke përdorur Lulzim Bashën. Nuk është se e kanë menduar keq për vete të tyre. Kjo në fakt është e vetmja rrugë që ata të qëndrojnë dhunshëm në zyrat e tyre në SHQUP, nga ku populli opozitar pret ndryshimin. 

Edhe pse e dinë mirë që kjo nuk është rruga që e rrit opozitën, ata nuk janë të shqetësuar.

Procesi I diegies së mandateve natyrisht do të hajë shumë kohë, pasi nuk është një proces që teknikisht mbaron me një gjest politik, dhe kjo është shpresa e dytë e Lulzim Bashës, shpresa për një pazar të ri me Edi Ramën, siç e ka zakon, një herë në dy vjetë.

Duke qenë se përpara janë zgjedhjet lokale dhe vendimi I pritshëm për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, Lulzim Basha shpreson se shantazhi për të dorzuar mandatet, dhe periudha e gjatë që kërkon ky proces të kompletohet do të jetë një periudhë ofertash për të.

Por në të vërtet edhe pse duket si një anomali historike, diegia e mandateve mund të jetë mekanizimi i parë i ndryshimit të madh. Mosreformimi i opozitës dhe përpjekja për të ruajtur statukuon e pushtetit të Berishës mbi të përmes lëvizjesh të tilla radikale, mund të shkunden nga vetvrasje të tilla kolektive.

Të gjithë ata që shpresojnë se pas kësaj opozita mund të prodhoëj një revolucion në jetën politike, duhet të llogarisin, se njerëzit që kanë zhgënjyer shoqërinë për të disatën herë, nuk mund të jenë më shpresë e saj. 

Kjo nuk ka asnjë lidhje dhe me ata zëra radikalë që kërkojnë një klasë të re politike në Shqipëri. Ky është një vendim që merret me shpresë se do ruaj kalbësirat e vjetra të  PD të ngrira në Frigorifer për dy vjet, për të mos u dekompozuar.

Por e vetmja gjë e mirë që ka ky akt, është se fillon fundin e një statukuoje të gjatë, gati mafioze në politikën shqiptare, ku palët I garantojnë njëra tjetrës paprekshmërinë e pushtetit brenda llojit, pa u reformuar dhe ndryshuar. Duke djegur mandatet, nëse i djeg, Lulzim Basha ja bën një nder politikës shqiptare, pasi vetnxjerr nga politika qënie kriminale si Sali Berisha dhe një tufë deputetësh mediokër, që janë kthyer në simbol muskujsh, dhune dhe budallallëku në jetën parlamentare.

Nga ana tjetër ky boshllëk vë në bvështirësi dhe palën në pushtet, për të ndryshuar dhe reformuar,dhe mund të nxis lëvzije të reja politike që mund të vënë në vështirësi qeverinë aktuale, me idetë e tyre të reja dhe begraundin e pastër me të cilën mund të konkurojnë. 

Gjëja më negative në Shqipëri ka qenë fakti se duhej hequr një tullë që të shembej kjo ngrehinë.

E sigurtë është që dicka e mirë mund të vij pas kësaj, por nuk vjen më PD e Sali Berishës. Lulzim Basha nuk mundi ta nxjerr dot nga partia, por nga parlamenti së paku e nxorri. 

Ndaj është mirë të mos e deinkurajoni në vendimin që ka marrë. është një vendim i marrë në dëshpërim, si çdo njeri që vret veten, dhe që beson se do ngjallet në jetën e përtejme. Mirë është ta provoj vetvrasjen njëherë!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU