Muxhahedinët, cilët janë ata që sollën Kerryn në Tiranë?

Strehimi i muxhahedinëse shihet si arsye e pashpallur e vizitës së Kerryt në Tiranë.

Po çfarë janë muxhahedinët?

Elizabeth Rubin, një bashkëpunëtore e Nju Jork Times, e cila ka vizituar në vitin 2003 Kampin Ashraf, ka sjellë një panoramë shumë mistike të grupit, të cilin ajo e sheh si kult për dy “drejtuesit” që adhurohen prej pjesëtarëve të grupit.

Rubin pretendon – ashtu sikundër një pjesë e madhe e mediave botërore – se grupi, veç akteve terroriste kundër regjimit iranian në të cilat mund të ketë vrarë rreth 12 mijë persona, madje plagosur Liderin Suprem, ka vepruar si grup mercenarësh në favor të Sadam Hyssein, i cili i kishte armatosur dhe i paguante sa herë kishte nevojë për ta.

Gazetarja citon udhëheqësen Maryam Rajavi t’u thoshte ushtarëve meshkuj dhe ushtareve femra kur ata u angazhuan për të shtypur kurdët që kishin ngritur krye kundër diktatorit Hysein:

“Kurdët shtypini me tanke, ruajini plumbat për Gardën iraniane”.

The Guardian pohon se një numër i madh i pjesëtarëve, sidomos vajza e gra mbahen jashtë dëshirës së tyre në organizatë. Kjo e fundit funksionon në rregulla të çuditshme.

Anëtarët e saj divorcohen nëse janë të martuar, apo premtojnë që nuk do të martohen kurrë.

Nga ana tjetër, dy drejtuesit janë burrë e grua (foto kryesore), madje për Masut Rajavi thuhet se ia ka “rrëmbyer” gruan një bashkëluftëtari.

Ai kishte shpikur fillimisht divorcin e detyruar të çiftit dhe pasi e kishte bërë Maryanm një bashkëudhëheqëse ishte martuar me të duke pretenduar se nuk mund të punonin bashkë.

Një pjesë e ushtarëve rekrutohen që fëmijë dhe ata mësojnë që të vegjël që vajzat dhe djemtë nuk duhet të kenë kontakte. Të arratisur tregojnë se ndëshkoheshin rreptë në rast të kundërt.

Mjaft prej tyre kanë dhënë dëshmi për rrëfime publike të ëndrrave seksuale, gjë që është parë si mundësi për të zhdukur çdo formë sekrete të individit.

Megjithë çuditë dhe faktin se mund të kemi të bëjmë me një klan sekret dhe ndoshta të dhunshëm edhe për vetë anëtarët e tij, ata nuk shihen të rrezikshëm.

Pjesa më e madhe janë gra apo burra në moshë, apo mjaft të rinj, të cilët sidoqoftë kanë marrë pjesë në luftime dhe një pjesë janë stërvitur si ushtarakë me armë të ndryshme.

Interesant është se njeriu kyç i cili ka lobuar për heqjen nga lista e terrorizmit të kësaj organizate është Tom Ridge, ish-këshilltari i Berishës per çështjet e sigurisë, por edhe nje nga lobuesit kryesorë për ish-qeverinë Berisha në Uashington.

Në një intervistë për NBC ai e justifikonte këtë veprim me fjalën e dhënë në momentet e dorëzimit të armëve në vitin 2003.

“Në vitin 2003 kur ju a dorëzuan armët amerikanëve, atyre ju premtua mbrojtje. I kërkova presidentit Obama që të bindë autoritetet irakiane dhe kryeministrin Al Maliki për të zgjatur qëndrimin e tyre ne kampin Ashraf deri në gjetjen e një zgjidhjeje për strehimin e tyre”, – shprehet Tom Ridge në intervistën e dhënë në rrjetin amerikan NBC.

Ai duket se arriti suksesin e parë me heqjen nga lista e terrorizmit të organizatës dhe duket se ka zgjidhur problemin e akomodimit të një numri muxhahedinësh nga kampi Ashraf, në Shqipëri gjatë qeverisjes së Berishës.

Por që do vijojë edhe me qeverinë Rama me sa shihet.

Ridge ka deklaruar madje se ka plane afatgjata për atë që ai vetë e quan si opozita iraniane dhe që shpreson se një ditë do të rrëzojnë regjimin autoritar në Teheran.

Kjo deklaratë ka ngjallur reagime mjaft të ashpra në Teheran pasi të gjithë muxhahedinët që mbahen në kampin Ashraf konsiderohen jo vetëm nga qeveria iraniane, ende si terroriste.

Pritja e këtij grupi luftëtarësh solli probleme në 2013 në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Iranit.

Shqipëria rrezikoi gjithashtu probleme me Kinën vite më parë kur pranoi një numër të vogël ujgurësh gjithashtu me kërkesë të amerikanëve.

Tom Ridge u zgjodh në postin e sekretarit për Sigurinë Kombëtare në janar të vitit 2003, por më 30 nëntor 2004 ai paraqiti dorëheqjen, duke thënë se pas 22 vitesh punë kishte vendosur t’i jepte më shumë përparësi familjes dhe çështjeve personale.

Ai ishte më 2005-n në Shqipëri për t’u prezantuar si këshilltar i kryeministrit Berisha.

Ridge është shfaqur në atë periudhë në krah të kryeministrit Sali Berisha në takimet qeveritare, së bashku me ministrat, madje edhe me serbo-boshnjakun e shumëpërfolur Damir Fazllic.

Qeveria “Berisha” ka shpenzuar mbi 1.1 milionë USD për të lobuar ndaj administratës, Kongresit dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vitin 2011, 2010 dhe vitin 2007.

Në këto lobime të firmave amerikane nuk përfshihen lobimet që kanë bërë me firmat amerikane në vitin 2009, por kjo nuk lidhet me qeverinë shqiptare, por me partitë politike, të cilat kanë kontraktuar me firmat lobuese amerikane për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Një nga kontratat lidhet drejtpërdrejt me firmën ‘Ridge Global’, LLC në vitin 2007.

Sipas dokumenteve zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë amerikane, rezulton se në vitin 2007, kjo firmë, që përfaqësohet nga Tom Ridge, ka përfituar nga qeveria shqiptare shumën prej 479.973 dollarësh amerikanë.

Zotit Ridge iu dorëzua shuma në dy pjesë, 160.000 USD dhe në 319.973 USD përkatësisht në datat 11.01.2007 dhe në 29.11.2007 – thonë dokumentat zyrtarë të autoriteteve amerikane.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU