Moti i keq, 1.5 metër borë në Dibër, disa fshatra vijojnë të jenë të bllokuar

Në Bulqizë vijon të jetë një situatë e rënduar nga moti i keq. Shumë fshatra të njësive administrative janë të bllokuar.

Edhe sot minatorët e zonës D nuk arritën të shkojnë në punë.

Në Dibër, trashësia e dëborës në zonat e ulëta arrin në 50 cm, ndërsa në ato të thella dhe malore rreth 1.5 m.

Emergjente është situata në Njësinë Administrative Ostren me rreth 5 mijë banorë, të cilët kanë kërkuar ndihmë pasi mungon energjia elektrike si dhe nuk ka as kujdes mjekësor.

Aksi nacional Peshkopi-Tiranë qarkullohet me zinxhirë. Por situata duket më problematike në rrugët e fshatrave që lidhen me qendrat e banuara si Peshkopi dhe Bulqizë.

Situatë emergjente paraqitet në Pukë, ku disa fshatra janë të izoluar.

Në qarkun e Lezhës dhe në Shkodër qytet reshjet e bores kanë pushuar, por të bllokuar janë Vermoshi dhe Thethi.

Në Korçë vetëm aksi Korçë-Dardhë mbetet i kalueshëm me zinxhirë.

Aksi Librazhd-Peshkopi për momentin është i bllokuar, në fshatin Llange ka rënë një ortek dëbore, dhe po punohet për hapjen e rrugës.

Vazhdojnë të jenë të bllokuara disa fshatra të Librazhdit dhe Prrenjasit ku gjithashtu ka mungesë të energjisë elektrike.

a.cupaj

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU