Nëse doni dëshmi, i keni para syve…

Nga Skënder Minxhozi/

Ndërkohë që pamjet e përmbytjeve janë rikthyer edhe një herë në gjahun e televizioneve dhe mediave të tjera, Shqipëria ndodhet në mesin e një debati të nxehtë politik, në lidhje me reformën më të madhe dhe më të rëndësishme në 25 vjetët e fundit: reformën në drejtësi. Lajmet që pasojnë njëra-tjetrën këto orë kanë brenda “skizofreninë” e zakonshme të realitetit shqiptar, i cili bëhet veçanërisht gri gjatë sezonit dimëror.

A ka ndonjë lidhje mes reformës në drejtësi dhe përmbytjeve? Kjo është një pyetje që shumëkush mund ta gjejë të sforcuar dhe pse jo, krejt pa vend. Në pamje të parë refoma në drejtësi është një çeshtje që prek gjykatat, prokurorinë, KLD apo edhe marrëdhëniet e politikës e institucioneve me sistemin e drejtësisë. Ndërkohë përmbytjet janë një e keqe që na shoqëron qëkurse shoqëria shqiptare humbi çdo sens përgjegjshmërie dhe vetë-kontrolli, në lidhje me respektimin e territorit dhe të rregullave të menaxhimit të tij.

E megjithatë ka një lidhje të fortë mes të dyjave, nëse e mendojmë pak më gjatë. Madje, më shumë se një. Është pikërisht paaftësia e klasës drejtuese të këtij vendi, që në 25 vend nuk arriti në asnjë moment të korrigjojë shtetin dhe institucionet, me qëllim që shtetasit e tij ta gjejnë “falas” drejtësinë, e jo ta blejnë atë. Ashtu sikurse, për 25 vjet rresht, të njëjtat elita drejtuese lejuan, në emër të “lëvizjes së lirë” të qytetarëve dhe të liberalizimit të jetës sociale e ekonomike, që qindra mijë banorë të zonave rurale të spostoheshin dhunshëm në zonat fushore e grykderdhjet e lumenjve, duke u bërë viktimat e para të çdo vërshimi të mundshëm të lumenjve. Pa folur më pas që po këto elita drejtuese, nuk arritën të ndalin shkretimin e pyjeve, prishjen e infrastrukturave egzistuese hidrike, apo edhe mbylljen e instucioneve të specializuara që studionin këto fenomene në të shkuarën. E gjitha kjo që shohim sot, është një mishmash që bën me faj të gjithë ata që kanë pasur në dorë të ushtrojnë pushtetin e tyre dhe që, ose s’e kanë bërë këtë (në rastin më të mirë), ose kanë bërë gjithmonë zgjedhjen më të keqe.

Reforma në drejtësi dhe fenomeni i përmbytjeve janë sot pretenca më e pamëshirshme ndaj klasës tonë të dështuar politike 25 vjeçare. Mos u lodhni kot me arsyetime e logjika të stërholluara që i fshehin problemet dhe fajtorët. Merrni e shihni se cilët e kanë qeverisur më gjatë këtë vend, e aty do të keni autorët e masakrës në drejtësi dhe në territorin shqiptar. Në të kundërt nga litari, zullumi këputet kur trashet, thotë populli.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU