Këto kohë vere Shqipëria po përballet me një problem, që është ai i rritjes së temperaturave. I nxehti afrikan prej thuajse një jave ka mbërthyer vendin, me temperaturat që shkojnë me mbi 35 gradë celsius. Kjo nënkupton një rritje të ndjeshme të temperaturave me të paktën 10-15 gradë.
Por këtë problem shqiptarët duket se e kanë zgjidhur, qoftë me ambiente të freskëta, apo me pushime pranë deteve dhe pishinave.
Megjithatë Shqipëria këto kohë po përballet me një problem që zgjidhja nuk është tek uji. Bëhet fjalë për çmimin e karburantit i cili duket se ka pësuar rritje edhe më të ndjeshme, duke kaluar edhe gradët e temperaturave të të nxehtit afrikan.
Kjo pasi çmimi i naftës varion në vende të ndryshme nga 185-190 lekë/litër. Dhe kjo rritje e menjëhershme e çmimit të naftës ka rënduar jo pak xhepat e qytetarëve, kur mendon që vetëm pak javë më parë nafta shitej me rreth 165-170 lekë/litër. Kjo do të thotë se çmimi i naftës, vetëm brenda pak javësh ka arritur të shtrenjtohet me rreth 18%, që nënkupton një rritje me rreth 20 lekë/litër.
Ironia e kësaj është edhe më e madhe po të mendosh se çmimi i karburantit në tregun evropian në të vërtetë ka pësuar rënie.
Ditët e fundit, një fuçi nafte kushton 56.5 dollarë/fuçi, duke shkuar drejt niveleve më të ulëta të shënuara pak muaj më parë.
Me këtë rritje të çmimit të naftës, Shqipëria ngjitet me 8 vende për çmimin më të lartë në rang global, sipas rankimit të çmimeve të naftës nga ‘Global Petrol Price’.