Grupi politik i rezistencës iraniane, i njohur ndryshe si Populli Muxhahedin i Iranit (MKO), që vepron në vend qysh prej vitit 1986, është duke lëvizur anëtarët e tij në një bazë të re në Shqipëri, për të vazhduar kështu luftën e tyre kundër regjimit iranian. Nga të dhënat e fundit thuhet se një grup prej 15 personash që udhëheqin MKO, kanë mbërritur në Shqipëri për të ngritur një bazë të re.
Sipas mediave iraniane qeveria shqiptare ka frikë se një kamp i tillë mund të kthehet në dicka të ngjashme me Ashraf Camp në të kaluarën, një bazë për trajnim ushtarak dhe planifikim të operacioneve ushtarake në Iran dhe jashtë vendit.
Ashraf Camp ishte baza kryesore e MKO-s në Irak, e cila në vitet 1980 kishte shumë iranian që u bashkuan me diktatorin e Irakut, Sadam Hussein për të fituar luftën kundër Iranit.
Në vitin 2013 pas një kërkese të Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillari Klinton, Shqipëria ra dakord që të strehojë mbi 200 muxhahedinë të grupimit MKO. Që nga ajo kohë drejt Shqipërisë në fakt kanë lëvizur 400 anëtarë të MKO-s. Pritet që ky numër të shkojë në rreth 500 muxhahedinë.
Massoud Khodabadeh, drejtor i “Interlink”, një organizatë e ish-anëtarëve të MKO-s në Londër ka thënë se Shqipëria është një vend i përkryer për ndërtimin e një baze për muxhahedinët iranian.
“Çfarë vendi tjetër më të mirë mund të gjenit për të ndërtuar një kamp trajnues për terroristët klandestinë se sa Shqipëria? Është një shtet në Europë, por jo pjesë e BE-së. Për këtë arsye nuk është kaq i hapur për monitorim nga komuniteti ndërkombëtar. Është gjithashtu një vend mysliman dhe i njohur për korrupsion dhe bandat mafioze”- ka thënë Khodabadeh.