“Në Pazarin e ri të Tiranës, ku blihet dhe hahet në çdo orë”

“Gambero Rosso”, një nga revistat më prestigjioze të gastronomisë italiane, në numrin e kësaj jave i ka dedikuar një artikull Pazarit të Ri.

Vizita jashtë Italisë e stafit të gazetarëve të “Gambero Rosso”,  kësaj herë është ndalur në Pazarin e Ri të Tiranës, ku siç theksohet në këtë artikull, “blihet dhe hahet në çdo orë”.

Më poshtë shkrimi i plotë i botuar në “Gambero Rosso”

 Pazari i ri, në tregun e ri të Tiranës blihet dhe hahet në çdo orë

 Në sheshin “Avni Rustemi”, në qendër të kryeqytetit shqiptar, “tregu i ri” është atje që nga 1931, por vetëm para pak muajsh, një rikualifikim urban bëri që kjo strukturë dhe sheshi ku ai ndodhet të rinovohen. Me restorante e bare që qëndrojnë hapur përgjatë gjithë ditës, një mbulesë moderne në qelq dhe çelik, fasada të ngjyrosura dhe hapësira të gjera për këmbësorët.

Udhëtimi ynë në kërkim të tregjeve gastronomike më të njohura në Europë e botë, që në të kaluarën na ka çuar shumë herë jashtë Italisë, këtë herë ka ndaluar përtej Adriatikut, në Shqipëri, për të parë se si prej disa muajsh, tregu tradicional në qendër të Tiranës po shndërrohet në një qendër gastronomike dhe turistike të mirëfilltë. Investimi ka qenë i konsiderueshëm, 6.5 milionë euro, por sot imazhi i sheshit “Avni Rustemi”, i parë në kontekstin e një ristrukturimi më të gjerë urbanistik i cili ka përfshirë ndërtesat përreth dhe sheshin “Skënderbej”, flet për një kryeqytet që nuk i trembet modernizmit dhe që pretendon të jetë një destinacion turistik, në të njëjtin nivel me “xhevahirët” e tjerë në Ballkan.

 Pazari i Ri, pak histori

 Sheshi “Avni Rustemi”, tregu më i gjallë në qytet ekziston që nga vitet 30, në kohën kur mbreti Zog vendosi të sistemojë në mënyrë më bashkëkohore tregtarët dhe artizanët që shisnin në atë zonë, duke gjallëruar pazarin e vjetër. Por vetëm në 1940  (në atë kohë, Tirana ishte një provincë italiane) “tregu i ri” i Tiranës –Pazari i Ri do të merrte atë imazh të cilin do e ruante për shumë dekada, deri në rikonstruksionin e kërkuar nga Erion Veliaj, aktualisht në drejtimin e një qyteti që gumëzhin nga kantieret –ku thuhet se janë qindra të tillë dhe që kërkon me çdo kusht të ndërmarrë një drejtim të ri. Në atë kohë, për të ideuar zonën, administrata kontaktoi një skuadër arkitektësh italianë; ndërmjet tyre Florestano Di Fausto, Armando Brasini dhe Gherardo Bosio, arkitektë me zë në fushën e projektimit të shumë ndërtesave publike të Tiranës në gjysmën e parë të 1900. Që nga ajo kohë, Pazari i Ri u kthye në arterien kryesore tregtare në qytet, qendër e grupimit të fshatarëve që vinin nga fshatrat përreth, vend takim i banorëve të Tiranës dhe ku tregtarët e erëzave, shitësit e shpendëve, frutave, erëzave dhe specialiteteve të furrës sillnin atë ndjesinë e pazarit perëndimor e cila përçonte gjurmë të kohërave (pushtimesh e regjimesh) të largëta.

 Rikualifikimi i tregut

 Në 2016, administrata e qytetit projektoi rinovimin arkitekturor të tregut në vend të kompleksit të vjetër, një strukturë moderne në qelq dhe çelik e hapur  në anët e saj, me një mbulesë asimetrike që kujton çatitë e shtëpive tradicionale të Tiranës, projektuar nga Atelier 4. Është një rregull i ri në ideimin e tezgave dhe të infrastrukturës, duke respektuar normat higjienike bashkëkohore  dhe i jep një tjetër frymëmarrje aktivitetit tregtar, tashmë i përqendruar jo vetëm tek shitja, por edhe te pjesa e administrimit dhe e argëtimit. Që prej muajit mars, kur Pazari i Ri u inaugurua zyrtarisht, përmes tezgave mund të shohësh gjithnjë e më shumë turistë të cilët gjejnë rastin të shijojnë specialitetet e kuzhinës tradicionale shqiptare. Markata e Peshkut, për shembull është pika e fortë në kuzhinën e tregut; peshkun mund ta zgjedhësh në tezga dhe gatuhet në moment e më pas mund ta shijosh ulur brenda apo në tavolinat shumëngjyrëshe në sheshin këmbësor, pak metra larg tezgave.

Janë të shumta furrat e bukës, baret dhe lokalet që qëndrojnë hapur deri në mbrëmje vonë, por edhe rostiçeritë që ofrojnë versionet vendase të kebab-it dhe ushqimit të rrugës me bazë mishin, siç janë kofshët e pulës me erëza tipike të guzhinës ballkanike apo llukaniku, salsiçja vendase. Ndërkohë, shndërrimi në zonë pedonale shërben për organizimin e eventeve dhe të aktiviteteve, duke e bërë tregun të gjallojë përgjatë gjithë ditës, edhe në mbrëmje. Sot janë mëse 300 subjekte të cilët kanë vendin e tyre në këtë strukturë të re, 135 tregtarë të fruta-perimeve, 25 janë tezgat që kanë si specialitet tregtimin e mishit e të peshkut, në tregun e restauruar otoman të peshkut. Një hapësirë e veçantë i është dedikuar artizanatit tradicional. Modeli që shumë prej tyre kanë dashur të ndjekin, edhe në këtë rast është ai i Boqueria, në Barcelonë. Sigurisht, fasadat shumëngjyrëshe të pallateve që rrethojnë tregun, në një alternim motivesh dekoruese tradicionalë dhe tavolinat plot me njerëz në çdo orë, e bëjnë vërtet një projekt të denjë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU