Na kanë thënë se do ketë protesta

Nga Skënder Minxhozi/

Çdo gjë mund të jetë ky fillim-janari, përveçse preludi i një stine protestash. Fundi i vitit me përgjumjen tradicionale po i le vëndin një atmosfere gri, pa lajme, me të ftohtin dhe borën e zakonshme, pa harruar rikthimin e ngeshëm të njerëzve në vendet e punës. Megjithatë na është njoftuar se janari do të jetë pikënisja e një zinxhiri të gjatë protestash të opozitës, të cilat sipas asaj që pretendohet, do të çojnë dikur drejt rrëzimit të qeverisë.

Një qytetar i vëmendshëm i asaj që thuhet dhe premtohet në komunikatat plot patos të opozitës, do të vinte re pa shumë vështirësi sesa e largët është shkalla e agresivitetit verbal opozitar, nga mefshtësia dhe pasiviteti i ambjentit real shqiptar. Mes asaj që thuhet dhe asaj që (nuk) ndodh është në mes mali i Everestit.

E megjithatë kurdoherë ka vend për të protestuar në një vend normal. Perëndimi demokratik na ka mësuar me rrugët plot protestues dhe me rradhët e gjata të grevave që trazojnë të gjitha shoqëritë e pasura në kohët moderne. Sepse siç e thotë edhe parimi bazë i një demokracie liberale, i sintezituar në mënyrën më të bukur nga Voltaire, “Nuk e aprovoj atë që thoni, por jam gati të jap jetën që të keni mundësi ta thoni”!

Aq më tepër ka vend për të protestuar në Shqipëri. Një vend shumë larg standartit të “normales” sipas perëndimorëve, një vend plot kriza të vjetra e të reja, plot sfida, papunësi, me shtet të dobët e të korruptuar, pa sistem drejtësie eficient dhe me një demokraci ende larg formatit teorik që predikohet në Bruksel apo Uashintgon. E megjithatë, pa ja vënë hiçfare fajin vetëm opozitës, por edhe vetëdijes ende modeste të shqiptarëve përballë të këqiave, duhet të vërejmë se gjendemi përballë një boshllëku. Ku mund të ndodhë gjithçka, përveçse një ngritjeje të popullit, sipas modelit që dëgjohet në fjalimet patetike të parlamentit, gjatë ditëve të enjte.

Po mbushen dhjetë muaj qëkurse Tirana pa nismën më serioze për të krijuar një situatë destabilizuese për shumicën politike në fuqi. Plot njerëz dolën në 18 shkurt, një vit më parë, në bulevardin e madh të Tiranës. Krahu i forcës anoi nga pakica, kurse shumica u tulat për një moment. Veçse gjithçka zgjati vetëm një orë. Aq sa për t’i dhënë iluzionin fals dhe të gabuar organizatorëve, se kjo ishte hera e duhur, duke e futur kësisoj në një tunel prej të cilit s’e kanë marrë ende veten. Çadra u shpalos me shpejtësi para zyrave të Ramës, si për të mos i lënë vend këtij të fundit të mendohet. “Bëhu gati se po vijmë, jemi fare pranë teje”, ishte mesazhi i protestës që numëronte mijërat e njerëzve nga njëri cep i bulevardit deri në tjetrin.

Por ajo që ndodhi më pas ishte kronika e një dështimi të paralajmëruar, për të perifrazuar Markezin. S’ja vlen t’i hyjmë një kronologjie që tashmë e dinë të gjithë, por ja vlen të analizojmë mesazhin e asaj çka ndodhi një vit të shkuar, për të kuptuar se ç’mund të ndodhë në vitin ku sapo kemi hyrë.

Shqipëria nuk ka klimë proteste! Ende jo! Opozitarët që ngulin këmbë nga mëngjesi në darkë për të kundërtën, duhet të shohin veten në pasqyrë dhe më pas të ulen mes vetes, për të bërë listën e asaj që i mungon sot shpirtit të protestës në këtë vend. Fryma egziston, por nuk ka emra dhe ide që ta mishërojnë. Në të kundërt, ka vegjetim dhe bjerrje në shtëpinë e të djathtës shqiptare. E kjo kudo të çon, përveçse tek dallga e madhe e popullit që rrethon qeverinë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU