Moti i keq/ Reshje shiu dhe dëbore në të gjithë vendin, ja situata sipas qarqeve

Prej 48 orësh vendi është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu në zonat e ulta dhe në formën e dëborës në ato malore.

Ndërsa veriu dhe juglindja e vendit po kalojnë vështirësi si pasojë e dëborës, në zonën e Shqipërisë së mesme gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë reshje të konsiderueshme shiu.

Në zonën e Krujës, lumi Ishëm ka dalë nga shtrati duke përmbytur rreth 200 ha tokë bujqësore në fshatrat Bilaj, Murqin dhe Mallkuç ndërsa rrezikohen të përmbyten edhe disa banesa.

Kjo është hera e dytë brenda dy muajve që ky lum del nga shtrati duke shkaktuar dëme të konsiderueshme te banorët e zonës dhe fermerët. Në nëntor të 2015 bizneset dhe disa banorë të zonës morën vetë disa masa duke vendosur thasë me rërë për të penguar ujin në bizneset dhe banesat e tyre. Por situata u rëndua sërish pas reshjeve të 48 orëve të fundit. Banorët e zonës i kanë bërë thirrje autoriteteve të ndërhyjnë.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit. Mësohet se si pasojë e daljes së lumit nga shtrati në Labinot-­Fushë, janë përmbytur toka, ndërsa rrezikohet dhe një banesë. Sakaq, Shtabi i Emergjencave ka kërkuar evakuimin e kësaj familjeje. Probleme ka pasur dhe në Elbasan, pasi prurjet e përroit të Zaranikës kanë dëmtuar argjinaturën. Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në aksin rrugor Gramsh-Sult. E njëjta situatë është dhe në Fier, pasi janë përmbytur tokat bujqësore në Mbrostar Ura.

Ja zonat problematike në vend nga moti i keq

ku duhet kujdes Në disa rajone të vendit ka pasur reshje dëbore, të cilat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në rrugë. Probleme të tilla janë shfaqur në qarqet e Korçës, Kukësit dhe Shkodrës, kryesisht në akset Korçë­Dardhë, Bilisht­Kapshticë, Krumë­Qafë Prush (Kosovë), Kukës­Shishtavec si dhe Qafë Thore­Theth, në Shkodër. Mjegull e dendur në Rrugën e Kombit nga Rrësheni në Kalimash, e cila shkakton vështirësi lëvizjeje në këtë aks rrugor ndaj policia i bën apel drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes.

Strukturat e Policisë së Shtetit, të Emergjencave Civile dhe pushtetit lokal këshillojnë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes dhe të vendosin zinxhirët në disa akse problematike. Pas monitorimit të situatës dhe masave të marra, në qarqet e lartpërmendura nuk raportohet ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm dhe energji elektrike apo probleme të emergjencave mjekësore.

Në bazë të të dhënave dhe informacioneve të Emergjencave Civile, situta sipas qarqeve më problematikave:

Në qarkun Kukës, mjetet borëpastruese po punojnë për të mbajtur hapur akset Kalimash – Morinë; Kukës – Ura e Zapodit; Krumë – Qafë Prush – Kam ­B.Curri – Valbonë, ku vërehet prezencë e ngricave. Qarku është përfshirë nga reshje të dendura dëbore ku lartësia në qytete shkon: Kukësi 12 cm, Has 25 cm, Tropojë 30 cm. Në lartësitë mbi 700 m lartësia e dëborës varion nga 30 deri në 50 cm.

Në Kukës janë konstatuar probleme me furnizimin me energji në disa lagje. Aktualisht po punohet për normalizimin e situatës.

Në qarkun Korçë, përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në një pjesë të aksit rrugor Korçë – Dardhë.

Në qarkun Shkodër, rrugët në Pukë, Shkodër dhe Malësi e Madhe janë të kalueshme, përveç aksit Bardhoc – Iballë, dhe Bogë – Theth, i bllokuar në vendin e quajtur Qafë Thore ku ka rreth 70 cm dëborë, si edhe në aksin Bardhet – Iballë.

Në aksin Qafë Mali – Fierzë dhe Pukë – Fushë Arrëz, kalimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

Në qarkun Dibër, temperaturat e ulëta sot janë pasuar nga një mot me vranësira dhe reshje lokale shiu. Kujdes duhet treguar në akset nacionale Kala e Dodës – Peshkopi, si edhe në aksin rural rrugor Selishtë – Muhurr. Firmat që mirëmbajnë rrugët kanë nisur hedhjen e skorjes dhe pastrimin e akseve të tjera kombëtare Peshkopi – Kala e Dodës;

Peshkopi – Bllatë; Maqellarë – Ura e Topojanit – Fushë Bulqizë. Në qarqet e tjera nuk ka problematika, nga kushtet e motit.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU