Ndalimi i gomones me 812 kg drogë në Leçe/ Detajet nga operacioni i dy policive

Autoritetet italiane njoftuan kapjen e një gomoneje me drogë në brigjet e Leçes. Pas operacionit, policia shqiptare ka dhënë detaje në lidhje me aksionin e përbashkët ku u ndaluan dy persona e u shpallën në kërkim dy të tjerë. Gjatë operacioni u sekuestruan 30 pako me kanabis me peshë 812 kilogramë në total.

Nga ana e shërbimeve të Drejtorisë vendore të Policisë Vlorë në bashkëpunim me ato të Drejtorisë vendore të Policisë Kufitare, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve të paligjshme në kufirin blu, në afërsi të Orikumit,  është identifikuar dhe sekuestruar një mjet lundrimi i tipit gomone me dy motora.

Ndërkohë,  nga ana e shërbimeve të policisë kufitare, në afërsi të vendit të quajtur Kepi i Gjuhzës, u identifikua një mjet lundrues i paidentifikuar, i cili lëvizte në drejtim lindje-perëndim.

Në ndjekje të tij u vunë shërbimet e Repartit Special “Delta” dhe të Njësisë së Guardia di Financa në Vlorë dhe njëkohësisht operacioni u koordinua me shërbimet e Guardia di Financa të Barit.

Rreth orë 02.10, shërbimet e Guardia di Financa, në afërsi të Leçes, kanë arritur të identifikojë dhe të ndalojë mjetin e lundrimit tip gomone me motor 250 kuaj fuqi.

U sekuestrua një sasi mariuane  e ndarë në 30 pako,  dhe në pranga u vunë  shtetasit D. A. dhe A. B. 36 vjeç dhe 38 vjeç, të dy nga qyteti i Vlorës.

Autoritetet italiane, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po punon për dokumentimin e plotë veprimtarisë kriminale të personave të arrestuar. /a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU