Myslym Keta, 50 vjet nga vdekja misterioze e atentatorit

Bëmat e tij, të treguara nga shokët e luftës, goja-gojës u shndërruan në “legjenda urbane” në Tiranë, ndërsa vdekja në një aksident automobilistik në vitin 1966 u vesh nga një hije dyshimi. Mbase thjesht për faktin se njeriu që lodronte mes plumbash, me famën e merituar si atentatori më efikas dhe më i frikshëm i njësiteve guerrile të Tiranës, mesa duket ishte “i pavdekshëm”. Është fjala për Myslym Ketën, që u nda befasisht nga jeta 50 vjet më parë.

Nofkën mes vërsnikëve e kishte Tata, por pseudonimin kuptimplotë të luftës ja vunë Drapri. Lindi në vitin 1925 në Tiranë, fillimisht ndoqi Shkollën e Teknike (sot Harri Fulc), dhe më pas Gjimnazin e Tiranës. Por që në moshën 14 vjeçare e “mblodhi mendjen” të angazhohej kundër pushtuesve italianë, ndërsa atentatet e tij u bënë me nam pa i kaluar të 17-at. I ndihmuar, padyshim, edhe nga pamja fëminore e një çunaku ‘mustaqe padirsur’, që infiltrohej pa i rënë kujt në sy. Kohët e jashtëzakonshme prodhojnë njerëz të jashtëzakonshëm, dhe Myslym Ketës i numërohen mbi 60 atentate të suksesshme ndaj fashistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Në këtë shkrim, do numërojmë vetëm disa nga episode më të bujshme që lidhen me emrin e tij.

Aksionet

Një gjest simbolik për t’i bërë përshtypje Myslym Pezës. “Tata” vendos të futet në Kuesturën italiane dhe grabit armën e rojes së këtij institucioni, e më pas ia bën dhuratë Babë Myslymit. Nga të dhënat, Myslym Peza e ka mbajtur çiften edhe disa vite pas çlirimit të vendit, duke e konsideruar si një dhuratë të vyer. Tata ishte mik i Vojo Kushit, komandantit të parë të njësiteve të Tiranës, si dhe i Beqir Ballukut e Gogo Nushit, kreut të Qarkorit të Tiranës. Zakonisht vishej me xhaketë të zezë, a thua se kjo ngjyrë paralajmëronte shenjestrat e rradhës.

Bujë të madhe bëri arratisja e 26 komunistëve të njohur, ndërmjet të cilëve ishte edhe Ali Demi, nga burgu 302. Më 29 prill 1943, episod që është përshkruar edhe në filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”, disa të burgosur hapën realizuan hapjen e një tuneli të nëndheshëm nga brenda qelive të burgut, 14 metra i gjatë. Por dalja ishte e ndriçuar dhe do binin në sy të italianëve. U caktuan Myslym Keta dhe Adnand Qatipi të prisnin telat e dritave në afërsi të centralit, vetëm pak metra larg burgut. Dritat u ndërprenë pikërisht në momentin që 26 të dënuarit po arratiseshin nëpërmjet tunelit të nëndheshëm.

Në fillim të shtatorit 1943 Myslym Keta transferohet në çetën partizane “Dajti”, pasi italianët kishin foton e tij. Por tashmë kishin hyrë gjermanët. Në drejtimin e Myslym Ketës, u ndërmor një aksion në fshatin Skuterrë të Tiranës, ku ndodheshin depot e armatimit italiane, tashmë të braktisura nga kapitullimi. Disa orë përpara, një autokolonë gjermane kishte mbërritur në Elbasan pa rezistencë dhe për këtë ata nuk kishin marrë asnjë informacion. Në mëngjes herët, gjermanët kishin nisur nga Elbasani, një pararojë me disa forca speciale për në Tiranë. Kjo pararojë përbëhej nga dy motoçikleta me mitraloz, para dhe prapa dhe në mes të tyre një veturë dhe një kamion me ushtarë. Nuk vonon dhe lajmëtari vjen menjëherë për lymiitë njoftuar njësitin për një autokolonë. Pikërisht kur autokolona afrohet, Lymi me një qetësi të çuditshme i del përpara dhe i përshëndet bashkë me shokët, duke i përshëndetur, ua bën me dorë që të ndalojnë. Në moment asnjë nga gjermanët nuk reagoi, pasi nuk dinin se me kë kishin të bënin. Që nga Elbasani, gjermanët ishin takuar me forcat nacionaliste, të cilët u kishin thënë se do t’i prisnin ata edhe në hyrje të Tiranës. Nga makina del një kapiten, i cili e pyet Lymin: Nacionalist? Me dinakëri Lymi e tund kokën, duke e aprovuar. Qylafët me shqiponjën e zezë, ja heqin dyshimin kapitenit gjerman. Kështu Lymi hipën në veturë me kapitenin për ti treguar rrugën, kurse shokët e tij hipën në kamion me ushtarët e tjerë gjermanë. Në vend që ti drejtojë ata për në Tiranë, Lymi e fut pararojën gjermane në fshatin Skuterë, tek ish-magazinat italiane ku ishte fshehur pjesa tjetër e çetës. Në postbllok kishin lënë roje me qylafin e Ballit Kombëtar. Sapo pararoja hyn në sheshin e magazinave, çeta fillon të qëllojë nga të katër anët dhe gjermanët nuk patën asnjë mundësi për të reaguar. Sapo arritën afër magazinave, Lymi i kishte vënë pistoletën në kokë kapitenit gjerman dhe në të njëjtën kohë shokët e tij po përlesheshin në kamion me ushtarët e tjerë. Nga magazinat dalin pjesëtarët ë tjerë të çetës dukë qëlluar në ajër, të cilët i kishin marrë masat për rrethim. Ushtarët gjermanë së bashku me kapitenin u dorëzuan pa kushte.

Për luftën e Arbanës, pa ua lëmë fjalët kujtimeve të kapitenit gjerman Herman Frank, që bëjnë fjalë për atë betejë. “Një djalosh na ka habitur për trimërinë që tregoi. Kishte një mitraloz të rëndë në duar dhe na u afrua aq shumë, sa u çuditëm. Disa prej ushtarëve tanë mbetën të vrarë. Më pas ai u tërhoq po aq shpejt dhe na sulmoi përsëri duke na detyruar të tërhiqeshim. Asnjë prej plumbave tanë nuk e zuri atë”.

Në fakt, Drapri përdorte një mitraloz italian Breda, veç një automatiku dhe një pistolete; të tria armët nuk i ndante kurrë.

Sulmi në Teqenë e Sukës, Përmet, si komandant batalioni në Brigadën III, ka të bëjë me raprezaljet e një toge me ushtarë gjermanë që ishte futur në këtë fshat. Ata kishin nxjerrë para skuadrës së pushkatimit 10 fshatarë. Pikërisht në çastin kur pritej vetëm urdhri për t’i zbrazur armët, Myslym Keta me një grup të vogël shokësh, qëllon me breshëri automatiku dhe me granata në drejtim të nazistëve. Shumë prej tyre mbetën të vrarë. Më pas liroi 10 fshatarët që shpëtuan pa asnjë pasojë.

Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm, disa prej batalioneve të Brigadës III do të merrnin pjesë në luftën për çlirimin e Tropojës. Edhe në këto luftime vetë Keta dhe batalioni që ai drejtonte u shqua për heroizëm, çka bëri që pas disa luftimeve të ashpra gjermanët të pësonin humbje të mëdha. Por duke qenë në afërsi të Kosovës vjen urdhri nga Shtabi i Përgjithshëm që Keta të ndjekë forcat gjermane brenda këtij territori. Në një fshat të Junikut zhvillohen luftime të ashpra. Në to përveç forcave gjermane marrin pjesë edhe këtyre banorë të zonës. Pas disa orë luftimesh komandantit Keta i vriten tetë partizanë. Në këtë mënyrë ai u vu në vështirësi përballë sulmeve të gjermanëve. Më pas, në ndihmë të batalionit që drejtohej nga 19-vjeçari, vijnë edhe dy batalione të tjera, po të Brigadës së Tretë Sulmuese. Gjermanët shpartallohen totalisht dhe detyrohen që të tërhiqen më në brendësi të Kosovës.

Pas luftës

Pas çlirimit Myslym Keta ka pasur një karrierë ushtarake të shkëlqyer. Kështu, ai fillimisht emërohet komandant i Gardës Kombëtare dhe i repartit të parë të kavalerisë. Në moshën 22 vjeçare merr gradën kolonel. Në prill 1945, në Kongresin e II të rinisë antifashiste shqiptare, Myslym Keta dekorohet me Medaljet e Trimërisë dhe Kujtimit. Dy muaj më vonë, në Kongresin e rinisë Ballkanike ne Beograd, ai shpallet atentatori më i madh, dhe më i ri, i Luftës së Dytë Botërore, pasi kishte eleminuar me atentate dhe në luftë mbi 300 armiq. Në të dy këto kongrese, Lymi u propozua nga rinia antifashiste për titullin e Heroit Kombëtar, e cila me dekretin Nr 358, në datë 7 korrik 1947 bëhet realitet.

Më pas dërgohet në Bashkimin Sovjetik, për studime në Shkollën e Lartë të Këmbësorisë. Ndërsa në vitin 1954 mbaron me rezultate shumë të mira edhe Akademinë sovjetike të Tankeve, “Frunze”. Pas mbarimit të kësaj akademie, Keta emërohet komandant i Brigadës së Parë të Këmbësorisë që qëndronte në mbrojtje të kryeqytetit. I apasionuar pas armëve, Tata mori edhe titullin e lartë të “Mjeshtrit të klasit të parë” në përdorimin e tankeve.

Aksidenti

Momenti i vdekjes së Myslym Ketës ishte aq i beftë, saqë dyshimet nuk u davaritën kurrë. Niset për në Fushë-Arrës për arsye pune së bashku me shoferin e tij, ushtarin Petrit Topi. Ishte 26 shkurt 1966. Në momentin e kthimit për në Tiranë, makina e cila drejtohej nga Topi, përplaset me një shkëmb gjatë rrugës. Me përplasjen e fortë të makinës, një nga hekurat e shkëputur prej aksidentit ngulet në kokën e ushtarakut të lartë, Lym Keta. Shoferi gjatë këtij aksidenti pëson disa tronditje të forta, por pa rrezik për jetën. Lymi nga ajo përplasje ngeli i plagosur rëndë dhe në këtë gjendje ai urdhëron shoferin të qëllojë në ajër për lajmërimin e aksidentit, por më kot, pasi shoferi ishte i traumatizuar. Myslym Keta duke parë gjendjen e rëndë të shoferit, por dhe agoninë e vet, del nga makina dhe qëllon vetë duke dhënë alarmin. Pas afro 20 minutash, një makinë e rastit i jep ndihmën e parë. Kështu niset për në spitalin e Fushë-Arrëzit. Edhe pse i plagosur rëndë, ai u mbajt pa i humbur ndjenjat deri sa mbërriti në spital. Sipas deshmisë së shoferit që e transportoi, ai mblodhi forcat dhe u ngjit vetë në makinë edhe pse një kokën e kishte të dëmtuar rëndë. Sapo mbërrin në urgjencë, të vetmet fjalë që nxjerr nga goja në formë amaneti ishin, “mos dënoni ushtarin tim, nuk ka faj për aksidentin”.

Lajmi i rëndë mbërriti shpejt në Tiranë. Kështu lajmërohet ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku për aksidentin. Ky i fundit, shok lufte, urdhëroi të dërgohet një helikopter me disa mjekë për t’i transportuar lymitë plagosurit në Tiranë. Por Keta dha shpirt në duart e mjekëve te spitalit te Fushe-Arrëzit. Duke marre vesh si kishte ndodhur situata, Beqir Balluku dha urdhër të dënohet ushtari si përgjegjës i aksidentit. Dhe në fakt kështu ndodhi. Balluku e ndoqi çështjen personalisht. Vetëm atëherë kur u siguruan se problemet ishin mekanike dhe se në timonin e makinës në momentin e përplasjes në fakt ndodhej Myslym Keta, vendosën ta lironin nga burgu edhe ushtarin Petrit Topi.

Po pse mbeten dyshimet? Në rrëfimet e pas viteve 90-të, kur historitë e “mbyllura” po riktheheshin fuqishëm, nisën të dalin në media edhe anë të tjerë të jetës së heroit. Tata kishte rezerva ndaj ndarjes së re që binte në sy mes udhëheqësve dhe njerëzve të vuajtur që ende nuk e kishin shkundur pluhurin dhe barutin e luftës. Në librin e nipit të tij, Drini Pilkati, shpërfaqet teza e eliminimit, duke thënë detaje dhe fakte nga ndjekja e fshehtë që i bëhej Lym Ketës, sidomos pasi Tata, në konferencën e Tiranës më 1956 kishte mbështetur të guximshmin Iljaz Ahmeti, që kritikoi hapur udhëheqjen. Në vijim, pakënaqësia e tij ishte shtuar edhe duke parë raste konkrete të dhunimit të fshatarëve tiranas që kishin ndihmuar me gjithë shpirt luftën.

Myslym Keta, ndërkaq, siguroi një vend në historinë shqiptare si hero i rrallë i luftës. Ai mbeti dhe do të mbetet i tillë.

Dita

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU