Nis shpërndarja e teksteve shkollore në shkollat e Durrësit

Ka nisur në Durrës shpërndarja e teksteve mësimore të arsimit parauniversitar për vitin e ri shkollor 2018-2019. Në shkollën 9-vjeçare “Eftali Koçi” është zhvilluar edhe një ceremoni e veçantë për shpërndarjen e librave për të gjithë fëmijët të cilët do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

Ceremonia e ndarjes së librave po bëhet nën kujdesin e Drejtorisë Arsimore Durrës, Prefektit të Durrësit, Roland Nasto si dhe drejtuesve të shkollave 9-vjeçare të këtij qyteti.

Gjithashtu në shkollën 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi”, shpërndarja e teksteve mësimore është ndjekur nga vetë prefekti i qarkut të Durrësit, Roland Nasto si edhe drejtoresha e Arsimit për qarkun e Durrësit, Lindita Muka.

I kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, prefekti Nasto në fjalën e tij tha se në ceremoninë e shpërndarjes së librave në shkollën 9-vjeçare “Bedrie Bebeziqi”, ka uruar për një fillim të mbarë të procesit mësimor dhe se nisma e re, e cila i vjen në ndihmë të gjithë nxënësve të ciklit parashkollor, do t’i shërbejë jo vetëm familjarëve të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike, por për të gjithë ata të cilët kanë fëmijë në këtë cikël.

Nasto gjithashtu i ka udhëzuar nxënësit si dhe prindërit e tyre për mirëmbajtjen dhe kujdesin që ata duhet të tregojnë për librat.

Ndërkohë kjo nismë është përshëndetur edhe nga drejtoresha e Drejtorisë Arsimore për qarkun e Durrësit, Lindita Muka. /b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU