Mos thoni se Shqipëria u përmbyt

Nga Artan Fuga

Ju lutem përdorni fjalë të edukuara sikurse ju ka hije. Jo vetëm se nuk ju kanë lezet, por edhe sepse na prishni kënaqësinë e kafes që pi cdo ditë me mikeshat dhe miqtë te cepi i rrugicës.

Kafe elbi nga ato që bënin dikur ekspresët e ndërmarrjeve socialiste.

Nuk u përmbyt. Mund ta thoni më me delikatesë.

Shqipërinë e lan dhe e shplan shiu cdo sezon.

Një lloj vetëpastrimi sikurse bëjnë macet e bukura cdo mëngjes. Eshtë një punë vullnetare për bashkinë e Durhanës që bën natyra se ju o njerëz nuk dilni në punë vullnetare.

Shqipëria bëri banjë.

Ose Shqipëria bëri dush, dush që të gjithë njerëzit duhet ta bëjnë cdo të shtunë.

Kishim një kontratë me natyrën, mos me thënë me Zotin, që të na dërgonte shi e të na rriste kapacitetin ujor të baseneve të hidrocentraleve. Kaq ishte e gjitha.

Shiu veçse vaditi pak arat dhe fushat tona që nuk i kanë sistemet e vaditjes në nivelin teknologjik më të përparuar.

Thoni Shqipëria u vadit.

Pra, u la, u shpla, u shndrit, bëri dush, hamam me ujë të ftohtë, u vadit, u llokoçit,

ndaç edhe thoni se bëri pak çiçin si një fëmijë e vogël në pelena.

Si do rritet bebja po nuk bëri këtë?

Kaq ishte e gjitha

Pse thoni fjalën e keqe gjithmonë? U përmbyt!!!

Më përmbytët kafenë e mëngjesit…

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU