Një emergjencë që po refuzojmë ta shohim

Nga Skënder Minxhozi/

Mediat e huaja kanë kohë që po e ndjekin me shumë kujdes fluksin e refugjatëve të luftës (dhe jo vetëm), nga Ballkani drejt Veriut të Europës. Për një tekë të fatit, prej muajsh turmat e sirianëve, irakenëve dhe të afrikano-veriorëve po i kalojnë pranë Shqipërisë, pa u dyndur në rrugët dhe qytetet e saj.

Duket se na ka shpëtuar fakti që jemi një cep ende i izoluar i kontinentit nga pikëpamja e infrastrukturave, aq sa është e vështirë që nga pikat tona kufitare jugore dhe lindore, të kapësh Veriun e vendit, për të vijuar më pas në Mal të Zi apo Kroaci. Nëse fjala vjen, mes Kapshticës dhe Kakavijës nga njëra anë, e Shkodrës nga ana tjetër, do të kishte arterie të qëndrueshme rrugore apo hekurudhore, me shumë gjasë do të përjetonim edhe ne emergjencën e Maqedonisë dhe Greqisë.

Megjithatë lajmet e orëve të fundit na thonë se Shqipëria nuk do të kursehet nga kriza e refugjatëve. Jo vetëm e atyre qindra iranianëve që Sekretari i Shtetit Kerry ra dakord t’i sjellë në vendin tonë, por e mijëra sirianëve e irakenëve që po ikin masivisht nga qytetet e fshatrat e tyre në luftë me ISIS. Orët e fundit si kryeministri, ashtu dhe ministrja e mbrojtjes apo ai i jashtëm, janë përpjekur të hedhin ujë mbi një zjarrin e krizës së refugjatëve, që po fillon të digjet, e që mund të marrë përmasa shqetësuese në ditët e ardhshme.

Është një emergjencë humanitare e cila këto muaj ka goditur dhe ka nxjerrë jashtë ekuilibrit shtete si Gjermania, Hungaria e Austria, pa folur për fqinjët tanë maqedonë, grekë e serbë, të cilët kanë mbyllur kufinjtë me tela me gjemba dhe luftojnë përditë për të kufizuar sa të munden flukset e njerëzve të dëshpëruar që kërkojnë të kalojnë drejt vendeve të pasura europiane. Si të mos mjaftonte kriza financiare greke dhe dalja e mundshme e Britanisë nga Unioni, Bashkimi Europian është tronditur thellë muajt e fundit nga kriza e refugjatëve, e cila ka ekspozuar edhe një herë dobësinë e thellë që Brukseli ka, sa i takon sigurisë së kufinjve të tij të jashtëm.

Shqipëria do të ftohet të bëjë pjesën e saj në këtë emergjencë kontinentale. Pas pak ditësh, shefja e diplomacisë europiane Mogerini do t’ja kërkojë këtë favor zyrtarëve shqiptarë në Tiranë, gjatë vizitës që do të bëjë në vendin tonë. Është e tepërt të thuhet se kjo krizë na gjen në një situatë dukshëm më të keqe sesa vendet e tjera, të cilat kanë pasur struktura, buxhete dhe eksperiencë në përballjen e emergjencave të tilla. Vala e fundit masive e refugjatëve të luftës, ajo e shqiptarëve të Kosovës 17 vjet më parë, tashmë është harruar, ndërkohë që shteti shqiptar ende nuk ka deklaruar publikisht planet e tij përballë një hapjeje të mundshme të kufinjve. Deklaratat e Bushatit e Kodhelit lenë të kuptohet se Shqipëria mund të presë vetëm sasi të kufizuara refugjatësh në strukturat e saj. Po a është ky edhe mendimi i europianëve? Dhe a do të kemi ne fuqi të refuzojmë si shtet, presionin në rritje të BE për të marrë më shumë refugjatë në territorin tonë, sesa ajo që kemi planifikuar?!

Kriza humanitare e refugjatëve të luftës  në Lindjen e Mesme po i afrohet frikshëm Shqipërisë. Është momenti që qeveria shqiptare, por edhe institucionet e tjera të shtetit, të formësojnë një platformë konkrete për mënyrat dhe mjetet e përballimit të një situate komplekse dhe me kosto të larta sociale dhe ekonomike për vendin. Turmat e të dëshpëruave në kufinjtë grekë dhe maqedonas nuk parathonë asgjë të mirë, as për ne që deri tani kemi mundur të mbajmë statusin e spektatorit në një krizë që luhet para këmbëve tona.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU