Komisioni i Reformës, ‘Vetting’-u, përplas PS-në me PD-në

Komisioni i Posaçëm i Reformës në Drejtësi ka nisur sot rreth orës 10:20 mblidhjen për tu njohur me vërejtjet e misionit të EURALIUS për opinionet e PD-së mbi ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Janë 10 çështje që Partia Demokratike kundërshton në ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të argumentuara në detaj në një material prej 55 faqesh.Ndër të tjera, ekspertët demokratë i rikthehen sërish rolit të operacionit ndërkombëtar të monitorimit, të cilin nuk e gjejnë të pasqyruar mirë në ligj.

Janë 10 çështje që Partia Demokratike kundërshton në projektligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të argumentuara në detaj në një material prej 55 faqesh. Oponenca e Partisë Demokratike nis që me tekstin e projektligjit, i cili sipas ekspertëve të selisë blu nuk detajon procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të organeve të rivlerësimit, si dhe procesin e vlerësimit të kandidaturave, duke e lënë këtë proces në diskrecionin e organeve të përfshira në procedurë. Gjithashtu ekspertët demokratë i rikthehen sërish rolit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilin nuk e gjejnë të pasqyruar mirë në ligj.

Në opinionin e tyre, demokratët kërkojnë dhe rishikimin e rolit të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit të Pasurive dhe Drejtorisë së Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar. Ndërkohë, dita e djeshme ishte afati i fundit që kishte në dispozicion Presidenti i Republikës për të hedhur shortin për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kreu i Shtetit është në pamundësi për të ushtruar kompetencën e tij, pasi ligji i rivlerësimit përmes të cilit duhet të kalojnë në sitë gjyqtarët dhe prokurorët që duan të jenë anëtarë të KED-së, ende nuk është miratuar. Me mbarimin e afatit kushtetues që i është lënë në dispozicion Presidentit, shortin për KED-në e hedh Kryetari i Kuvendit, ashtu siç e përcaktojnë ndryshimet e reja kushtetuese të 22 korrikut.

Pas shqyrtimeve të qëndrimeve pozitë-opozitë në komision, pritet që palët të vendosin një datë për mbajtjen e seancës plenare, në të cilën do të votohet projektligji për “Vetting”-un që tashmë është një tjetër kusht i ndërkombëtarëve për t’u miratuar brenda gushtit, në mënyrë që të përfshihet në raportin e Bashkimit Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit të vendit tonë.

Dinamika

Opozita do të marrë pjesë sot në mbledhjen e komisionit të posaçëm parlamentarë për Reformën në Drejtësi. Përtej zërave lidhur me një mundësi të mospjesëmarrjes së përfaqësuesve të opozitës në mbledhjen e këtij komisioni, përfaqësues të lartë të opozitës pjesëmarrës në këtë komision bënë të ditur për Javanews se do të jenë sot të pranishëm në mbledhjen e këtij komisioni. Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, i cili është edhe një ndër anëtarët e këtij komisioni, në një komunikim me Javanews bëri të ditur se “opozita do të jetë e pranishme në këtë mbledhje”.

Nga ana tjetër zyrtarët e lartë të opozitës bën të ditur se pjesëmarrja e tyre në këtë mbledhje nuk do të thotë se qëndrimet e saj janë të dakortësuara me draftin e paraqitur. Drejtues të lartë të PD-së, si dhe deputetë të kësaj partie, bën të ditur për Javanews se qëllimi i vatjtjes së opozitës në komision është në vijim të përpjekjeve të saj për të zgjeruar bazën e konsensusit për miratimin e 7 ligjeve që do të fillonin të bënin funksional zbatimin e reformës në drejtësi.

Opozita ka paraqitur një seri vërejtjesh lidhur me procesin e vettingut duke kërkuar në themel sendërtimin e këtyre ligjeve. Por nga ana tjetër ekspertët ndërkombëtar të EURALIUS dje OPDATE i kanë hedhur poshtë vërejtjet e PD-së, duke lënë në fuqi draftin e paraqitur kohë më parë të realizuar në bashkëpunim mes ekspertëve të nivelit të lartë shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë. Ende nuk është e qartë nëse opozita do të jetë e gatshme ti votojë 7 ligjet, por për momentin palët duket se janë ende larg konsensusit për miratimin e këtyre ligjeve. Ndërkaq koha po kalon me shpejtësi dhe Kuvendi brenda muajit gusht duhet të miratojë këto 7 ligje.

Në dallim nga projekti i Reformës në Drejtësi ku kërkoheshin 96 vota për miratimin e tij, por që u votua me 140 votat e parlamentarëve, 7 ligjet kërkojnë vetëm 84 vota, të cilat mazhoranca të paktën në letër i ka. Çështja tashmë qëndron në faktin nëse LSI, një parti aleate kjo e PS, do të jetë e gatshme ti votojë këto 7 ligje edhe nëse opozita nuk jep konsensus. Ditët e fundit krerë të lartë parlamentarë të LSI-së kanë këmbëngulur që fryma e konsensusit të vazhdojë si në votimin e 22 korrikut, duke lënë të kuptohet se ajo ende shpreson në arritjen e një votimi të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Këto deklarata nga ana tjetër kanë nxitur zërat spekulues se LSI mund të kushtëzojë votën e saj përsa kohë që opozita nuk është ende e gatshme që të votojë 7 ligjet, pa u marrë në vlerësim kontestimet që ajo ka për këto 7 ligje. Dita e sotme pritet të kthjelloj më shumë ujërat, të cilat vijojnë të jenë ende të turbullta deri në votimin e këtyre 7 ligjeve.

Me. Ar

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU