Në tesha të dekës

Nga Erion Hiluku/

S’ka shumë që një shok i cili jeton jashtë Shqipërisë më kërkoi të shoqëroja nënën e tij në spital. Sigurisht, shkova ta merrja në shpi se ish bërë gati zonja plakë. Jeton vetëm, e shkreta, e zvogëluar si pulëbardhë, aty në shtëpinë e vjetër dikur të mbushur me harenë e fëmijëve, “s’e nuk ia mbyll shpinë djalit”, ajo.

Një valixhe e madhe zinte gjysmën e korridorit. –“I kam ba gati të gjitha”, -më tha. “Hidhi një sy se mos kam harruar gjë”. Kapaku i valixhes gjigante u lehtësua nga hapja e zinxhirit duke ҫliruar një erë të këndshme mollësh. Ndërkohë i hodha një sy shumë kurioz: një kuti pampersa, ҫarҫafë, batanije, pizhamet, rroba, biskota, kavanozë, sapunë, peshqirë madje edhe një jastëk, dhe në fund fare një qese e zezë. “Te ajo e zeza, janë teshat e vdekës se nuk i dihet”. U rrënqetha, por e mora veten shpejt dhe u mundova të bëja shaka, “paske bërë mirë me pampersat, se kur të shkojmë te spitali do të t’i veshi unë”. Qeshi me të madhe siҫ qeshte diku e tridhjetë vjet të shkuara, e unë mendova në atë ҫast, se do të më merrte në krahë si fëmijë.

“Ajo nuk e di se këto janë të panevojshme, madje po të mos e shoqëroja unë do e shoqëronte punonjësja sociale e bashkisë, ose mjeku i lagjes, apo infermjeri, ose punonjësja sociale e qendrës së shëndetit direkt me ambulancën e spitalit. Të gjithë këta që kujdesen, e paguhen, madje për ta vizituar edhe në shtëpi, se ajo është qytetare e nderuar, ish nëpunëse e shtetit në pension dhe që paguan taksa”.

Një roje na drejtoi për në pavion në kat të tretë, pasi kontrolloi “letrat” e nënës ndërkohë që unë merresha me transportin e valixhes. Ashensori nuk punonte, kështu që i hymë shkallëve me nënën përpara që i ngjit vetëm me njërën këmbë. Dikur arritëm e një infermjere na shoqëroi te dhoma. Tre gra të tjera dergjeshin në shtretërit e dhomës, ndërsa nja dhjetë familjarë flisnin me zë të lartë. Nëna e dërrmuar nga lodhja e dhimbjet u ul në një karrige që ia liroi dikush. Iu futa punës për të bërë shtratin. Banja e përbashkët ishte e rrënuar në kuptimin e plotë të fjalës. Era e qelbur që nderej deri në tavanin e rënë, muret e ngrëna e rrubinetat që rridhnin në një kovë të ndyrë të bënin të ndalje frymën, ndërsa të këputeshin gjunjët. Dola që nëna të vishte pizhamet aty.

Dikur erdhi një mjek i ri që i bëri nja dy pyetje, më shumë mirësjelljeje. –“Do të operohesh nesër, mos ki merak”. Dola me vrap pas tij që ta pyesja për detajet e operacionit. –“S’ka problem më tha, mos ki merak”. –Po a do të bëjë një rezonancë apo? –“Ja bëjmë edhe atë po qe nevoja”.

–Po analizat? –“Mos ki merak”, -e sa e konsumuar mu duk kjo shprehje. –Për biopsinë si do bëhet. Nuk ndalonte. “Ҫke ti, -më tha, -edhe biopsinë do ja bëjmë pastaj”. –Ndalu mor burrë, -e ngrita pak zërin pa dashje. -Kush do e bëjë operacionin? Se duhet bërë biopsia aty për aty, apo jo”? –“Ajo nuk bëhet”, -tha i vendosur. “E bëjmë operacion dhe pastaj duke parë e duke bërë. Ka njëzet vjet që nuk bëhet te ne”. Ngela i habitur dhe gati rashë i shokuar. Bëhej para njëzet a tridhjetë vitesh dhe nuk bëhet më tani. Një biopsi e thjeshtë, e shpejtë në bazë të rezultateve, pra nëse është benign ose malign, kirurgu vendos si të vazhdojë. -Ndalu pak doktor i thashë, se nëse nuk bëhet nëna nuk operohet. –“Po ҫke ti, -u mundua të më qetësonte, -duke parë e duke bërë. Kështu i bëjmë ҫdo ditë, nëse nuk del benign e bëjmë prapë pas ca ditësh”. -A ka zgjidhje tjetër, se kështu nuk bëhet. –“Mund të shkosh jashtë shtetit ose në privat”, -tha me gjysëm zëri. Më erdhi keq, e mu dhimbs nëna e shkretë, mu dhimbsën ato qindra nëna që operoheshin si të ishim në luftë, mu dhimbs edhe mjeku i pafuqishëm…

Nëna vendoste me ngadalë rrobat në valixhe ndërsa mundohej të më bindte se nuk donte t’i harxhonte lekët djalit. “Një milion lekë i kam vetë, se kam kursy pensionin tim. I ke në tesha të vdekës”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU