Nga 23 shtatori nis raundi i dytë i pranimeve në Universitet, Nikolla: 75% e vendeve të lira

Në një konferencë ku të pranishëm ishin rektorë e dekanë si dhe maturantë, Ministri e Arsimit Lindita Nikolla ka deklaruar se rreth 75 % e të gjitha kuotave në universitete janë të lira, teksa raundi i dytë për të hyrë në shkollë të lartë nis më 23 shtator.

Nikolla ka bërë të ditur se aplikimi për në universitet mund të bëhen edhe përmes celularit, në portalin online që ka vënë në dispozicion ministria.

“Ju e dini se Farmacia ishte një degë në listën e parë, pasi mbyllej me notën mesatare 10. Nga kjo degë ka 86 kuota të lira për në fazën e dytë. Mendoj se kjo situatë mundëson një histori të re suksesi për shumicën e vendeve që rezultojnë të lira. Pra 75 për qind të kuotave janë të lira.

Ju që po na ndiqni në ekran, raundi i dytë i aplikimeve nis në 23 shtator, nis me një sistem tjetër. Ndryshe nga përzgjedhja e parë, kur vepronte kompjuteri, tashmë sistemi jep mundësi që të ndryshojnë preferencat.

Ndaj, keni të gjitha mundësitë që të vlerësoni mundësitë tuaja. Për ju që do të vijoni garën për kuotat e lira, MAS vë në dispozicion sistemin online, portalin e aplikimit. Mund ta bëni edhe nga telefoni.

Në përfundim të raundit të dytë, do të merrni në kohë reale rezultatet e renditjes. Procesi i lëvizjes së vijës së kuqe, do të sinkronizohet në rang kombëtar nëpërmjet sistemit online pas çdo regjistrimi.

Ky sistem do të reduktojë kohën. Fundi i këtij procesi do të shënojë një progres dhe sukses, ndaj nuk ka vend për dilema, por ka vend për përqendrim për të marrë të gjithë informacionin.”, tha Nikolla./java/a.k

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU