Mos i bini më në qafë, Esat Pashë Toptanit!

Nga Mero Baze

Në historinë e politikës shqiptare ka plot akte të rënda ndaj sovranitetit, kur ish Kryeministra, ish Presidentë apo dhe ish Mbretër, janë dashur të justifikohen gjithë jetën për t’u mbrojtur. I është dashur të shpjegohet Sulejman Delvinës, për Luftën e Vlorës, Ahmet Zogu për Shën Naumin dhe Vermoshin, Mustafa Krujës për dorëzimin e Kurorës tek Jakomoni, dhe luftën Italo-Greke, Enver Hoxhë për Kanalin e Korfuzit, etj. Lexoni dhe Esat Pashë Toptanin po deshët. Ka plot kurthe të tij për të marrë pushtetin me çdo kusht duke bashkëpunuar dhe me armiqtë e Shqipërisë. Dhe për këtë e ekzekutuan si qen në mes të Parisit.

Por nuk ka asnjë rast tjetër në historinë e Shqipërisë, që një Kryeministër të lavdërohet që ka dhënë një pjesë të territorit për një shtet tjetër dhe jo vetëm ta mbrojë atë që ka bërë, por të vazhdojë të bëhet avokat i atij shteti kundër Shqipërisë. Ky është Sali Berisha.

Fjalimi i tij i së enjtes në Parlamentin shqptar do të mbetet gjatë në historinë e këti vendi, si një akt i rëndë politik, kur për interesa tërësisht okulte për pushtet, nga një ish Kryeministër, që jo vetëm vetëdorëzon territorin e vendit të tij, por lavdërohet me atë që ka bërë.

Sali Berisha e bëri. Ai mbrojti vendimin e tij për ti dhuruar detin Greqisë, dhe i bëri thirrje shtetit grek të gjejë zgjidhje tek Arbitrazhi Ndërkombëtar kundër qeverisë shqiptare.

Këtë gjë Sali Berisha nuk e bëri kur ishte Kryeministër, edhe pse ishte në pushtet. Përkundrazi, atëhere i terrorizuar se po humbiste pushtetin edhe prej kësaj, hapi fjalë se ai kishte ndikuar vetë tek Gjykata Kushtetuese që ta anullonte vendimin.

Tani siç thotë dhe vetë, ai ka qenë thellësisht i bindur dhe i qartë në vendimin për t’ia falur Greqisë detin shqiptar.

Po përse i duhet të bëjë tani këtë akt prej kamikazi?

Ekzistojnë shumë hamëndje për hallin që e ka detyruar Sali Berishën të shfaqet kaq paturpësisht si ish Kryeministër dhe ish President i Shqipërisë, në pozitat e një mercenari që kërkon të shesë atdheun e tij në shkëmbim të rikthimit në pushtet. Mund të ketë në këtë histori shtrëngime që ai mund të ketë nga fqinji jugor për pazaret që ka bërë me ta. Mund të ketë materiale shtrënguese prej tyre për familjen e tij dhe skandale që mund ta mbajnë nën presion.

Por të gjitha këto nuk mund ta detyrojnë Sali Berishën deri ku arriti.

Deri aty, Atë, e çon vetëm një fuqi që dikton qënien e tij si kafshë politike, ëndrra për t’u rikthyer në pushtet.

Sali Berisha e shikon Greqinë si aleatin më të fortë, më të besueshëm dhe më të dobishëm për të rrëzuar nga pushteti Edi Ramën. Duke tentuar të kapitalizojë tek Greqia dhurimin e “Detit”, ai është duke i kërkuar Athinës të nisë ofensivën politike për të rrëzuar nga pushteti të majtët që ia hoqën dhuratën që u dha Berisha. Ai shpreson se konflikti i Shqipërisë me Greqinë, është e vetmja rrugë që ka opozita të rrëzojë Edi Ramën dhe për t’i dhënë garanci Greqisë se do të jetë në anën e saj, ai për herë të parë në jetën e tij politike ka dalë hapur duke mbrojtur si qëndrim zyrtar të qeverisë së tij Marrëveshjen për kufirin detar.

Lulzim Basha e ka firmosur atë kufi por nuk e ka marrë ende përsipër. Sali Berisha e bëri me aq vendosmëri, sa asnjë Kryeministër grek nuk e ka kërkuar. Dhe shpjegimi llogjik është nevoja që ai ka për konfliktin shqiptaro-grek, si një konflikt mes Edi Ramës dhe Greqisë dhe ai të jetë përfituesi politik .

Edhe pse e di mirë që në anën e atyre që kundërshtuan Marrëveshjen detare ishin SHBA , ai po e bën edhe më të pistë lojën, duke përfshirë në këtë konflikt Turqinë, e cila në atë kohë ishte aleate e Berishës në pushtet, pasi numuronte çantat me familjarët e tij në hidrocentralet që privatizonin në Shqipëri.

Pra Berisha është vetëpërfshirë në një betejë kundër Shqipërisë dhe pro Greqisë në një mënyrë që as Ahmet Zogu nuk iu ofrua ish Jugosllavisë për të përmbysur Fan Nolin. Ahmet Zogu së paku shkoi vetë deri në Beograd, mori disa rusë të bardhë me ndihmën e Jugosllavisë dhe marshoi drejt Tiranës. Sali Berisha, kërkon që Greqia të marshojë mbi Tiranë për ta risjellë atë në pushtet dhe ky në këmbim do t’i riofrojë detin që ja hoqi nga duart Edi Rama.

Një histori të ngjashme ndoshta nuk mund ta gjesh më në asnjë vend të botës. Qoftë dhe për shkak të zhvillimit të botës, nuk ekziston më koncepti i faljes së tokës apo detit për të ardhur në pushtet. Kjo rastësi primitive ekziston vetëm mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe i vetmi që guxon ta bëjë publikisht këtë akt është Sali Berisha.

Prandaj sa herë të flitet për Shqipërinë dhe kufijtë e saj, historia do të përmendë vitin 1913 kur na u caktuan, vitin 2009, kur Berisha tentoi ta na hiqte një copë, me shpresë se Greqia do ta mbante në pushtet dhe vitin 2016, kur Berisha i doli zot tradhëtisë së tij dhe e ktheu në premtim politik për Greqinë. Datat e tjera dhe tradhëtarët dhe heronjtë e tjerë të Shqipërisë janë të parëndësishëm para kësaj. Do të kujtohen natyrisht dhe duartrokitjet plot pathos të grupit parlamenar të PD, si një fotografi e tmerrshme se si duartrokitet një pleh, i cili premton, se nuk vdes pa ja dhënë Greqisë atë copë deti. Dhe Esat Pashë Toptanit mos i bini më në qafë. Këtë nuk e ka bërë. Vetëm se tentoi të bënte shumë më pak se kaq, u vra.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU