Në vendin e Moza-Lizës

    Nga Ilva Tare

    Kanë ndodhur aq shumë ngjarje këtë javë, sa cdo redaksi lajmesh në botën e qetë skandinave do të na kishte zili. Të vetmit që kanë të drejtë nga Europa e zhvilluar të mërziten me ne janë gjermanët, pasi në Parlament, në debat publik, në rrugë e kafene i përmendin pa kriter herë si fajtorë për eksodin e radhës nga Shqipëria dhe herë si etalon të mirëqenies.
    Në të dyja rastet abuzimi me Gjermaninë bëhet në funksion të përdorimit të një shteti që i thyhet kurrzi në punë dhe duke paguar taksa, nga një shtet ku lulëzon ekonomia informale dhe biznesi i kafeneve. Duket se shqiptarët nuk kanë arritur që në dy dekada të përmbysin thënien e një sipërmarrësi gjerman të fillim viteve ’90 që erdhi në Tiranë të investonte dhe u largua përpara se të rrezikonte paratë e tij duke thënë se gjysma e shqiptarëve kanë hapur lokale bar-kafe dhe gjysma tjetër harxhon kohën duke pirë kafe.
    Në vendin e kafeneve u përmendën këtë të enjte nga foltorja e Parlamentit edhe Moza me Lizën. Të dyja ish drejtore të arsimit, njëra në Tiranë dhe tjetra në Lushnje. Moza e Tiranës u kap duke marrë rrushfet në këmbim të një vendi pune. Liza e Lushnjes u kap gjithashtu duke marrë rrushfet për vend punë. Por dallimi është se Moza nuk pati asnjë pasojë meqenëse ishte më e afërt me partinë në pushtet, ndërsa Liza është në burg bashkë me të birin sekser.
    Arsyet pse ka dy trajtime të ndryshme për të njëjtin krim i shpjegon të qenurit qytetare të një vendi ku politika e përdor drejtësinë si marjonetë. Kur i duhet e ngre shkopin, kur nuk i duhet e ul dhe herë të tjera nuk e lëviz fare vendit. Këto masa merren zakonisht për individë jo dhe aq të fuqishëm sa punëdhënësit e tyre në selitë qendrore të partive dhe sidomos nëse abuzimi nuk i kalon 10 mijë euro. Pasi për raste korrupsioni serioze as politika dhe as gjykata nuk i përdorin gjymtyrët për të vënë në lëvizje ndonjë mekanizëm ndëshkues. Përkundrazi, vihen në funksion mekanizmi promovues, që i vlerëson ata që kanë dorë të rëndë dhe vjedhin për të gjithë dhe ndëshkon më të dobtit që dëmtojnë imazhin e vendit me gjoba të vogla.
    Në vendin e Moza-Lizës këtë javë u fol shumë edhe për moralin. Folën të gjithë. Ata që pëpiqen ta respektojnë si normë shoqërore, por sidomos folën dhe u shqetësuan në kufij ekstremë ata që i thyejnë rregullisht kodet e tij. Pati dhe nga ata që nuk folën, të shokuar nga hipokrizia dhe standardet e dyfishta që janë kthyer në një normë të përditshme. Këta të fundit e menduan disa herë emigrimin nga vendi i Moza-Lizës, por u erdhi keq të largoheshin tamam në ditët kur nga një ishull imagjinar kishte dalë lajmi se do të kryhej funerali i Rilindjes. Dhe po presin. Më shumë nga kurioziteti për të parë nëse këtë radhë autori ka vendosur të ngjallë lëvizjen e mendimit ndryshe, të varrosur pak vite më parë.

    S'KA KOMENTE

    PËRGJIGJU