Mustafa vë në dyshim dialogun me Serbinë nëse nuk ka viza

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një intervistë për DW ka folur rreth azilkërkuesve, mos liberalizimit të vizave, gjendjen e rëndë ekonomike, protestat dhe gazin lotsjellës, dialogun me Serbinë, Gjykatën Speciale dhe tema të tjera.

Deutsche Welle: Zoti Kryeministër, Ju këto ditë keni deklaruar se nuk do të udhëtoni jashtë vendit pa liberalizimin e vizave. Çfarë nënkupton konkretisht kjo deklaratë, pasi Ju si kryeministër keni dhe detyrimet tuaja ndërkombëtare?

Isa Mustafa: Ne kemi punuar shumë në plotësimin e kritereve dhe më pas rekomandimeve për liberalizimin e vizave. Është bërë një punë e madhe prej vitit 2012 deri më sot. Në shtator të këtij viti është dhënë një vlerësim i komisionit vlerësues dhe është thënë se nga 95 kritere sa ka pasur Kosova, janë plotësuar 87. Ndërsa pjesa tjetër është plotësuar pjesërisht dhe janë dhënë sugjerime se si të plotësohen ato. Ne kemi punuar shumë në këtë drejtim. Tani thuhet se duhen plotësuar edhe disa kritere të tjera, që ne i konsiderojmë si plotësisht të padrejta, sepse janë dyfishuar kriteret për Kosovën në krahasim me vendet e tjera. Ne jemi tani në një situatë shumë të pakëndshme ndaj qytetarëve, sepse ne kemi bërë përpjekje maksimale që të përmbushim të gjitha kërkesat e faktorit ndërkombëtar, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë, që është një proces shumë i rëndë për ne. Serbisë tani për dialogun i është dhënë mirënjohje dhe është hapur kapitulli 35 për rolin konstruktiv në procesin e saj në dialog. Ndërsa ne të cilët praktikisht po bartim të gjithë peshën e dialogut, sepse të gjitha ngjarjet po ndodhin në territorin tonë dhe jo në territorin e Serbisë, po largohemi edhe më shumë, sepse na thonë: punoni ju edhe më shumë e të shohim a po ua liberalizojmë vizat apo jo. Ndërkaq Serbinë po e çojnë përpara. Në këto kushte ne jemi në një situatë shumë të rëndë. Ne nuk mund të shëtisim nëpër Evropë për të dialoguar për Kosovën, përderisa qytetarët tanë janë të izoluar. Kjo do të ishte jo etike. Ndaj ne kërkojmë një përgjigje të qartë të BE, se çfarë do të ndodhë me liberalizimin e vizave.

DW: Por zoti kryeministër Ju keni edhe detyrime ndërkombëtare. Këtu e keni fjalën se nuk do të udhëtoni vetëm për vazhdimin e dialogut, apo në përgjithësi nuk do të udhëtoni jashtë?

Isa Mustafa: Jo, e kam fjalën për udhëtime zyrtare jashtë vendit, sepse neve nuk na takon të udhëtojmë shumë jashtë vendit, përderisa qytetarët tanë janë të mbyllur. Qytetarët nuk janë fajtorë, sepse ata po bëjnë punën e tyre si duhet. Janë kthyer dhe po kthehen edhe ata që kanë dalë jashtë vendit kohët e fundit. Procesi i shpërnguljeve është ndalur. Kemi qytetarë shumë të disiplinuar, që i zbatojnë rregullat evropiane dhe vendore.

 

DW: A do të thotë kjo se dialogu me Serbinë nuk do të vazhdojë deri sa nuk bëhet liberalizimi i vizave?

Isa Mustafa: Ne do të bëjmë përpjekje të marrim një përgjigje nga Bashkimi Evropian se çfarë do të ndodhë me vizat. Ndryshe do ta kemi shumë vështirë që të marrim pjesë në proceset e mëpasshme.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU