Ngacmoi studenten e Juridikut, prangoset një tjetër polic në Shkodër (VIDEO)

Një efektiv i Policisë është arrestuar nga kolegët e tij dhe po merret në pyetje, pasi ka ngacmuar një studente në ambientet e Fakultetit Juridik në qytetin e Shkodrës, ku vajza studion.

Efektivi 25-vjeçar i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se e pëlqen studenten dhe se ja ka shprehur vazhdimisht ndjenjat e tij. Por ditën e sotme, një incident është shënuar në auditoret e Juridikut, ku efektivi ka shkuar të bisedojë me studenten dhe ta ftojë për kafe. Ai ka hasur në kundërshtinë e saj, dhe sipas deklarimit të tij në polici, efektivi e ka tërhequr me forcë për krahu. Report Televizion mëson se kjo situatë ka ngjallur frikë tek studentja, por edhe tek shokët e saj të pranishëm, por nga ana e vajzës nuk ka pasur asnjë denoncim në polici.

Për një moment efektivi është futur në tualetin e shkollës, dhe në mbështetje të shoqes së tyre, disa studentë djem kanë mbyllur derën e tualetit, duke e lënë brenda policin. Polici 25-vjeçar ka thyer me forcë derën e tualetit, duke dalë, ku në atë moment studentët kanë parë të mbante në brez edhe një armë. Kanë njoftuar menjëherë policinë, ku me mbërritjen e forcave blu u bë arrestimi i efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Ndërkohë sot, në rrjetet sociale të menaxhuara nga disa studentë është publikuar edhe videon e shoqërimit nga policia të efektivit të FNSH-së.

/a.rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU