Nazarko, mos ma hidh këtë gur, se nuk është as e ndershme e as burrërore

Nga Artan Fuga/

U lutem botuesve t’i dërgojnë si dhuratë librat e mi z.Shpëtim Nazarko, mikut tim!

Shumë i respektuari humanistikisht nga unë z. Shpëtim Nazarko, më ka bërë qefin duke bërë një koment për pozicionim tim kur shprehem se jemi mbledhur të gjithë si minjtë buzë Lanës.

E falenderoj që bashkohet me mua për këtë konstatim. Kur mendje logjike si lojë shahu si ai të japin të drejtë kënaqesh sikur ke parë ëndërr se ke mundur Kasparovin, Gorbaçovin,a nuk e di kë tjetër në Vatikan.

Por, nuk jam hiç dakord me të, me këtë burrë të shtruar e patriot, kur thotë se për këtë nuk e ka fajin vetëm klasa politike, por edhe gazetarët, edhe akademikët, madje, shtoj, edhe çiliminjtë.

Pra të gjithë.

Madje edhe unë, a thua se unë kam derdhur ujët nëpër lumenj, a në Lanë, dhe kam përmbytur të gjithë Shqipërinë.

Pra, faji qenka universal.

Unë nuk e di se çfarë faji i gjen vetes miku im, i nderuari Shpëtim Nazarko.

Mos ka bërë ndonjë faj që nuk e di unë mor aman se për vete e mbaj atë pothuajse të pafajshëm, veç përgjegjësive që ka marrë këto pesë vitet e fundit duke bërë kompromise logjike pak më shumë se duhet.

Për gazetarët e di që nuk kanë faj sepse po të bëjnë punën e gazetarit, i heqin pronarët. Unë e di se çfarë u vlon në mendja dhe zemra të paktën gazetarëve që i kam kaluar në duar si ish studentë dhe doktorë.

Unë për vete nuk kam asnjë faj.

Mos më ndëshko, pa më gjykuar, i nderuar Shpëtim, as mos më gjyko pa më hetuar njëherë.

Pastaj m’i prit!

Nuk kam folur e shkruar për atë që do të vinte?

Mos e hidh këtë gurë se nuk është e ndershme. Ne të dy e dimë ende se çfarë është nderi dhe burrëria.

Shpëtim i dashur o të ka lënë kujtesa, o kurrë nuk ke lexuar asnjë punim a kërkim shkencor nga unë.

E pse do t’i lexoje xhanëm!

Nëse sot të ka ardhur dëshira t’i lexosh punimet e mia shkencore të këtyre dy dekadave t’a plotësoj unë qefin.

Po nuk i gjete në librari, a në bibliotekë më thuaj se t’i dërgoj dhuratë.

Dhe jo sot, por ka njëzet vjet që e kam shpallur modelin ekonomik, social, demografik të vendit të dështuar. Lexo vetëm “Shoqëria Periferike” dhe do të bindesh!

Por askush, as ti nuk më ka dëgjuar.

Hajde në ndonjë orë leksioni poqese e ke më të lehtë, mos shko vetëm te ndonjë kacolle pa themel buzë Lane.

Sa për akademikët, e ka fajin ligji për arsimin e lartë, që nuk i kam lënë gur dhe nuk do t’i le gur pa i hedhur përsipër derisa ta rrëzojmë bashkë me ministrinë dhe ata që e drejtojnë. Krimi i atyre që ua morën pushtetin nga duart do 100 vjet të riparohet.

Akademikët e akademisë!!!

Po përpiqemi ta rinovojmë si rithemelim.

Askush nuk na ndihmon.

Se po të ishte ndryshe 1000 studentë dhe intelektualë te dyert e akademisë do të mjaftonin për të bërë presionin që privatizuesit e akademisë t’i lënë akademikët të ngrenë një agjenci që t’i shërbejë Shqipërisë, jo si vend me kolltuqe – krevat për të fjetur e grirë lekët që vijnë nga buxhetet publike.

1 koment

PËRGJIGJU