Nga Andi Malasi
Një elektriçist që vritet pse i ndërpret energjinë debitorit…Policë bashkiakë që rrihen me sende të forta pse pastrojnë trotuaret nga uzurpimi i tregtarëve…Një polic që goditet me grusht nga shoferi që shkeli semaforin dhe rrezikoi jetë, por nuk i erdhi mirë pse u gjobit…Një deputete që ofendon policin rrugor dhe ankohet se u ndalua prej përkatësisë së saj politike…Janë vetëm pak prej ngjarjeve të ditëve të fundit ku qytetarët reagojnë në të kundërten e qytetarisë ndaj “padrejtësive” që u bëjnë punonjësit e shtetit.
Po çfarë padrejtësie bëri ai elektriçisti në Shkodër që detyra ja donte të përplasej me çdo lloj personi, nga zyrtari që e kërcënon me largim nga puna nëse i pret dritat e deri te krimineli dhe i dehuri që i merr jetën? I vetmi faj i tij ishte se bëri detyrën. Por me sa duket ne shqiptarët nuk i duam njerëzit e ndershëm. Si shoqëri bërtasim e ulërasim për drejtësi e shtet ligjor, por kur shteti ligjor na prek interesin atëherë bëhemi si hijena dhe ngremë dorë mbi punonjësin e shtetit. Mbi punonjësit e ndershëm që bëjnë detyrën për të mirën e përbashkët. E kujt i intereson e mira e përbashkët. “Të bjerë shi në arën time”, dhe gjithçka është në rregull thotë populli- për këtë popull.
Shumë e shëmtuar ajo video ku policët bashkiakë përplasen dhunshëm me tregtarët në zonën e Medresesë. Një sjellje shumë e shëmtuar nga të dy palët që hetimet do ta zbardhin se çfarë ka ndodhur. Po, a mund të ligjërohet të vësh dorë mbi funksionarin publik pse ai po kryen detyrën dhe boshatis trotuaret nga uzurpatorët… Pse nuk vihen një ditë të vetme në vendin e një qytetari që “heq picirën” për të kaluar në trotuare të ngjashme në gjithë Tiranën. Apo janë në rregull sepse “shiu bie në arën e tyre…?”
Po ajo deputete që i ngre zërin dhe ofendon policin rrugor pse ai ushtron detyrën (edhe pse mund ta ketë ndaluar padrejtësisht) ku e gjen të drejtën?
A e pyeti veten zonja se ai polic mund të ketë qenë dhe do të jetë sërish votues i subjektit të saj?
E pafalshme dhe e dënueshme për policin nëse e ka ndaluar deputeten për motive politike, por a e nderon zonjën sjellja e saj?
Me siguri që para shefit politik po, për në sytë e qytetarëve aspak!
Po çfarë faji pati ai polic që zonja i tregon hashashin…”Faji” i tij ishte se edhe në këtë rast bëri detyrën por këtë herë i’u desh të përballej me një deputete. Ndoshta nuk ishte hera e parë që detyra e përplaste të përballej me arrogancën e një deputeti, vetëm se këtë herë deputeti dha shembullin e arrogancës dhe hakmarrjes primitive me zë dhe figurë nga e cila vuajme si shoqëri. Shembuj pafund sjelljesh anti-shtet nga qytetari më i thjeshtë e deri tek funksionarët e lartë që shtypin policët me makinat luksoze. Një mjedis ku kaosi është kthyer në normë. Një mjedis ku padrejtësia nuk na shqetëson për sa kohë nuk na prek personalisht, e kur na preket interesi edhe pse jemi në shkelje të ligjit atëherë jemi të gatshëm që t’i marim jetën punonjësit të ndershëm të shtetit pse ai kryen detyrën..
A nuk i meritojmë të gjitha qeveritë që kemi pasur…???!!!