E PLOTË / Nexhmije Hoxha: U “skuqa” kur Enveri më propozoi, roja na spiunonte te CIA

E veja e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha, Nexhmije Hoxha, ka bërë një rrëfim të veçantë të jetës së saj, dhe ish-udhëheqësit të ndjerë komunist. Që nga fëmijëria e saj, deri te lufta, njohja me Enver Hoxhën dhe propozimi për martesë që ky i fundit i bëri.

Në rrëfimin e saj për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin “Dritare”, e veja e diktatorit Hoxha ka treguar edhe takimin parë me të.

Do të doja të ndanim bashkë 10 kujtime të pothuajse 10 dekadave të jetës suaj, duke e nisur me një periudhë që ndoshta nuk njihet; periudha e Manastirit. E nisim me një kujtim nga vendi i lindjes.

Unë kam lindur në Manastir në 8 shkurt të vitit 1921 nga prindër dibranë. Fisi i Xhuglinëve e ka prejardhjen nga Malësia e Madhe Verilindore dhe nuk e di për ç’arsye, por ata kanë zbritur poshtë, janë vendosur në Dibër dhe aty kanë banuar për 200 vjet. Por erdhi një kohë ku ata u detyruan të shpërngulen nga Dibra sepse në fillimin e Luftës Ballkanike të 1912-1913, Dibra u sulmua nga forcat serbe dhe u bë një masakër e padëgjuar, dogji e shkatërroi shtëpi, vrau burra, dhunoi. Kështu që popullsia e Dibrës u detyrua të largohet, ndër to edhe babai im me 5 vëllezërit e tij me familjet e tyre dhe nënën, pra ata morën rrugën si refugjatë. Ata mbërritën në Elbasan dhe u vendosën tek Kalaja e Elbasanit. Aty jetuan me shumë vështirësi, në kushte shumë të vështira. Nëna më tregonte që një thes me miell kushtonte një napolon flori, por në fund të tre vjetëve, kur filloi edhe Lufta e Parë Botërore në 1915, ata u detyruan të marrin rrugën e kthimit. Kur erdhën në Dibër, ata gjetën çdo gjë të djegur dhe të shkatërruar.

U kthyet ndonjëherë në Manastir më vonë?

Po, jam kthyer në vitin 1998, pasi kisha dalë nga burgu. Më kishte marrë malli dhe bashkë me një mik nga Struga kemi shkuar në Manastir dhe atje kërkova shtëpinë. I kisha adresat e vjetra, në sllavisht dhe në turqisht, por nuk e gjeta dot. Natyrisht, kishin kaluar 70-80 vjet dhe ishin bërë shumë ndryshime.
Nga e gjithë shtëpia, unë mbaj mend dy ambiente kryesore që kanë qenë të dashura për mua. E para, në hyrje të shtëpisë ishte një verandë, sa një dhomë, e rrethuar me kangjella druri dhe e mbuluar sipër. Më kanë mbetur në sy akujt që rridhnin nga çatia si shpata, që na çudisnin, dhe dëbora sepse në Manastir bënte shumë ftohtë dhe kishte disa muaj borë. Kështu që oborri kishte shumë pak lule. Por për mua, kjo verandë, kishte rëndësi sepse në behar rrinin graria dhe prisnin mikeshat e tyre dhe në dimër, sidomos për ne, kishte një të veçantë sepse aty loznim. Ne nuk njihnim një botë tjetër, bota jonë ishte shtëpia, ishim si të ngujuar aty. Jashtë dilnim vetëm me raste, kur na merrte nëna përdore dhe shkonim në farefis.
Kurse qytetin e kam njohur shumë pak. Babai na merrte për të bërë pazar, na çonte në dyqan dhe na blinte shkop-sheqeri dhe dëborë me shurup të kuq. Tek lumi, që ishte aty, me raste bëhej ndonjë eveniment, siç ishte, në 6 janar, rasti i hedhjes së kryqit. Të vetmen sëmundje që mbaj mend, ishte kur ra skarlatina. Unë fillova të ënjtem, të më merret fryma, mirëpo prindërit e mi nuk lajmëronin sepse po të merrej vesh, bëhej karantina e familjes, ndërkohë familja ishte e madhe, gati 20 veta. Kur më në fund thërritën doktorin, ai i tha nënës:- “Moj zonjë, të jeni shumë të lumtur që nuk e keni ditur se në ç’hall ka qenë vajza juaj, se po të rrinte kështu edhe 24 orë, do ta kishit humbur”.

Një kujtim i dytë i rëndësishëm në jetën tuaj është largimi nga Manastiri. Ju vinte keq që po e linit atë vend apo nuk kishit shumë çfarë merrnit? A mund ta kujtoni pak rrugën që ju solli për në Tiranë, në kryeqytetin e jetës suaj?

Babai im u largua nga Manastiri dhe, të them të drejtën, nuk kam pasur ndonjë keqardhje përveç faktit që po ndahesha nga kushërira ime sepse ata ikën në Turqi, domethënë, familja Xhuglini u shpërbë. Kështu që unë vija në Tiranë me qejf për të takuar babanë tim sepse ai kish ardhur përpara, kish gjetur punë dhe na tërhoqi edhe ne. Arsyeja pse ne nuk shkuam në Turqi, por ndenjëm në Shqipëri, ishte sepse unë isha 7 vjeçare dhe tashmë duhej të hyja në shkollë shqipe dhe Manastiri nuk e kishte një të tillë. Kaluam në Dibër. Unë isha me nënën, vëllanë dhe dy qiraxhinj që ishin nga Greva, fshati i nënës sime sepse nëna ime, nga ana e babait të saj, ishte nga Greva. Dy qiraxhinjtë ishin me dy mushka, në njërën mushkë hipi nëna me dy ngarkesa të vogla sepse kishim ikur nga shtëpia vetëm më ndërresa, ndërsa te mushka tjetër isha unë me vëllanë, në dy kosha, si ato koshat e mëdha që përdoren për transportin e rrushit, të korrjeve e të tjera. Kështu që për mua ishte, nga njëra anë një ndjenjë frike, por nga ana tjetër ishte edhe kurioziteti sepse çdo gjë për mua ishte e re. Rrugës njoha pyje, shkëmbinj, rrugë të reja, rrugë të vështira ku qiraxhinjtë mezi mbanin mushkat të mos rrëshqisnin dhe nga ana tjetër, vëllai, që ishte më i vogël, qante dhe kërkonte të shkonte në prehrin e nënës, por ndonjëherë edhe na zinte gjumi aty. Në rastet kur vëllai shkonte tek prehri nënës, për mua ishte frikë dhe gëzim bashkë sepse më hipnin shaluar në mushkë ku, natyrisht, i mbante frerët me forcë qiraxhiu. Kështu kemi arritur ditën e parë në mbrëmje në një han, që quhej hani i Stëblevës. Ishte han i frikshëm, që unë nuk e kam harruar. Nëna rrinte pa fjetur dhe më vonë më ka treguar që unë hapja sytë sepse kisha frikë nga hijet e zeza që krijonte qiriu kurse nëna na ruante, siç më ka thënë, nga akrepat ose minjtë që ishin sa një mace, që të rrëmbenin edhe këpucën. Tani vonë kam mësuar që në atë rrugë, të Stëblevës, kalon rruga e Arbrit sot. Pra, po mendoj që paskam bërë rrugën e Arbrit dhe, natyrisht, unë e përfytyroj si një autostradë dhe në këtë hanin e zi të Stëblevës, do ngrihen hotele të mëdha luksoze për turistët.
Ditën e dytë arritëm në Tiranë në mbrëmje. Aty ishte një han pak më i përparuar se ai e Stëblevës, por aty na priste babai. Ne iu hodhëm babait në qafë ndërsa nëna me babanë vetëm u përshëndetën, nuk u përqafuan, babai duke e pyetur nënën si shkoi rruga. Pra këtu shikohet sesi ishte gjendja e zakoneve tona. Babai na mori e na çoi në një shtëpi aty afër, që e kish marrë më qira, një dhomë e kuzhinë, një shtëpi që tiranasit i thonë shtëpi zjarri, pra shtëpi pa oxhak, pa tavan dhe tymi përhapej lirisht dhe tërhiqej nga tjegullat.

Si ishte Tirana e 1928-ës, Tirana që gjetët ju?

Të nesërmen dolëm me babanë dhe mua mu duk si një mrekulli që rrugët ishin plot me njerëz, njerëz që flisnin shqip. Ata ishin të qeshur, qoftë në dyqanet që shkonim, qoftë në shëtitjen që bëmë. Prandaj, ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme, por gjithashtu ndodhi që atë ditë ishte ceremonia e përvjetorit të shpalljes së Zogut Mbret. Kështu, shkuam në Sheshin Skënderbeg, që ishte po ky shesh i sotshëm, mbushur me burra dhe fëmijë, shumë pak gra kishte dhe asnjëra prej tyre nuk mbante perçe, kështu që nuk na shoqëronte nëna, por vetëm babai. Aty pamë për herë të parë fishekzjarrët që nuk i kishim parë përpara. Gjithashtu, një mrekulli më vete ishte dita e parë e shkollës. Natyrisht kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme për të gjithë, por për mua ishte veçanërisht sepse unë vija nga një vend tjetër. Për herë të parë ishim me shoqet, mësueset, në kontakt me librat dhe e veçanta ishte se mësova gjuhën shqipe, pasi unë kisha dialektin tim. Domethënë, u ambientova menjëherë me shoqërinë dhe ndoshta nga kjo gjendje, krejtësisht e re për mua, erdhi gjithë ai zelli im i madh për shkollën, për leximet, pra u bëra një njeri tjetër. Isha e gatshme për çdo punë, merresha me vizatimin e mjeteve mësimore me qejf të madh, gjithashtu në garat që bënte shkolla. Mbaj mend që në përfundim të klasës së pestë të fillores, u bë një ceremoni e shkollës sonë me Shkollën e Kuqe, të djemve, sepse në atë kohë shkollat ishin të ndara dhe unë atje fitova garën e recitimit të vjershave. Bëra një shfaqje teatrale, një monolog, me titullin “Rrobat e tezes”, që kishte të bënte me rrobat kombëtare, një vepër e Milto Sotir Gurrës, i cili ishte një nga rilindësit e fundit. Gjithashtu në këtë ceremoni, përveç recitimit, kishte edhe këngë. Ndër këto ishte një këngë franceze, të një luleshitëseje të verbër, me vargje “Merrni lule o bujarë nga e verbëta…”. Unë e mbaja mend këtë melodi dhe ia tregova Jorgjie Trujës, Artiste e Popullit, me të cilën kisha miqësi qysh në shkollë e gjatë gjithë viteve tona. Ajo e mbajti mend dhe ma vendosi në pentagram dhe unë e kam një kujtim të mirë. Të gjitha këto kanë caktuar kthesën e parë në jetën time.

Nëna juaj ishte e mbuluar. Ajo ka dashur t’ju mbulojë edhe juve?

origjinali qershor 1933, riprodhim 1984

Nexhmije Hoxha me shoqet e klasës

Pikërisht. Me të mbaruar shkollën fillore, isha 12 vjeç, filloi përballja ime me zakonet e kohës dhe me nënën time, me të cilën isha jashtëzakonisht e lidhur. Nëna ime, pikërisht se ajo ishte e mbuluar me çarçaf dhe perçe, thoshte se ishte koha që unë të vendosja çarçaf, kur të dilja nga shtëpia, sepse shoqet e pyesnin vazhdimisht:- “A e mbulove vajzën?” Mirëpo, kjo ishte një gjë e papranueshme për mua sepse kisha ndjerë ndjenjën e lirisë dhe kisha mësuar shumë gjëra, prandaj e kundërshtova. Më ndihmoi vetë mësuesja e klasës së pestë, Nazmije Xhepa, një vajzë tiranase, që kishte kaluar edhe ajo në një vështirësi të këtillë dhe kishte fituar. Kështu, më në fund, duke qenë edhe babai im pak liberal sepse ishte marrë me klubet e gjuhës shqipe, unë fitova dhe ishte fitorja e parë drejt njëfarë çlirimi, domethënë të shkëputjes nga zakonet e kohës. Dua të them se, isha unë e para vajzë, bashkë me Shyrete Turkeshin, gruaja e Eqrem Çabejit, edhe ata dibranë, pra ishim vajzat që vazhduam mësimet në shkollën e mesme.

Keni thënë se babai juaj ishte frankmason, apo jo?

Frankmasonët dihet pse quhen të tillë, por ajo përdorej edhe në rastet për klubet shqipe, domethënë që merreshin me përhapjen e gjuhës shqipe, në mbështetje të Kongresit që u bë për gjuhën shqipe. Kur ikëm nga Manastiri, nëna ime, përveç atyre pak ndërresave, mori edhe dy librat që i mbanim fshehur në shtëpi, “Lulet e verës” dhe “Qerbelanë” të Naim Frashërit, të shtypura me ato germat e në atë kohë.

Nëna lexonte…

Nëna lexonte dhe këtu dua të tregoj përsëri sa liberal ishte babai im. Nuk ishte e zakonshme që burri t’i mësonte gruas së re të merrej me gjuhën. Nëna lexonte, nuk dinte të shkruante, vetëm firmën e saj mësoi, por që edhe atë e harroi më vonë dhe ka një histori për këtë. Ishte një periudhë kur bënim luftën kundër analfabetizmit dhe unë i kërkova një firmë nënës për t’i marrë pensionin e luftës, ndërkohë nxitoja për të shkuar në punë. Ajo qeshi dhe më tha:- “Kam harruar” dhe unë i përgjigjem:- “Uaaa, nëna ime qenka analfabete. Unë mbeta duke luftuar kundër analfabetizmit”. Pra nëna, jo vetëm lexonte, por ka lexuar derisa vdiq, romane, por i donte me tematikë familjare, pra shoqërore, jo lufte sepse kishte vuajtur jashtëzakonisht gjatë luftës. Ka lexuar shumë dhe e bekonte babanë për dy gjëra: që i kishte lënë pensionin dhe që e kishte mësuar të lexonte. Aq shumë në harmoni kishin jetuar sa më thoshte:- “Moj vajzë, gjetsh një burrë si babai yt”, pra aq mirë kishin shkuar të dy sa nuk kërkonte më shumë.

Mamaja juaj nuk kundërshtonte për faktin që ju donit të shkonit në shkollë dhe si ia bënit financiarisht?

Unë për 8 vjet studiova në Institut dhe në libra të tjerë kam shkuar se ç’më ka dhënë mua si person Instituti Femëror i Vajzave.

Nexhmije Hoxha në klasë të parë në Institutin Nëna Mbretneshë me mësuese Eda Misturin

Nexhmije Hoxha në klasë të parë

Unë njoha atje historinë e vendit, të kombit tonë, njoha një botë më të zhvilluar, madje qysh në klasën e parë të Institutit, që nuk ishte aty ku vajti Instituti më vonë, ka qenë shkolla “Naim Frashëri” në rrugën e Kavajës. Aty kishin ardhur edhe vajzat e rritura, klasat e fundit të shkollës së Dakos sepse në atë kohë ishte mbyllur. Unë mendoj se edhe ato më dhanë diçka që ishte ndryshe sepse haja drekë me to, ngaqë fitova bursë, i njoha më nga afër dhe më bënte përshtypje kultura e tyre si në veshje, bisedime, në trajtimin që më bënin mua, se më vunë pikërisht në tavolinën e tyre që të haja me to. Gjithashtu, po atë vit, erdhën profesoresha tre gra që kishin studiuar jashtë, që dinin gjuhë të huaja. Njëra prej tyre ishte e shoqja e Vasil Andonit, i njohur si pedagog i gjimnazit, por edhe si i Ballit, ishte Eda Misturi nga Shkodra, shumë simpatike.

Në atë kohë e kishim si zakon që simpatizonim njërën profesoreshë apo tjetrën dhe për mua Eda ishte profesoresha më simpatike dhe më e dashur, me të cilën edhe kam fotografi. Ato visheshin shumë sportive, me flokë shumë të shkurtra, shumë moderne domethënë. Ishte dhe një tjetër që na jepte mësimin e natyrës, gjërat që na kërkonte na bënin çudi dhe përshtypje, por ato nuk erdhën më në Institut.

Në Institut ju ishit një vajzë vëzhguese, apo e hedhur?

Isha një vajzë e qetë, e urtë, domethënë e shoqëruar, por jo e hedhur. Unë kisha nja dy shoqe të ngushta, si vajzën e Drejtorit të shkollës, Sotir Papakristo, me të cilën kam një histori të bukur. Ajo nuk u përzje në Lëvizjen tonë Revolucionare, nuk kishte të bënte fare, ishte edhe fetare, nga Korça, ndërsa unë partizane. Ajo iku, u martua me një inxhinier italian, por ne mbajtëm marrëdhënie.

Ju keni pasur në atë kohë shoqe dhe keni ruajtur marrëdhënie edhe me vajza të luftës, por edhe me vajza që nuk u morën me luftën, përkundrazi, ishin në krahun tjetër. Ishit një vajzë që i pranonit të gjithë.

Jo me të tërë. Megjithëse unë drejtoja grupet komuniste të shkollës, celulën e shkollës së vajzave, ne kishim edhe natyrën tonë që përjashta nuk tregonim. Kjo ishte një gjë shumë e mbyllur e jona, sidomos fillimi. Unë kam pasur shumë miqësi me Nermin Vlorën, me të cilën jam takuar edhe pasi ndërroi sistemi, me letërkëmbime etj. Ja, ajo më thoshte:- “Nexhmije, unë kam shëtitur në shumë kontinente, sepse e kishte burrin diplomat, por ne kemi pasur shkollë shumë të mirë, me profesorë të zotë”. Pastaj është Meri. Babai i saj, Sotir Papakristo, ka qenë profesor i gjuhëve antike. Më vinte gjatë periudhës tonë të Pushtetit Popullor dhe tek unë ankohej për çdo gjë, të cilin e kam trajtuar dhe nderuar. Kur ai vdiq, unë i bëra një kurorë të mirë natyrale në emër të Merit, pa e pyetur dhe pa i thënë Merit, edhe pse ajo e kishte motrën këtu, unë bëra një gjest të tillë, i shkova edhe në varrim. Asaj i thanë më vonë që Nexhmija ka bërë kështu dhe ajo më dërgon një letër të ngrohtë që është shumë mallëngjyese. Kurse shoqja tjetër ishte Naxhije Dume, shoqe lufte, shumë e zhvilluar. Vajzën e Musa Jukëse kam pasur në shkollën fillore. Ajo u sëmur dhe unë i shkoja në shtëpi. Mësuesja në fillore na merrte mua dhe atë kur bënte fotografi, mua për notat e mira ndërsa atë sepse ishte vajza e Ministrit. Kisha shoqe edhe Filomena Mosin, që ishte e bija e Hilë Mosit, i cili kishte marrë pjesë në kryengritjet e veriut, patriot dhe që u bë Ministër i Arsimit. I kam njohur nënën, motrën, hyja-dilja në shtëpinë e saj se ishim shumë afër. Por ajo u sëmur dhe u shkëput.

Më ka bërë përshtypje një letër, që e kam lexuar tek ribotimi i librit “Sikur t’isha djalë”, letër me pseudonimin Flaka, që ju i dërgonit Haki Stërmillit, në vitet ’36. Ç’ishte ajo letër?

Ishte rezultati i një rruge a prirjeje që i kisha hyrë unë lidhur me letërsinë, lidhur me problemin e çlirimit të gruas e të vajzave shqiptare. Unë isha njohur me një grup grash, tre veta, me Ollga Plumbin, Selfixhe Ciun, Mila Gjogorecin, që ishin në moshë më të rritura se unë, por unë nëpërmjet motrës së Selfixhesë, që e kisha shoqe klase, që e dinte se isha e interesuar shumë në këtë drejtim, më prezantoi me të dhe u lidha shumë me të tre ato edhe pse e re në krahasim me to, por e mbajta miqësinë edhe më vonë. Neve flisnim për letërsinë, për emancipimin e gruas sepse të tre vajzat shkruanin në revistën Bota, të cilën e lexoja shumë. Gjithashtu mund të them se isha një admiruese e Migjenit, të tregimeve dhe poezive të tij, që gjithë jetën i kam lexuar, recituar dhe i dua. Ndërkohë, Selfixhe Ciu më kishte prezantuar tek Qemal Stafa sepse ajo ishte e organizuar dhe unë u lidha më organizativisht me Qemalin dhe fillova jetën e një revolucionareje ose komunisteje.
Haki Stërmilli nuk ishte komunist, sidoqoftë ai shkroi këtë libër, që në atë kohë ishte ndër romanet e para dhe është botuar disa herë, diku lexova nja 18 herë. Nuk ishte gjë e thjeshtë të shkruaje në atë kohë, të vije gishtin në plagën e shoqërisë sonë. Mua më është dukur vetja naive, kur e kam lexuar, ku i kam bërë lëvdata të mëdha duke bërë komentet e mia lidhur me ato poetë e shkrimtarë që shkruanin për qiellin, yjet dhe dashurinë. Por ama edhe më pëlqen që në atë letër, në atë moshë 15 vjeçare, kam arritur t’i shkruaj që do vijë një ditë që vajzat nuk do kenë nevojë të thonë ‘sikur t’isha djalë’, por ato vetë do të marrin në dorë rrugën e çlirimit të tyre. Kjo është diçka që edhe ma përmendin, por që unë e kam ndjerë në atë moshë. Siç thashë, më kishin rekomanduar, ndoshta edhe letra mund të ketë influencuar, më thirrën në takim me Qemal Stafën dhe aty u takova për herë të parë me të në verën e vitit 1937. Ai më ngarkoi me detyra të veçanta për punën time në Institut. Nuk them që isha e vetmja, por isha një ndër të parat që u ngarkua për në aktivitetin, jo vetëm thjesht letrar ose përparimtar në Institut, por për një punë të organizuar komuniste revolucionare.

Ju keni qenë personazhi kryesor i filmit “Vajzat me kordele të kuqe”?

Është thënë kjo, por unë nuk jam personazhi i kordeleve. Aty, nga jeta jonë revolucionare, janë marrë episode të tilla që janë organizuar edhe nga unë, ndoshta, por unë vetë nuk kam qenë në të gjitha këto gjëra. Kështu ishte puna atëherë, rekomandoheshim, në mënyrë që të mos komprometohesha menjëherë. Por ishin të tjera si, për shembull Safo Marko ose Safo Çela, siç i thoshin atëherë, gruaja e Petro Markos, ajo ka qenë e tërbuar dhe asaj i atribuohen thyerja e portreteve të Musolinit, ose shoqe të tjera si Margarita Tutulani, e cila ishte më e urta, ndërsa Ramize Gjebrea ishte e hedhur dhe grisja e flamurit e gjëra të tjera i bënin disa shoqe që kanë qenë shumë të hedhura dhe të komprometuara, gati edhe të paorganizuara. Ato nuk ishin komuniste, nuk bënin pjesë në celulë, ato ishin simpatizante. Puna jonë ishte, në periudhën e pushimit, në vitet e fundit të Institutit ku lamë edhe leximet e Marksit, Engelsit, të shkencës dhe fesë, të merreshim me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Këtu është edhe kthesa e madhe që ndodhi me Luftën Nacional-Çlirimtare.

Si arritët të tregoni faktin që ju ishit komuniste, që ishit e organizuar? Si e treguat në shtëpi këtë?

Ai ishte një problem që atëherë kishte një konspiracion të tillë që nuk njiheshim as ne komunistët me njeri-tjetrin, nuk dinim kush ishin komunistët e tjerë. Vëllai im, që ishte dy vjet më i vogël se unë, ishte komunist. Është qesharake për ta thënë, por edhe e bukur, që edhe ai edhe unë kishim një broshurë të caktuar për komunizmin. Unë timen e kisha futur në këmbët e krevatit të hekurt, e fshihja aty. Duke punuar në shtëpi, kisha ngritur minderin e shtëpisë, gjej një të tillë, që ishte fshehur aty. Dhe pyesja veten:- “Si e kam bërë këtë, unë e kam fshehur tek krevati”. Shkova te krevati për ta kontrolluar dhe e gjej. Aty mora vesh që vëllai im ishte komunist në gjimnaz. Ka qenë bashkë me Piro Kondin, Alqi Kondin dhe ndër të rinjtë e parë që vinin nga organizata e re dhe që u futën në Parti.

Po nëna si e mori vesh për ju të dy?

Nëna ishte mësuar me disa shoqe që i njihte, si Fiqiret Sanxhaktarin/Shehu, Drita Kosturin. Ato ishin shoqet që hynin e dilnin në shtëpinë time kur donim të pushonim, kur bënim mësimet. Domethënë nëna i njihte. Kur Qemal Stafa u burgos, unë mora lidhje me Mihal Durin, një trim. Ai më dërgon një letër nëpërmjet motrës së tij dhe më cakton disa aktivitete, se kur do bëheshin mbledhjet. Ai shkruante dhe këto mi sillte Oli, siç i thoshin shkurt Olimbisë. Nëna nuk e njihte atë dhe e dinte që nuk ishte e shkollës. Kështu që ajo filloi të dyshojë. Unë i fusja letrat në një sirtar të tavolinës së shkollës, se sa kishim marrë tavolinë ngaqë nuk kishim as tavolinë e as krevat, në vitin 1936, ashtu siç hyri edhe elektriku. Ajo e kish hapur sirtarin dhe meqë dinte edhe të lexonte, letrat ishin me dorëshkrim, por ndonjë germë edhe e kuptoi dhe dyshoi për një letër dashurie. Ajo e kishte zakon të më zgjonte në mëngjes, dy herë, tre herë se unë mezi zgjohesha ngaqë lexoja deri në 2 të natës. Ajo më thoshte që dy herë të them, pastaj nuk të zgjoj më. Unë e dija këtë dhe pasi më zgjonte herën e dytë, unë çohesha, pa ngrënë mëngjesin e shkoja në shkollë. Ndërsa atë ditë më la të fle. Kur u kthye e pyeta pse më la të fle dhe ajo më mori, më uli anës vatrës dhe filloi duke më pyetur. Atëherë u detyrova t’i them nënës që ne ishim komunistë. Ua, tha nëna, ngaqë i doli ndryshe nga ç’e kishte menduar, po ne nuk jemi marrë kurrë me politikë, pavarësisht se në familje kishim dajat e nënës që ishte marrë me politikë e që ishin vrarë si Bajo e Çerçiz Topulli. Por nëna u bë shoqja ime më e mirë. Kur erdhi lufta, ajo u bë korriere e Komitetit Qendror, shkonte në Elbasan. Ishte e interesuar të shkonte atje sepse vëllai im u bë ilegal përpara meje. Ai ishte bërë anëtar partie dhe partia i çonte ku të donte njerëzit, kështu që ai shkoi me rininë e Elbasanit dhe nëna bënte një rrugë e dy punë. Shtëpia jonë, megjithëse të dy fëmijët kishin ikur ilegalë, ishte bazë e tre korrierëve, të Vlorës, Korçës dhe Elbasanit. Ajo u bë anëtare e këshillit të lagjes. Babai e nëna u internuan me vendim. Donin edhe mua, por nuk më arrestuan dot.

Si erdhi njohja me Enver Hoxhën?

Dy javë pasi u themelua Partia Komuniste u thirr mbledhja për themelimin e Organizatës së Rinisë Komuniste dhe Rinisë Antifashiste. Për këtë isha ftuar edhe unë dhe në 23 nëntor 1941 shkova në mbledhjen që ishte caktuar në shtëpinë e Bije Vokshit, në Tiranë. Unë isha e vetmja vajzë në 20 delegatët e kësaj mbledhjeje që ishin përfaqësues të 3 grupeve që morën pjesë në bashkimin e komunistëve dhe unë përfaqësoja grupin e Shkodrës. Pra siç thashë, isha e vetmja dhe më e reja mes delegatëve. Në mbrëmje, kur të gjithë ishim prezent, erdhi Enver Hoxha me gjithë Qemal Stafën. Enveri erdhi si i deleguar i Komitetit Qendror Provizor të Partisë dhe Qemali erdhi gjithashtu si i deleguar i Komitetit Qendror, por që ishte i ngarkuar me rininë. Qemali e prezantoi në fillim Enverin jo me emrin e tij, por me pseudonimin Taras dhe pas kësaj, Enveri i ra rrotull tryezës ku ishim mbledhur, toku duart me secilin prej nesh. Kishte ndonjërin që Enveri e njihte se kishin qenë studentë të tij në Liceun e Korçës, përveç ato të grupit të tij. Kur erdhi tek unë, Qemali i tha që kjo është shoqja Delikate për të cilën të kam folur. Pseudonimi Delikate për mua kishte një histori, që ma kishte vënë vetë Qemali sepse unë në grupin komunist isha vajzë e urtë, jo ekspansive, siç ishte Drita Kosturi, që edhe kur dilte vinte kordele të kuqe, ndërsa unë edhe si pamje unë isha jashtëzakonisht e imët.

Çfarë menduat ju kur e patë?

Gjëja e parë, e them sinqerisht, më pëlqeu si pamje, qoftë nga statura, pra kishte një pamje të hijshme. Pastaj u gëzova shumë, ndjeva një kënaqësi të veçantë që ne paskemi një udhëheqës të pjekur sepse u duk në të gjithë punën që u zhvillua aty në atë mbledhje, që ishte një udhëheqës i zhvilluar, i kulturuar.
Për më shumë, të them të drejtën, nuk më shkonte në mendje. Jo vetëm atëherë, por edhe për shumë kohë sepse unë kisha vendosur përbrenda vetes që nuk do angazhohesha me një dashuri, aq më shumë të martohesha, gjatë luftës. E para, sepse nuk kisha vendosur akoma të zgjedh shokun tim, akoma kisha dashuri platonike ose ëndërrime të mia romantike dhe nuk doja të vendosja shpejt. Pastaj, aq më shumë në luftë. Mendoja që lufta është luftë dhe se po të vritej ai që do zgjedhja, unë nuk do martohesha gjithë jetën pastaj. Domethënë e kisha të vendosur këtë gjë, ky ishte koncepti im për dashurinë dhe jetën bashkëshortore. Pastaj mua nuk më shkonte as ndër mend të pyesja nëse ishte i martuar apo jo sepse ne kishim një diferencë, që më vonë e mora vesh, prej 13 vjetësh. Isha vetëm e kënaqur që ne kishim një udhëheqës të tillë. Kjo ishte përshtypja në mbledhjen e parë.

Çfarë e bënte të ndryshëm Enver Hoxhën nga Qemal Stafa dhe njerëz të tjerë që drejtonin në atë kohë?

Me Qemalin, mund të them se, ajo që e ndryshonte ishte mosha. Qemali ishte 19-20 vjeç ndërsa Enveri 30 e pak. Ndërsa si inteligjencë, si kulturë, natyrisht Enveri kishte vite më shumë, ai kishte qenë në Francë ndërsa Qemali ishte akoma një gjimnazist dhe filloi, në vitet e fundit, të shkonte në Firence, domethënë, ishte njeri që lexonte shumë. Natyrat e tyre, të mos futemi shumë hollësisht, ishin pak të ndryshme. Qemali ishte më i hedhur, ekspansiv, i qeshur, me shakara, ndërsa Enveri ishte ndryshe, më i përqendruar, por që i pranonte edhe shakatë, edhe shoqërinë. Pra u bë një miqësi shumë e bukur me Qemalin. Me Koci Xoxen që iu bë krah, që ishte krejt punëtor, teneqexhi, nga jeta e kulturuar ai jo vetëm që nuk njihte, por edhe mendonte sikur këto janë gjëra të borgjezisë, prandaj ishte gdhe, kur i thonë. Tjetër gjë ishte se me shokët shkonte mirë, i trajtonte mirë, deri në fund.

Domethënë Enver Hoxha ishte njeriu që ju mund ta shikonit, mund të ishte dashuria e jetës suaj.

Unë akoma nuk kisha vendosur derisa erdhi koha që edhe unë fillova të mendohem.
Në 12 prill 1942, u bë demonstrata para themelimit të partisë, një datë të fashizmit, si të thuash, që bënin ata ndërsa për ne ishte një nga demonstratat më të mëdha, më të organizuara dhe që u gjakosën njerëz, ndër ta edhe vëllai im, i cili u arrestua, u gjakos. Prandaj, ndoshta nga kjo gjë, pasi u interesova për vëllanë, kisha rënë në sy. Kjo ndodhi në datën 8 prill, ndërsa në 12 prill erdhën të më arrestonte në shtëpi, një milic. Kur ne e pamë milicin, doli djali i xhaxhait tim, që e kisha si vëlla sepse nëna ime e kish rritur pasi mbeti jetim, e i tha që Nexhmija nuk është këtu dhe filloi duke i bërë propagandë:- “Si do arrestosh ti motrën tënde” etj. Ndërkohë, unë ika dhe kjo cakton datën që unë u ndava nga familja dhe fillova jetën ilegale. Shkova tek një kushërirë derisa erdhi darka, orari që unë mund të futesha në shtëpinë bazë të Bije Vokshit ku do zhvillohej mbledhja e rinisë. Enveri, si Sekretar i Tiranës, ishte organizatori i mbledhjes dhe gjatë kësaj kohe, ndërsa do të mbyllej mbledhja, i përcolli dalëngadalë të gjithë dhe unë mbeta vetëm. Natyrisht, më kishte qëlluar dhe herë të tjera që si vajzë e vetme, bashkë me të zonjën e shtëpisë, mbeteshim në fund që të lanim e ta linim në gjendjen të pastër që, në rast se vinte kontrolli, të mos kuptohej që aty ishte bërë ndonjë mbledhje. Kështu që unë u përvesha dhe me gjunjët përdhe fillova të laj me forcë dërrasat me furçë ndërkohë që Bija më hidhte ujë. Enveri rrinte në derë mbështetur, duke vëzhguar dhe aty filloi një debat, një debat me shaka ku ai hodhi batutën:- “Ditke të lash ti” dhe unë që i përgjigjem:- “Epo jam vajzë dibrane” e pastaj ai vazhdoi:- “Epo ju keni shumë ujë, Gjirokastra nuk ka ujë fare dhe është më e pastra”. Pra vazhduam me ngacmime të tilla. Më pas, kur mbaroi puna, më pa të hutuar dhe më pyeti se ku do shkoja, pasi unë nuk mund të kthehesha më në shtëpi, aty nisi nata e ilegalitetit. Unë i përgjigjem që nuk e di dhe ai më pyet:- “Nuk ke daja apo teze?” “Jo”, i thashë unë. Unë kisha kushërinj, por nuk mund të flija te ato sepse mund të mos më pranonin dhe mund të çuditeshin, pse nuk po shkoja në shtëpi. Atëherë ai më tha: “Hajde me mua dhe shkojmë me biçikletë në një bazë timen” pra më kërkoi të hipja në biçikletë, por unë në atë kohë vishesha, trukohesha si ilegale që isha, me kapele, turban, gjyzlykë të zeza ndërsa ai vetë ishte veshur si punëtor, me disa tela të varura në supe. Ai më kërkonte të hipja në biçikletë dhe mua më vinte të qeshja. E para, si mund të hipja unë në biçikletë përpara, nuk e kisha provuar ndonjëherë dhe i thosha:- “Unë si sinjorina, çfarë dua me ty?!” e ai mu përgjigj:- “Hip këtu se nuk kemi kohë, po erret” sepse po vinte ora e ndalim-qarkullimit. Kështu, desha apo nuk desha, hipa në anë të biçikletës dhe shkuam në një shtëpi që është historike për ne, për jetën tonë, në një shtëpi afër shkollës ‘Qemal Stafa’, që i thoshin Centrali Elektrik i Tiranës. Tani ajo shtëpi është prishur sepse unë shkova ta shoh pas çlirimit dhe aty janë ndërtuar ambasadat, që njihet si rruga e ambasadave.

Nexhmije Hoxha 3

Shtëpia e kujt ishte?

Ajo ishte një shtëpi e çuditshme, që nuk kishte oborr, nga rruga futeshe direkt në hajat dhe kishte dy dhoma. Kjo ishte shtëpia e një mikut të Enverit, e Syrja Selfos, i cili e kishte marrë për të fejuarën e tij sepse ai ishte prishur me vëllezërit e tij ngaqë nuk ia pranonin të fejuarën dhe kështu kishte marrë këtë shtëpi ku bashkëjetonin. Kjo shtëpi nuk njihej nga asnjë njeri dhe ai e kishte bërë edhe si bazë të Enverit, bazë e rezervuar ku nuk bëhej asnjë mbledhje dhe që njihej vetëm nga Gogo Nushi, nipi i Enverit, Luan Omari dhe e treta isha unë. Kështu që atë natë unë e kalova aty, fjeta me Bibikën ndërsa Enveri fjeti në dhomën tjetër, jo në krevate por në divane me çulle. Ky ishte takimi i parë, por më pas Enveri kërkonte që unë të shkoja e më ngarkonin që t’i çoja informacione. Pra i pëlqente që të shkoja ose mund të them që edhe mua më pëlqente. Për shembull, kur u vra Qemal Stafa, i cili për mua ishte Sekretari kryesor dhe një nga udhëheqësit që unë e doja dhe e respektoja, edukatori im i parë, u mërzita shumë dhe nuk dija ku të shkoja, prandaj shkova te Enveri. Edhe ai ishte mërzitur shumë, ndenjëm deri vonë duke folur për Qemalin, si e njihja unë e si e njihte ai. Enveri u mundua të më ngrinte pak nga morali sepse unë isha shumë e re dhe këto ishin humbjet e para që po përjetoja. Në darkë erdhën edhe të zotët e shtëpisë, se ishin jashtë dhe na treguan se çfarë po ndodhte.
Në këto takime që bënte Enveri, ai pa që unë po bëja sikur nuk kuptoja, por unë në të vërtetë kuptoja sepse e shihja që gëzohej kur më shihte. E ngacmonte nëna e Gogo Nushit pasi e shihte që gëzohej:- “Enver, çfarë e ke Nexhmijen?” e ai përgjigjej: “Shoqe Valide, shoqe”, me të qeshur. Ose Advija, nëna e Zeqi Agollit, që ka qenë një bazë shumë e rëndësishme, edhe ajo dibrane, më donte shumë dhe i thoshte:- “Çfarë bën kështu, po e përkëdhel shumë” dhe ndoshta ajo dëshironte të ndodhte diçka e tillë. Kështu që një ditë, kur Enveri e pa që unë nuk merrja vesh ose bëja sikur, vendosi të flasë vetë. Një ditë vere më tha, po shtrihem të fle, më zgjo në orën 5. Unë shkova ta zgjoj, por ai në fakt nuk kishte fjetur, ndoshta kishte ndenjur për të marrë vendimin e tij. Aty më bëri propozimin për martesë, një propozim aq prozaik, sa nuk e kisha menduar kurrë. Ai, përpara se të më thoshte shprehimisht të dua, më tha, tek po bëja kafenë që më kishte kërkuar:- “Unë dua të martohem me ty”. Unë ngriva, mbeta aty, duke bërë kafenë, e nuk po lëvizja, ndërsa ai më thotë:- “Po, hë, supë po bën? Ulu këtu se nuk të ha!”, domethënë, u mundua të më shkrifëronte pak. Me kokën ulur, i thashë:- “Unë nuk martohem gjatë luftës”. “Po kush tha që do martohemi në luftë”, -tha ai. “Në fillim do u themi miqve, por mendohu mirë, se ti je e re e kemi diferencë moshe”. Pastaj vazhdoi:- “Por unë nuk mund ta zgjas shumë, se aneja pret, ngaqë jam djalë i vetëm”. Unë nuk iu përgjigja në atë kohë, por kaloi nja një muaj e pak dhe pastaj i ktheva përgjigje:- “Diga e ideve të mia u thye”.

Domethënë qershori i vitit 1942 është në një farë mënyre edhe martesa juaj jozyrtare.

Jo, nuk do ta quaj martesë, madje as nuk më pëlqen ta quaj as fejesë, por u quajt nga familjet sepse ishte si për të zyrtarizuar lidhjen tonë. Unë kërkova në fillim që këtë ta mbanim të fshehtë. Enveri nuk pranoi, tha që do t’i thoshte disa prej shokëve të tij, po ashtu edhe familjeve tona. Kështu që unë u prezantova me anenë dhe motrat, shkova një ditë i takova dhe nëna ime shkoi në një bazë dhe takoi Enverin, e cila në fund mbeti shumë e kënaqur me dhëndrin. Më vonë iu kujtua për atë që ndodhi në fillim të ilegalitetit, kur u vra Qemali dhe që më thoshte, sesi do ia bëja, po vriteshin djemtë dhe një mua më thotë:- “Të paktën të kishe një shok që të të mbrojë”. Mesa duket unë buzëqesha dhe ajo e kuptoi e më pyeti nëse kisha dikë. Unë i përgjigjem:- “E kam një, madje është hoxhë”. “Mos u tall me mua” më tha ajo dhe kur më vonë u takua me Enverin i thashë:- “E shikon që është Hoxhë?” Gjithashtu i thashë 3-4 shoqeve të mia të ngushta, por vetëm këto e dinin. Problemi i madh ishte se, vërtetë u lidhëm, por dashuria ishte e vështirë në kohën e luftës sepse nuk mund të shkonim te njeri-tjetri vazhdimisht, pasi ishim të ngarkuar me aktivitetet tona, nuk mund të shkonim nëpër shtëpitë e botës dhe nuk duheshin bërë pakujdesi për të kompromentuar partnerin, gjëra që kanë ngjarë në atë kohë, që duke qenë të ekspozuar vetë kanë ekspozuar edhe bazën ku janë vrarë shokët.

Marrëdhënia juaj ishte më shumë marrëdhënie letërkëmbimi sesa takimesh?

Takimet ishin të kësaj natyre. Ne takoheshim në të gjitha mbledhjet që kishim të përbashkëta, qoftë këtu brenda, qoftë jashtë.
Nuk kemi jetuar bashkë. Shpesh shkonim tek motra e madhe e Enverit, ku rrinim bashkë, por nuk flinim sepse nuk ishim të martuar. Unë flija në një dhomë tjetër, por rrinim tërë kohës duke biseduar. Në shtëpitë e tjera nuk rrinim dot kështu binim në sy. Vërtetë dashuria lejohej në kohë lufte, ishte fare e natyrshme dhe nuk ndodhi kot që pas çlirimit pati një bum martesash. Ne takoheshim kur shkonim në Pezë, Labinot, Përmet, Berat, Helmës, kudo ku kemi qenë, por kaq ishin takimet tona, nuk kishim kohë të rrinim 2-3 ditë bashkë. Madje kishte raste kur shkonim bashkë në një qytet e nuk takoheshim fare. Prandaj, kjo ka qenë periudha e letrave, e korrespondencave. Kjo ka qenë mënyra sesi e njohëm njeri-tjetrit, përveçse u lidhëm dhe komunikonim. Gjatë kësaj periudhe unë kam pasur 13 letra nga Enveri, edhe unë pothuajse kaq kam bërë ose ndoshta edhe më shumë, por letrat e mia nuk u gjendën sepse në një moment të operacionit të dimrit, i futën letrat e mia bashkë me dokumentet e tjera, nën dhé dhe nuk u gjetën më. Kishin shpëtuar vetëm dy që ishin dorëzuar në arkiv dhe që i kam marrë më vonë. Ndërsa unë i kam ruajtur letrat e Enverit në kushte shumë të vështira si në dërrasat e shtëpisë së Fahrijes ku mbi to flinte, në dyshekë, se as atëherë nuk kishte krevate, Luani me të vëllanë. Kështu i ruajta unë ato letra.

Letra e luftës që më ka bërë shumë përshtypje, është kur flitet për çlirimin e Tiranës, për mënyrën se si ju i shkruani Enver Hoxhës për frikën tuaj se mos Tirana nuk ishte e përgatitur dhe sqarimi i Enver Hoxhës, sesi Tirana do të sulmohej dhe do të çlirohej, një letër mes dy të dashuruarve që flasin për një operacion.

Enveri, duke marrë parasysh moshën time, pasi unë isha një vajzë 20 vjeçare dhe i kërkoja letra më shpesh, më të gjata dhe letra intime, dashurie, ai më shkruante për punën, madje me kritika. Thoshte:- “Çfarë janë ato simite që nxirrni”, për revistat, buletinin e ditës që nxirrnim në Tiranë. Unë kërkoja letra dashurie e ai më thoshte:-“Po unë nuk jam kolegjien, duhet të më kuptosh”, domethënë nuk jam gjimnazist. Letra që ai bën për Tiranën, si të çlirohej, pasi kishte kapitulluar mundësia e çlirimit të Tiranës ngaqë mund të zbarkonin aleatët, ndërkohë që ai kishte ardhur në Pezë, dhe unë, nga ana ime, jo si e qarkorit, i bëja letër tjetër dhe i shpjegoja se Tirana po ziente, se njësitë tona guerile nuk ishin në gjendje për ndihmë dhe të mos i llogarisnin shumë forcat ushtarake partizane.

Fragment nga letërkëmbimi i Enver Hoxhës me Nexhmije Hoxhën

Fragment nga letërkëmbimi i Enver Hoxhës me Nexhmije Hoxhën pak ditë para çlirimit të Tiranës

Në atë letër, në atë moshë që jam, unë i drejtohesha Komandantit të Përgjithshëm të Shtabit, pra ajo nuk ishte letër personale. Enveri, një ditë përpara më kishte bërë një kritikë shumë të rëndë, lidhur me Mukjen dhe unë u dëshpërova shumë, pasi nuk kisha faj në këtë mes, por në një pjesë të letrës ai më ngushëllon duke më thënë:- “Pse e ke marrë kaq keq, kush të kritikon të do” etj., dhe menjëherë më pas shkruan:- “Tani fillojmë nga druri”. Këtë mënyrë kishte ai. Ajo nuk ndodhi, jo se kështu kisha thënë unë, por rrethanat erdhën të tilla, ata nuk zbarkuan. Letrat filluan të bëhen më serioze. Në një raport që më kërkoi mbi gjendjen e organizatës, atij i pëlqeu shumë dhe më tha:- “Ti qenke në gjendje të bësh raporte”, më bëri disa lavdërime. Njëkohësisht, me vrasjen e Misto Mames, që ishte Sekretar Organizativ, u caktova Sekretare Organizative pranë Nako Spiros. Enveri përveç lavdërimeve, më jepte porosi sesi të isha në nivel, por më thoshte:- “Mos të të rritet mendja”, meqë do bëhesha gruaja e tij, pra më kthente menjëherë. Ai ka luajtur një rol gjatë luftës për mua. Pas luftës ndryshoi situata, edhe unë u rrita, u poqa, nuk doja të bija në sy. Nga njëra anë edhe unë këtë koncept kisha për veten time, këtë natyrë dhe kjo është respektuar edhe nga shokët.

Ju u bëtë gruaja e tij, zyrtarisht martesa është bërë në hotel “Dajti”, në janar të ’45-ës. Filluat të jetoni bashkë, u bëtë gruaja e Enver Hoxhës dhe jetuat bashkë ditët e mëpastajme. I mbledhim dot në një përgjigje të gjitha kujtimet?

Ti the dasmë, por dasmë nuk u bë. Madje edhe në shtypin e huaj është shkruar që pritja që u dha në hotel “Dajti”, me rastin e festave të çlirimit të vendit dhe ardhjen e qeverisë në Tiranë, aty është hera e parë që Enveri më mori në krah dhe u shpalla si gruaja e tij. Kanë shkruar që kjo pritje ishte dasma Enverit, por ajo nuk qe për dasmën e tij. Enveri refuzoi të bëhej dasmë, aneja donte të bëhej dasmë, edhe motrat kishin planifikuar të bënin dasmë, por Enveri u tha:- “Jo, ne nuk mund të bëjmë dasmë se akoma kemi dhimbjen e shokëve që i kemi lënë në luftë, nuk na bën zemra të bëjmë dasmë”. Kështu që ai nuk bëri gjë, por aneja dhe motrat nuk hoqën dorë nga disa rite që ka zakon populli ynë, prandaj vendosën të më marrin si nuse.

Fotoja e dasmës së çiftit Hoxha

Fotoja e dasmës së çiftit Hoxha

I kërkuan Enverit makinën e tij, por ai nuk ua dha. Ato morën një llandon, një pajton të rrjepur, me një kalë si të ngordhur, kokulur e me kocka jashtë dhe erdhën të më marrin në shtëpinë time. Unë, nusja, isha veshur me një xhaketë partizane. U bënë ato ceremonitë mes krushqve dhe më dërguan në shtëpinë e Enverit, që e kishim organizuar për të banuar. Në fakt, Enveri nuk ishte në shtëpi të më priste sepse për ne ky ishte një rit artificial, se ne në fakt ishim martuar, nuk ishte e nevojshme të bëhej, por sidoqoftë u bë, shkëmbyem ca dhurata për nusen e mes krushqve. Dasmë nuk u bë, por më 1 janar të ’45-ës, ishte Viti i Ri dhe u organizua ceremonia. Harrova të them që në 31 dhjetor, ne bëmë disa vizita në shtëpinë e oficerëve ku Bashkimi i Rinisë organizonte një mbrëmje ballo. Ndenjëm pak atje, shkuam pak në Teatrin Kombëtar, ku ishin mbledhur të gjithë artistët dhe personalitete të tjera të kulturë, si shkrimtarë etj. Pastaj erdhëm në familje, ndenjëm pak dhe më pas u tërhoqëm në ambientin tonë, në dhomën e dashur të gjumit, ku pushonim dhe ku kemi fjetur 30 vjet të jetës sonë.

Në 30 vjet të jetës tuaj, çfarë bashkëshorti ishte Enver Hoxha?

Një bashkëshort i jashtëzakonshëm, ne gjetëm te njëri-tjetri shumë gjëra të përbashkëta. Gjithë jeta jonë qe dashuri, përkushtim, harmoni dhe me ardhjen e fëmijëve, nuk ndryshoi asgjë. Ka pasur një problem atëherë, sidomos në atë kohë, që me ardhjen e fëmijëve, edhe pse ishte një gëzim i madh, madje shqiptarët edhe pushkë hidhnin, prindërit nuk i përkëdhelnin fëmijët para pleqve. Gjithashtu, që kur një grua nuk është shumë e mençur, vjen një ndërprerje e dashurisë. Në qoftë se burri merret me punët e tij dhe gruaja ia kushton gjithë jetën, gjithë veten e saj fëmijëve, mund të vijë edhe ftohja. Unë kështu e kuptova atëherë. Ardhja e fëmijës është një mrekulli, e bën dashurinë më të lulëzuar, më të bukur, më të qëndrueshme, kur qëndron mbi atë fëmijë që është një qenie e përbashkët. Nuk di ta shpjegoj se çfarë ndjenjash krijohen. Unë këtë e kam kuptuar shumë mirë, e kam trajtuar mirë dhe Enveri ka qenë jo vetëm një bashkëshorti mrekullueshëm, por edhe një baba i mrekullueshëm. Pavarësisht se ai ma la mua rolin e artilerisë së rëndë dhe vetë mbajti atë të lehtën. Nuk u mërzit në asnjë moment, çdo gjë e kemi kaluar bashkë, megjithëse unë mundohesha që ai të mos shqetësohej gjatë këtyre kohëve. Unë kënaqesha, në mbrëmjet që kalonim bashkë. Enveri, gjithë jetën, në çdo moment, edhe në ato më të vështirat, nuk neglizhoi jetën e tij të përbashkët ose kujdesin e tij, dashurinë e tij për fëmijët. Çdo të diel do të uleshim të hanim të gjithë bashkë, në darkë fëmijët duhej të vinin në një orë të caktuar. Bashkë me fëmijët kalonim deri në orën 22:30 momente shumë të gëzueshme, fëmijët i bënin ndonjë masazh te këmbët e ai i lavdëronte ose u tregonte barsoleta. Ishim edhe ne gratë aty afër dhe bëheshim kurioze pse qeshin. Ata qeshnin me të madhe, por e dinim që sa të shkonim në dhomat tona, do ta merrnim vesh arsyen.

Letrat që keni këmbyer me Enverin në këto kohë, tregojnë një njeri që nuk njihet, një njeri të panjohur, për mënyrën se si i shpreh dashurinë gruas së tij apo fëmijëve të tij.

Tani, unë thashë që kishim letrat e luftës, ndërkohë kam edhe 100 e ca letra të letërkëmbimit pas çlirimit. Njëra më e bukur se tjetra. Këto letra janë shkruar vetëm në ato raste kur ne kemi qenë larg njëri-tjetrit, kur shkonte ai në ndonjë vizitë apo pushime të gjata, sidomos kur kisha fëmijët në gji, unë nuk mund ta ndiqja, as për pushime, kështu që ai interesohej. Apo në raste të tjera kur kam shkuar me shërbime jashtë ose kur ka shkuar ai jashtë, gjithashtu edhe në ato 2-3 raste që kam qenë sëmurë e kam shkuar për analiza në Vjenë, Paris, Moskë ku kam bërë edhe operacion. Letrat më të bukura janë të kësaj periudhe, që më shkruante natë për natë. Disa i dërgonte, disa jo, disa i gjeta më vonë. Këto janë letra ku bëhej tamam si gjimnazist, shumë të bukura. Këto letra dhe ato të luftës për mua janë thesari më i çmuar, bashkë me ditarin e tij, këto janë i vetmi thesar që më ka lënë, e jo gjë tjetër.

Në qoftë se në letrat e tij, ai është një njeri pasionant, flet me të gjitha fjalët për gruan e tij, ju jeni një njeri më i tërhequr. Çfarë bashkëshorteje ishit ju?

Unë natyrë të tillë kisha. Sidoqoftë, ai ishte më ekspansiv, unë kam qenë më e përmbajtur. Unë nuk i thosha me fjalë çfarë ndieja përbrenda, por e kam treguar me gjeste dhe ai e ka ndjerë jashtëzakonisht shumë dashurinë që kisha për të, që jo vetëm sakrifikova veten time, por edhe jetën me fëmijët, pra i jam përkushtuar krejtësisht. E ka thënë edhe këtë që, “unë të shkruaj letra të tilla, ti nuk më shkruan”. Më dukeshin si artificiale, pastaj ai ishte udhëheqës, jo vetëm bashkëshort dhe unë shërbimin që i kam bërë, ia kam bërë si bashkëshorte dhe si grua për udhëheqësin.

Si e trajtonit veten në publik, si gruaja e parë e vendit?

Nuk ishte e nevojshme që unë ta shoqëroja Enverin, pasi ai kishte punën e tij, i ra kryq e tërthor gjithë Shqipërisë, e unë kisha punën time, kisha fëmijët për tu kujdesur, kisha filluar studimet me korrespondencë për histori dhe letërsi, këtë e bëmë në pleqëri, donim të kishim nivel dhe këtë e bënë shumë nga shokët. Pastaj unë kam vuajtur edhe nga tëmthi, siç i thotë populli.

Po letrat që CIA ka nxjerrë tani, ku tregon se si gruaja e Enver Hoxhës, është sëmurë dhe çfarë ndodh. Të vërteta janë ato?

Ka diçka të vërtetë edhe aty. E para tregon se përgjimet bëheshin edhe atëherë. Shtëpia jonë ishte e përgjuar, jo me aparate, por dikush nga personeli, sidomos i Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit që na shoqëronte, që hynte e dilte, që kishte lidhje, duhet ta ketë pasur këtë informacion, por që ishte me dy ‘role’, kur i thonë.Nexhmije Hoxha 1

Për shembull, rasti që nxjerr agjenti, që Enveri nuk do dinte çfarë të bënte në qoftë se do vdiste Nexhmija, është diçka që agjenti e ka marrë vesh e do të ketë qenë ndonjë nga shoqëruesit që unë shkova në Vjenë, në Paris sepse edhe pas operacionit që bëra në Moskë, tëmthi im ose mëlçia nuk mori funksionet që duhej dhe kisha disa shqetësime që zgjatën 15 vjet. Prandaj në ditar mund të kesh lexuar që unë kam vuajtur shumë, por nuk kam qenë e sëmurë aq sa të rrija në shtrat. Lidhjet ishin kaq të forta, që në raste sëmundjesh bëheshin akoma më të ndezura sepse Enveri thoshte:- “Se mos sëmuresh, se unë vdes pa ty”. Kështu që unë evitoja të më shikonte Enveri kur sëmuresha dh kur kisha kriza të forta ai nuk e dinte këtë, pasi ikja nga shtrati natën dhe vuaja për dy orë nga shqetësimet, ata që e kanë këtë sëmundje e dinë.

Ju e mbanit larg Enverin, nga hallet familjare, nga problemet, nga sëmundjet e fëmijëve?

Komplet, unë kam pasur përgjegjësi administrimin e shtëpisë. Ai lekët nuk i njihte, madje kur u ndërruan lekët shikonte sa binin financat.

Diskutohej në shtëpinë tuaj për paranë, për pronat, si ishin këto gjërat materiale?

Për sa u përket pronave, i vetmi rast që Enveri i tha babait të vet:- “Tregoja nuses sëndukun tënd”, ai kishte një sënduk të vogël, ku mbante disa dokumente, gjëra të vogla, të prishura. “Pse i mbledh xhaxha?” “Po i dua për këta jetimët” -thoshte. Çfarë të gjente i fuste atje, e kishte si mani. Në Gjirokastër, në një fshat të Dropullit, familja kishte një tokë prej të cilës nuk merrnin gjë. Enveri i mori dokumentet dhe pa i thënë xhaxhait, i grisi dhe i hodhi në oxhak. Xhaxhai u shqetësua:- “Pse more Enver mi dogje” dhe Enveri i thotë:- “Nuk të duhen xhaxha, mbaroi kjo tani”. Ai i dogji dokumentet hipotekare për atë copë tokë që ishte. Qeshin sot fëmijët dhe thonë:- “Edhe atë copë tokë që kishim na e dogji babai, nuk na la gjë”. Ndërsa për lekët, në fillim nuk kishim rroga. Kur u vendosën rrogat, Enveri merrte 36 mijë lekë të asaj kohe, unë 22 mijë, merrnin nga 2 mijë lekët deputetët që ishin në Tiranë dhe që shumë shpejt i hoqën, merrnim vetëm dieta. Më vonë, vetë e vendosi, e kishte lexuar diku, Lenini kishte thënë që udhëheqësi duhet të marrë jo më shumë se gjysma e mesatares së punëtorit, kështu që u ulën rrogat. Ai merrte 16 mijë lekë, unë 11 mijë lekë, njësoj si profesori që kisha nën vartësi në Institut. Kjo solli vështirësi edhe për familjen tonë pasi kishte momente që nuk ia dilnim dot. Njerëzit nuk e besojnë, por unë e kam shkruar në ditar, e shkruar e zeza mbi të bardhë. Vinte marsi- prilli, kur dilnin gjërat e reja, të freskëta, ato ishin më shtrenjtë. Ndërmarrjet i dërgonin prodhimet e para në dyqanin tonë dhe atje do t’i blije. Ata na i dërgonin me kasa, prodhimin e parë të frutave, qershisë, rrushit apo gjëra të tjera. Enveri e kishte vënë veton, që në asnjë mënyrë të mos pranonim dhurata të tilla, thoshte:- “Çojini në dyqan”. Kishte shokë që nuk ia dilnin fare dhe iknin nga dyqani, dilnin përjashta. Kishte muaj kur kishim shpenzime të mëdha, ku unë nuk paguaja qiranë, një muaj ose dy muaj dhe e ndieja veten në faj. Shkoja te përgjegjësi, që ishte një nga anëtarët e Byrosë, një kohë ka qenë Manushi, një kohë ishte Haki Toska, shkoja dhe i thosha nuk jam në gjendje të paguaj. Natyrisht borxh nuk mbetesha. Enveri megjithëse nuk e dinte këtë, më thoshte:- “Mos hyr në borxh”.

Pse e urrente Enveri borxhin, e urrente në shtëpi, e urrente edhe jashtë?

E kishte në gjak zakonin e Gjirokastrës, borxhin nuk e donte, e dinte që borxhi të bënte skllav. Edhe për Titon ashtu thoshte. Kosovarët kanë bërë kaq borxhe me të, madje ata kanë një thënie, “qan fëmija në bark të nënës”, pra kur do paguhen këto borxhe. Ishte e famshme kjo, tregohej dhe si anekdotë në familje, që tregonte se sa kanë qenë kursimtarë, edhe lavdërohej që ishin nikoqirë. Ishte, nga kjo anë.

Librat dhe mbrëmjet tuaja, kur të gjithë largoheshin, janë dy momentet më të rëndësishme mes njëri-tjetrit, librat në krevat dhe bisedat.

Unë thosha me të qeshur se dy shemrat e mia janë duhani dhe biblioteka. Ne nuk kishim grindje, gjëra për familjen, për fëmijët, për masat që duheshin marrë, por i bija shumë në qafë për duhanin, sa më thoshte:- “Lërmë rehat për kokën tënde”, e kishte zakon këtë fjalë ose “o derëbardhë”, siç thonë gjirokastritët. Ai e la vet duhanin, kur u sëmur. Për bibliotekën grindeshim sepse unë pasi e mbaroja librin së lexuari nuk dija ku ta vija sepse mund të kisha harruar vendin ose sepse ai, si relaks, kishte ndërrimin e vendeve të librave, herë sipas tematikës e herë ndryshe. Dhe aty ai më kritikonte, e protestonte:- “Çfarë jam unë, bibliotekari yt që të gjej librat?” Kur ndodhi zbulimi i diabetit, ishte në prag të Kongresit të Partisë, mjeku i tha të linte punën e të shkonte me pushime. “Je në vete, si të shkoj me pushime, mendjen nuk e fus dot në kasafortë, jam i preokupuar”, – i tha. Ose kur i kërkoje të bënte një pushim të shkurtër, ai thoshte:- “Më mirë këtu se kam fëmijët dhe bibliotekën”. Unë i kam quajtur si shemrat e mia këto, ai i donte në mënyrë të jashtëzakonshme. Kur i vinin libra nga jashtë, nga Franca për shembull, kishin një zakon të mirë ata nga Ministria e Jashtme, i dërgonin Enverit nga prodhimet më të mira. Më vonë na humbën fare, pasi e vodhën bibliotekën.

Sa libra kishte biblioteka e Enver Hoxhës?

Kishte nja 45 mijë libra.

Ju lexonit frëngjisht, rusisht?

Italishten e mësova në 8 vjet shkollë dhe vet si të gjithë shqiptarët, pa asnjë pengesë. Frëngjishten e mësova si autodidakte, se në shkollë bëmë vetëm një vit, kur erdhi okupacioni e hoqën fare, por unë e kam mësuar vetë. Natyrisht e praktikova pastaj me Enverin në bisedë, jo me mësime dhe e praktikonim para fëmijëve që bëheshin shumë kureshtare, se çfarë thoshim. Rusishten e mësova vetë, për të folur, për të lexuar revistat, po fare për të shkruar, nuk u ambientova kurrë me ato germa.

A i sillte në shtëpi problemet Enveri?

Një nga gjërat që kam vlerësuar shumë te ai, ishte se ai nuk i sillte preokupimet e zyrës, qofshin këto të mëdha e politike, qoftë edhe sesi kishte kaluar. Ndonjëherë kur hanim bukë, fillonte të tregonte se çfarë ndodhte në zyrë, kush i kishte ardhur. Meqenëse ishte i sëmurë, unë i thosha lëre, e bisedojmë më vonë, ha bukë tani. Rrallë ka marrë dosjet në shtëpi, 2-3 raste që mbaj mend, kur ishte mbledhja e Moskës dhe ku u mbajt qëndrim, është i vetmi rast që punoi ditën dhe natën, për një kohë të gjatë sepse i dukej një vendim shumë i zorshëm për t’u marrë. Këto dosje pune i ka parë edhe Ismail Kadare. Rasti tjetër ishte kur duhej vendosur për hidrocentralin e Skavicës. Ishte i vetmi që organizonte tërë sistemin hidroenergjetik dhe Enveri shikonte edhe anën politike. Peshkopia që kishte tokat më të shëndetshme dhe më të mira, mbytej në ujë. Çfarë do ndodhte me këtë popullsi tradicionalisht të pasur, të mirë, shumë punëtore? Dhe së dyti, kufiri me Jugosllavinë. Në fakt, ai hidrocentral nuk u bë për arsye financiare, më pas. Kur u fol më vonë për këtë ngjarje, unë mora Farudin Hoxhën dhe i thashë; mban mend sa është diskutuar për këtë gjë? Tani dëgjoj që po diskutohet përsëri, shumë, për Skavicën.

Kur u diskutua për fenë, për faktin që Shqipëria do të ishte vend ateist, kishat dhe xhamitë u prishën, ka qenë një vendim personal i Enver Hoxhës? Fliste me ju në darkë për vendime të rëndësishme për Shqipërinë?

Për këtë është folur kur ndodhi, as unë as ai nuk dinim që një gjë e tillë po ndodhte. Ne e kemi thënë dhe kjo është e vërteta, që iniciativa u mor nga poshtë. Natyrisht Sekretari i Partisë së Durrësit, nuk është se nuk e dinte, ndoshta dhe me shkollën Naim Frashëri që mori iniciativën, kishte rënë dakord, se këto gjëra bëheshin edhe në Kinë, që nuk ishte e lejuar një gjë e tillë. Mirëpo një anë tjetër e Enverit ishte se shumë gjëra që merreshin iniciativë nga baza, si për rastin e kooperativave, që propozuan të kthehej nga kooperativë në ndërmarrje, ai e zgjaste shumë që ata të bindeshin vetë dalëngadalë që të mos e bënin.
Pasi kishin filluar me fenë, Enveri bisedoi me Ramizin, si Sekretar i Sektorit Ideologjik, si t’i jepnin zgjidhje, si t’i kundërviheshin rinisë në këtë gjë. Në fund të fundit kishte një vlerë, ishte çështja e edukimit ateist dhe në fund vendosën që të aprovohej një gjë e tillë. Është tjetër gjë që baza shkoi vet në ekstrem. Megjithatë disa ambiente nuk u prishën, por u transferuan në ambiente kulturore. Urdhri që dha Enveri, që të mblidheshin të gjitha ikonat, dha mundësinë e krijimit të Muzeut të Ikonave në Korçë. Kur shkuam një herë në Korçë, ishte një kishë që nuk ishte prishur, por ishte bërë muze, megjithatë, që të mos dukej nga jashtë që ishte kishë, e kishin bërë me mure. Enveri i kritikoi ata. Nga ana tjetër unë nuk jam fare besimtare, jam një ateiste, darviniste, duke filluar nga shkenca e Darvinit, që në rininë time të hershme, por nga ana tjetër kam qenë dhe jam tolerante në këtë drejtim. Tezja ime vinte në shtëpi, rrinte te nëna ime e cila rrinte me mua. Ajo falej 5 herë në ditë, se i kishte ruajtur zakonet dibrane, në diferencë nga nëna që i kishte lënë fare këto gjëra. I thoshte:- “Po u fale, më mirë rri në shtëpi”, ose “Po mbajte Ramazan, mos hajde fare”. Unë e dija që njerëzit besonin. Enveri nuk afrohej me paragjykimet, por ditën e Verës do ua bënte fëmijëve vet, i gjeja mëndafshet e kuq dhe të bardhë dhe ua vinte fëmijëve vet, e ca rite të tjera të Ditës së Verës.

Në fakt, Enver Hoxha nuk besonte?

Jo, nuk besonte, por i respektonte këto adetet.

Me mënyrën se si ai vendoste, çfarë njeriu, çfarë karakteri kishte, ishte një njeri që e vendoste dhe nuk kthehej pas apo i rishikonte vendimet e veta?

E para, nuk vendoste vet, kjo duhet të kuptohet se në kohën e Partisë tonë, vendimet merreshin kolegjialisht. Natyrisht ai e propozonte, pastaj vinte Këshilli i Ministrit sillte propozimin, vendoseshin hollësitë, kishte shumë gjëra plani. Nuk vendoste vetëm Enveri, por edhe për çështje të mëdha, strategjike vendimet merreshin në mënyrë kolegjiale. Enveri reflektonte shumë para se të merreshin vendimet, jo vetëm konsultohej me shokët, por unë nuk kam pse ta mohoj se bisedonte me mua. Unë isha një shoqe e vjetër lufte, me përvojë politike, kështu që i bisedonim këto çështje të politikës së jashtme, të vendit. Për mua ishin tubu, që e kisha kuptuar që nuk më përkisnin dhe që Enveri nuk i zinte me gojë, kanë qenë çështjet e Këshillit të Mbrojtjes, jo të ushtrisë në përgjithësi, por të operacioneve, të planeve, të Këshillit të Mbrojtjes dhe të Sigurimit. Gjithë politika e jashtme, ndërkombëtar lidhur me Shqipërinë, ato diskutoheshin e lexoheshin dy herë në ditë, lajmet e agjencisë telegrafike.

Nuk flisnit për sigurimin e shteti, për dënimet, për internimet, këto nuk përmendeshin?

Jo, janë vetëm legjenda që janë krijuar. Enveri ishte Sekretar Partie në Presidium, nuk them se nuk ishte në dijeni për disa gjëra që bëheshin, por për mua janë shpifje, legjenda. Baza te ne ka qenë më konservatore, se ky kuadri që drejtonte vinte nga fshati, vinte nga lufta dhe niveli kulturor ishte i tillë. Më shumë stigmatizoheshin nga sektarizmi dhe konservatorizmi. Enveri jo. Unë e përmend gjithmonë një shprehje, “C’est la raison d’Etat, que même la raison ne comprend pas”, “Arsyet e shtetit, vetë arsyeja nuk i shpjegon dot”. Unë gjithmonë kështu e kam përfytyruar, që Enveri vendimet më të vështira, si ekzekutimet, i ka bërë si një burrë shteti, i detyruar të bëjë detyrën, por në shpirt, në formim, në ndjenja ai ishte shumë i prekshëm, shumë i ndjeshëm, edhe mund t’i vuante, por ai e kish vendosur dhe ishte kalitur në këtë drejtim. Ai edhe me mua bisedonte për vendimet, por kishte raste që në moment e merrte vendimin. Këtë i vlerësonin shokët, se ata nuk ishin në gjendje, nuk kishin besim në vete. Pastaj ai e dinte detyrën dhe nuk ka gabuar kurrë me vendimet, në asnjë, qoftë edhe më të mëdhatë, qoftë me Hrushovin, qoftë me anijet, me nëndetëset.

Ndalojmë tek një vendim. Nuk mund ta tregojmë gjithë historinë e Shqipërisë, për shembull prishja me Kinën, është bërë debat në shtëpi, është treguar, ka qenë një nga momentet e rëndësishme për ekonominë e Shqipërisë, ishte gati e pamundur të ndodhte?

Çështja e Kinës ka qenë krejt e hapur dhe objekt në bisedat e përditshme. Ditarët e Enverit, unë nuk i shikoja, mbanim të dy ditarë, por në një moment më tha:- “Ulu këtu, të lexoj diçka nga ditarët”. Marrëdhëniet tona me Kinën ishin në kulmin e marrëdhënieve të mira dhe ai më lexoi sesi e gjykonte, sesi e shikonte politikën kineze, se kishte disa gjëra të tjera, me OKB-në, me BS-në, disa pikëpamje të Maos për Stalinin, për filozofinë e tyre, për qeverinë, vlerësonte Çu En Lajn, është i vetmi, thoshte, që kupton diçka nga çështjet ndërkombëtare, kritikonte pavendosmërinë në marrëdhëniet ndërkombëtare, që nuk i shkonte një fuqie të madhe. Ai lexonte dhe unë hapa gojën dhe thashë:- “Ua Enver, po sikur këto t’i lexojë njeri”. Pastaj janë botuar të tëra shënimet, kanë dalë 3-4 libra “Shënime për Kinën”, nga ditari politik. Ai e kishte si natyrë, duhet ky vend i vogël të bëjë këtë kritikë, thoshte.

Çfarë ishte kjo ndjeshmëri, kjo krenari, që edhe pse i përkiste një vendi të vogël, e trajtonte sikur të ishte udhëheqës i një vendi të madh, në një kohë që ishte marrëzi prishja me Kinën, me Bashkimin Sovjetik?

E para, ishte interesi i vendit dhe i kombit. Ishin ata që e prishën marrëdhënien, jo neve, por ama ne insistuam lidhur me ndryshimin e politikës dhe me propozimin që na bënin ata, që ne të lidheshim në aleancë me Jugosllavinë dhe Rumaninë kundër Bashkimit Sovjetik. Ne ishim prishur me Bashkimin Sovjetik dhe nuk na leverdiste që të lidheshim me këto vende. Kina ndryshoi politikën pas Niksonit, që bëmë edhe letrën për Niksonin, e cila u bë objekt i prishjes ose i rezervimit të tyre ndaj nesh sepse e panë që ne nuk mund t’i ndiqnim në politikën në aleancë me Amerikën. Ata hoqën dorë nga Shqipëria që e donin si bazë në Evropë për përhapjen ekonomike, e të tjera, në Shqipëri dhe u afruan me Amerikën. Dhe gjetën sebep, thanë kemi harxhim me Vietnamin dhe juve nuk mund t’ju japim më. Ata na çonin pa para avionë, tanke, aq sa kanë ardhur, kanë ardhur shumë më tepër nga BS-ja, por thoshin nuk mund t’ju japim armatime të rënda se jemi harxhuar me Vietnamin. Pastaj është më praktike që ju t’i merrni në Jugosllavi, nga kjo aleancë kundër social-imperializmit sovjetik. Po si do bënim ne pas gjithë atyre historive me Titon dhe çfarë do bënte Kosova, ku do shkonte? Prandaj, nuk mund ta pranonim një aleancë të tillë. As nuk e gjenim me vend që t’i ktheheshim pavarësisht gabimeve të Maos. Në një takim me delegacionin japonez, Mao tha se ata mund ta rishikonin kufirin me Bashkimin Sovjetik, se kishin një problem ata me disa ishuj. Ne vërtetë jemi kundër Bashkimit Sovjetik, por Japonia është tjetër kamp dhe nuk ishte e mençur kjo, pavarësisht se nuk u bë asgjë.
Enveri hoqi emrin e tij nga një hidrocentral dhe vuri emrin e Maos, kur ishim në prishje dhe unë e pyeta: “Çfarë do të thotë vendosja e emrit të Maos? Lërë se u pëlqen atyre”, thoshte me të qeshur. Për Maon thoshte se na ka mbështetur, por ishte edhe njëri që merrej me ekonominë i cili nuk e donte Shqipërinë, e pengonte, por Mao e zgjidhte, i hapte rrugë.

Kur erdhi prishja e madhe, çfarë tha Enver Hoxha?

Ishim në Pogradec atëherë, erdhi Ramizi dhe pruri atë letrën, e priti me qetësi dhe tha këtë shprehje: “Malet tona më të larta”. E përdorte këtë kur ndodhte ndonjë fatkeqësi.

Cili ka qenë roli juaj në 10 vitet e sëmura të Enver Hoxhës, duke pasur parasysh një diabet 45 vjeçar dhe faktin se flitet shumë që ishit ju që keni udhëhequr kur Enver Hoxha ka qenë i sëmurë?

Lidhur me rolin tim pranë Enverit, është gjithë periudha para sëmundjes, ku mund të them dy fjalë, unë bëja punën time dhe ai bënte të tijën. Nuk kam qenë asnjëherë gjatë kësaj periudhe anëtare e një forumi të lartë partiak ose shtetëror vendimmarrës, por kam qenë gjithmonë në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë, në fillim pas Kongresit të Parë të Partisë, si Drejtore për Propagandën, Arsimin, Kulturë, në kulturë nënkuptoj artin dhe shkencat, pastaj kam kaluar si Drejtore e Institutit. Kam bërë atë punë që ka bërë çdo anëtar i Plenumit dhe si deputete gjatë gjithë legjislaturave. Edhe Plenumi merrte vendime, jam përgjegjëse për ato që kam marrë, por janë me qindra, me mijëra që kanë kaluar aty. Kam hedhur poshtë të gjitha spekulimet që unë gjatë sëmundjes kam marrë vendime për shtetin, është absurde dhe kjo gjë nuk është ngritur vetëm nga njerëz dosido, por edhe nga njerëz me kulturë në përgjithësi, deri te Sali Berisha. Në një delegacion që u bë në Gjermani, kur e pyetën për Enverin ata, tha:- “Ai nuk e ka drejtuar pushtetin, se për 15 vjet e ka drejtuar gruaja e tij, Nexhmije Hoxha”. Unë e kam lexuar këtu në shtypin tonë këtë gjë dhe kjo bëhej me qëllim që të diskreditohej Enveri, për të thënë që kishte mbaruar ai. Është absurde.
Ai ka drejtuar deri në fund. Ka dokumente, ka filmime, ka njerëz, ka doktorë. Ka pasur ditë që ai vërtet ishte i sëmurë, në kriza. Ai bënte jetë spitalore, raste më të mëdha edhe në reanimacion, por kjo është tjetër gjë, që bëhej në shtëpi dhe nuk dërgohej në spital sepse ne nuk kishim klinika speciale për këtë gjë, siç bënte Tito që shkonte në Lubjanë ku edhe vdiq. Unë kam bërë një libër për këtë gjë, “Miqësi e tradhtuar” dhe kam treguar sesi e drejtonte si vendin. Unë, përveç rolit si grua, bashkëshorte kam bërë edhe infermieren, kam bërë monitoristen, për ata që ai nuk i donte në dhomë, i jam përkushtim aq sa nuk kam asnjë peng sepse i kam ndenjur mbi kokë me orë të tëra, deri në mëngjes, pa folur fare, me ditë të tëra ku flija nga dy-tre orë, duke i matur frymën, duke i matur pulsin sepse parashikoja krizën. Kishte raste që e zinte gjumi, kishte raste kur afrohej kriza dhe lajmëroja ekipin e mjekëve dhe e merrnin ata në dorëzim. Prandaj, unë bëhesha ndërmjetëse, telefoniste, sekretare, nuk ka pse të mos isha, isha njeriu më afër. Shokët kishin besim te unë, më respektonin, unë kisha besim të ata dhe përherë më drejtoheshin. Kam letrat e Mehmetit, Hysniut, letrat e Ramizit, që e informonin kohë pas kohe dhe kjo ndodhte vetëm kur Enveri ishte në kriza. Kur ishte më mirë shkonte në zyrë ose i thërriste shokët aty dhe unë nuk isha prezent në asnjë çast se çfarë bënte ai me ta. Pra ky ka qenë roli im. Bashkëpunëtore po, pse jo, unë kam qenë shoqe e vjetër dhe gjithë këto shërbime i kam bërë me shume përkushtim.
Dua ta them publikisht për doktorët, mjekët. Ata më konsideronin mua ndihmëse të tyre, bëja parapjesën e tyre, si të thuash. Qoftë ata, bashkë me Enverin, më kishin vënë emrin Bishá, i cili ishte një mjek autodidakt i shquar francez, që sot, spitali më i madh e më i ri i Parisit, mban emrin e tij. Në dy ditët e fundit, ku erdhi goditja fatale dhe atëherë Enveri humbi vetëdijen, ata i qëndruan minutë për minutë, pa fjetur dy ditë me radhë, 9 deri në 11 prill, deri nga ora 2 e natës. Pastaj firmosën aktin e fundit të vdekjes. Me këtë rast unë dua të falënderoj veçanërisht doktorët Ahmet Kamberin, Sabit Brokajn, Fejzi Hoxhën, Isuf Kalon dhe Ylli Popën, që firmosën aktin e fundit. Por kanë qenë edhe shumë doktorë e infermierë që i kanë shërbyer me shumë humanizëm dhe profesionalizëm të lartë.

Ky ka qenë qëllimi i jetës suaj, t’i shërbenit me përkushtim Enver Hoxhës?

I kam shërbyer me përkushtim dhe ja që doli që unë, si moshë më e re, e përballova këtë.

Si e përballuat ju jetën, që ju solli nga Manastiri në Laprakë?

Unë e marr jetën si më vjen, e kam marrë si më ka ardhur, me të mirat, të vështirat, dhe shumë të vështirat. Megjithatë, nuk kam lënë që të më tërheqë zvarrë. Atë e kam ndërtuar sipas disa koncepteve të mia dhe për këtë gjë më ka shërbyer lufta, kalitja dhe gjithë ato që kam hequr në burgje. Të gjitha këto më bënë mua të jem më gjakftohtë, më e duruar. Njeriu nuk lind me karakter të formuar, mund të marrë diçka nga gjenet e familjes, kush më i qetë, kush më gjaknxehtë, por unë mendoj që të rëndësishme dhe vendimtare janë rrethanat në të cilat jeton ose kalon jetën. Për mua ka qenë lufta ajo që ka vendosur në karakterin tim, të jem më e përmbajtur, më gjakftohtë, të duroj. Lufta më bëri të mposht frikën, që u ndava nga familja, se nuk është e lehtë në atë moshë të shohësh shokët me të cilët ke qenë në mbledhje, ke ngrënë darkë si me Miston, me Qemalin, me Vojon, të dëgjosh në një moment që ata vriten. Çfarë do bësh? Do rrish të qash gjithë kohën? Ne në atë kohë e kishim shumë të qartë, sot ky nesër ne, sot njëri, nesër tjetri. E kishim sakrifikuar veten dhe e kishim për turp të derdhnim lot dhe nuk kishte mundësi, pasi ndodhnin kaq shpesh, mund të shtrëngoje nofullat dhe duart, por kaq. Pastaj unë me Enverin kisha nxjerrë mësime për sfidimin e tij, se edhe në sëmundje qe një sfidat i tmerrshëm, vuajti dhe nuk u ankua, vazhdoi të luftojë deri në fund.

Një javë pas vdekjes së Enver Hoxhës, shkruat një letër që e nisni, “Enver, jeta ime e bukur”. Bashkë me të iku jeta juaj e bukur, erdhën ditë të vështira dhe unë dua të ndaloj te burgu. Kush ishit ju në burg, cila ishte Nexhmije Hoxha në burg?

Të mos flas për të tjerët, pse vajta, e drejtë apo e padrejtë. Burgu është burg. Të mos flas për të tjerët, thashë, se unë bëra tre burgje. Por kur shikon atje, se çfarë kanë shkruar të rinjtë, burgosur në kohën tonë, ose kur je në kontakt me të burgosurit, atëherë krijohet një tjetër përshtypje.

Fragment nga ditari i Nexhmije Hoxhës, një javë pas vdekjes së Enver Hoxhës

Unë e kam krijuar dhe dua ta pohoj publikisht se në burg krijohet një solidaritet mes njerëzve, jashtë motiveve për të cilat janë arrestuar dhe janë në burg, kanë një bashkëpunim, një mirëkuptim, ndihmë reciproke. Mua më thoshin nënë të tërë, këto gjëra të bënin përshtypje. Po tregoj një episod, mes shumë të tjerave që janë. Në fund të korridorit ku kisha unë qelinë, ishte një i burgosur me dënim me vdekje, ishte qeli e veçantë që kishte emrin e vet, dhe sa herë që shkonim në banjë trembeshim se ai me sy të hapur, të mëdhenj, të nxirë nga vuajtja siç duket, ishte si malësor dhe të trembte. Të krijonte edhe mëshirë se ai priste vdekjen dhe unë sa herë nuk i haja ato që më bënin, më mira bukë e djathë e kos haja e ndonjë ushqim tjetër, ia çoja atij. Dhe ai që atje më bërtiste:- “Rrofsh, të rrofshin çunat, faleminderit!”.

Ju nuk keni preferuar të flisni për burgun?

burgu 2

Momenti i daljes nga burgu

Unë kam shumë për të thënë, vendimi është marrë pabesisht se unë bëra 12 seanca hetuesie, ku shkova rregullisht, pa avokat sepse shtatë avokatë nuk donin të më marrin atëherë, nga frika. Më në fund u vendos një avokat nga Ministria, i caktuar nga ata, me të cilin u mirëkuptova shumë, ishte njeri shumë i mirë.

Gjyqi im përfundoi si përfundoi, me emrin “gjyqi i kafeve”. Janë momente që për mua ishte një poshtërim. Kam shkruar shumë, ku mund të botohet më shumë se një libër me korpuse të veçanta, se kam burgun dhe janë tre burgje të ndryshme. E para duke fjetur përdhe, duke mos pasur as banjë, as ngrohje gjithë dimrin, madje as ajrim për mua në behar. Por burg kanë bërë edhe të tjerët dhe unë nuk dua të prek ata që janë burgosur në kohën tonë, nga ne, prandaj kam vendosur të mos i botoj.

Ju pranuat të ma jepnit këtë intervistë, që jo vetëm është intervista juaj e fundit, por është edhe nga të vetmet intime, për shkak se mbushët 95 vjeç. Çfarë prisni ju, në këtë ditë?

Pres të shkoj pranë Enverit, e kam lënë për shumë kohë vetëm. Por në qoftë se kam jetuar deri tani, nuk kam jetuar për veten time, por kam jetuar veçanërisht për të, për të larëNexhmije Hoxha_Final baltën që është hedhur mbi të gjatë gjithë këtyre viteve. Këtë e kam bërë duke shkruar, duke botuar libra të veçantë për të vënë në dukje rolin e tij për Shqipërinë.
Kurse për Enverin, pres që të rehabilitohet Enver Hoxha si udhëheqës i këtij vendi, si burrë shteti, si udhëheqës popullor, i cili bëri që shoqëria shqiptare të ngrihet lartë dhe kam besim se do vijë një ditë që kjo do të bëhet, por unë nuk do të jem atëherë. Sidoqoftë, kam besim tek brezat e rinj të historianëve, qoftë edhe të politikanëve, që do të arrijnë të nxjerrin të vërtetën ashtu siç ka qenë.
Ndërsa për Shqipërinë, unë dëshiroj dhe uroj të dalë sa më shpejt nga kjo gjendje konfliktuale, domethënë të marrë fund stresi i madh që është krijuar në masat popullore dhe të arrihet që për mbrojtjen e vendit të ketë unitet më të madh kombëtar. Për Shqipërinë uroj gjithë të mirat e botës!
Do të doja të falënderoja, në këtë intervistë timen të fundit, të gjithë shokët, shoqet, bashkëpunëtorët e mi, miqtë dhe vëllezërit shqiptarë kudo që janë si dhe gjithë njerëzit e mirë në Shqipëri dhe në vendet mike. Lamtumirë!/dritare.net

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU