Ndrenika ironizon Bashën: Më “hape sytë”, ia vëmë minat bashkë kullave

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi një ditë më parë se nëse mazhoranca i vë minat Teatrit, opozita me ligj do i vendosë minat kullave.

Ai deklaroi se Teatri nuk mund të ndërtohet duke shkatërruar një pjesë të trashëgimisë tonë kulturore, por edhe të Europës, duke nënvizuar se të drejtën për ta shkatërruar këtë pasuri të trashëgimisë kulturore nuk e ka asnjë gjeneratë.

Por përballë këtij qëndrimi të Bashës, ka reaguar aktori Robert Ndrenika, i cili është një ndër firmëtarët që në peticionin e artistëve i kërkohej Presidentit Ilir Meta dekretimin e ligjit për ndërtimin e Teatrit, i cili po dje u kthye për rishqyrtim në Kuvend nga kreu i shtetit.

Me anë të një postimi në Facebook, Ndrenika shkruan, se nëse ndonjë centimetër tokë nga Teatri preket për kulla, ai do i bashkohet opozitës për vendosjen e minave.

Reagimi i plotë i Robert Ndrenikës

“I dashur Zoti Lulzim Basha! Të falenderoj shumë që më hape sytë dhe më rrite vigjilencën në lidhje me bisedimet që kam bërë me kryetarin e Bashkisë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Siç të kam bërë me dije, kam shkelur mbi veten time dhe kam rënë dakord që Teatri të ndërtohet me PPP (ndonëse dhe sot jam i bindur se Teatrin e ka për detyre ta ndërtojë SHTETI SHQIPTAR). E kam bërë këtë dakordësi me kushtin që të mos jepet asnjë centimetër katror për ndërtim kullash dhe për këtë kam marrë besën e shqiptarit. Në rast se shkelet kjo besë (që nuk është e mundur) shpreh gatishmërinë për të marrë pjesë në aksionin e vendosjes së minave për të rrëzuar kullat. Për ta vërtetuar, që nesër jam i gatshëm të minojmë kullën që ka ngritur PPP-ja te stadiumi “Qemal Stafa”. Sa për Piramidën ka më tepër se 10 vjet që shoku Fatos Nano (ish-Kryeministër) na e ka rekomanduar për Teatër por ajo nuk i plotëson kushtet. Personalisht (pak a shumë) i kam kryer detyrat por më vjen keq për të rinjtë qe bien viktima të sherreve politike dhe që ka shumë gjasa ta ngrysin jetën artistike (ndoshta për 70 vjet të tjera) tek i ashtuquajturi “teatër Turbina”. Me respekt Robert Ndrenika./a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU