Në flakët e Izmirit apo kur e pësonin grekët?!

Nga Ben Andoni

Për një shqiptar të zakonshëm të palexuar, vuajtja e grekëve nuk është se thotë ‘shumë’. I mbushur me një propagandë vrastare, që duhet thënë se nuk është shumë pa shkak, është mësuar që grekët vetëm kanë bërë masakra mbi ne. Dhe, këtu ka një të vërtetë. Jo më shumë por le të kujtojmë ato që kanë ndodhur në Jug të Shqipërisë në vitet ’10, ’20 të shekullit të shkuar, atëherë menjëherë ke ndjesinë se grekët kanë qenë të pamëshirë me fqinjët. Por, historia ka nevojë të shikohet shumë më gjerë, sepse viktima të dhunës dhe të politikave të gabuara të qeverive dhe konjukturat historike i kanë vuajtur të gjithë vendet e Ballkanit. Grekët, po ashtu. Një histori të tillë korale, që i përshtatet dhe gjinisë së romanit, ka zgjedhur shkrimtari grek Dinos Koubatis për romanin e tij të quajtur Në Flakët e Izmirit, botuar pak kohë më parë. Duhet vlerësuar sensi i Botimeve TOENA, që e ka sjellë librin sepse është shumë ndihës për të kuptuar gjerësisht Ballkanin në periudha të ndryshme. Ndërkohë, duket se një vlerësim për këtë libër nga pala shqiptare, e merr dhe përkthyesi i njohur Kristo Pulla, që ka ruajtur më së miri kadencën e gjuhës, rrëfimin dhe ka zgjedhur detyra përkthimi sa i përket leksikut, që përmbledh një areal të madh gjeografik në këtë libër.

Dinos

Rrëfimi i narratorit është në vetën e parë, por autori duket se nuk i shkon shumë si gjini romani. Arsyeja është se kompozicionin e ka zgjedhur në formën e gërshetimit të rrëfimit të dinamikës së një fëmije, derisa ai bëhet burrë, si edhe nën-rrëfimeve në vetën e tretë të gjyshit, babait të tij dhe personazheve të tjera, që zbulojnë kalvarin e një familje nga Izmiri dhe jetën e re në Greqi, përmes kujtimeve të personazhit kryesor. Mbase mund të ishte më e mirë në formën e novelës, por jo romanit, që duhet thënë se të lodh me përshkrimet e gjata dhe dialogun, ku autori shpalos të gjithë punën e tij të madhe, por jo si duhet pjesën artistike, që ka elementë të tjerë. Dominojnë në kompozicion dy linja, ku është rrëfimi i djalit përgjatë rritjes së tij, ndërsa linja tjetër është e ndërvarur dhe vjen përmes personazheve në retrospektivë që tregojnë kalvarin e komunitetit grek në Izmir.

Libri, kështu si është zgjidhur, shumë më mirë, mbase duhej të ishte një monografi e letrarizuar sesa roman. Për këtë të fundit, elementi i kohës luhet ndryshe, kurse në romanin dokumentar përshkohet një rrugë, ku ngjarjet reale përfshijnë dhe personazhe gati të vërtetë. Në vend të kësaj, në këtë libër, kemi rrëfime të pafundme për politikën greke dhe gjendjen e grekëve të Azisë së Vogël, por më shumë se kaq një pjesë historie të Greqisë, që për hir të së vërtetës, paçka skrupulozitetit të bëhet hera-herës monotone.

Nga ana tjetër, duhet thënë se libri e përshfaq autorin si një studiues shumë të kujdesshëm dhe që ka punuar shumë për të rrëfyer të gjithë kalvarin grek të fillim shekullit të shkuar në momentin e një kohe të vështirë për historinë e tyre.

Libri të jep mundësi të kthjellosh njohuritë për vendin fqinj dhe të respektosh mbijetesën e ballkanasve si edhe të gjesh një ngushëllim për vuajtjen. Në shumë raste, shqiptarët besojnë se janë të vetmit që kanë vuajtur, por e vërteta realisht flet ndryshe. Ndërkohë duhet cilësuar dhe një cilësi e autorit, që di të bëjë një balancë të vendimeve të gabuara të qeverisë së vendit të vet, situatën ndërkombëtare dhe shumë më tepër.

“A e kuptoni se Aleatët i imponuan Greqisë që të kërkonte armëpushim në mars të vitit 1992 dhe se nuk e pranuan turqit? E përse t’i lejonim? Apo nuk e dimë se vetë Aleatët furnizonin me armë Qemalin dhe se anglezët e kishin lënë pa ruajtje të gjithë materialin e tyre luftarak në Azi dhe atë e përdornin çetët e trupave të çrregullta turke? E çfarë bënë grekët? Aleatët u dhanë njëmijë e gjashtëqind milionë me kusht që të mbajnë armatën në Izmir dhe të ngujohen aty, pa bërë gjë…Dhe, ata kështu vepruan…” Kështu ka vepruar më së shumi autori duke treguar përmes historisë së familjes që ka ardhur nga Izmiri mes shumë syresh, një kalvar të grekut të thjeshtë.

Vërejtja jonë është se realisht ke shumë njohuri, por ke pak mundësi të bësh sinteza, sepse ato i realizon autori, duke ua ngulur personazheve të tij.

Kjo e zhbalancon disi autorin, kur ndjek dinamikën e personazheve të tij. Ata rriten sakaq, martohen, bëhen me fëmijë dhe në fund ribashkohen me ata që janë ndarë, por shumë më shpejt sesa monotonia e linjës historike, duke ia humbur pak ekuilibrin lexuesit.

Autori i është ruajtur shumë urrejtjes por edhe kur personazhet e tij e tejkalojnë, ai mundohet që në dialog të vendosë përballë situatat, që tregojnë se popujt kudo janë të mirë, kurse të këqijtë s’kanë atdhe por janë pjellë e realiteteve, që nuk varen prej tyre…Kjo është një cilësi tjetër e mirë e tij veç studimit të gjerë që i ka bërë situatës.

Edhe njëherë një vlerësim e merr zgjedhja e Kristo Pullës dhe e TOENA për një libër, që të mëson. Dhe, ajo që na duhet, është realisht të njohim njëri-tjetrin.

Titulli: Në flakët e Izmirit

Autor: Dinos Koubatis

Botimet: Toena

Gjinia: Roman

Përktheu: Kristo Pulla

Faqe: 320

Çmimi: 1.000Lek

dino

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU