Moisiu: Kur PS-LSI janë bashkë kanë rezultat; Të ndahet ‘shapi nga sheqeri’ për 21 Janarin dhe Gërdecin

Ish-Presidenti i vendit Alfred Moisiu shprehet kritik mbi mënyrën se si do të zgjidhet kreu i ri i shtetit. Ai thotë se nuk mund të vazhdohet që të bëhen pazare politike për emërimin e një figure kaq të lartë. I pyetur për  kompetencat e kreut të shtetit, Moisiu nënvizon se figura e presidentit sot është sfumuar dhe është e nevojshme që përpos pushtetit moral t’i jepet mundësia që të ketë edhe atë ligjor.

Në një intervistë për gazetën “TemA, ai flet edhe për reformën në drejtësi ku sugjeron se kjo reformë duhet të nisë nga ngjarjet e mëdha që kanë prekur vendin siç është Gërdeci apo 21 Janari.

Zoti Moisiu, si e gjykoni sot situatën politike në vend? Nëse do ishe përsëri në krye të shtetit, a do të kishit sot një apel ndaj ligjvënësve për ndonjë çështje të caktuar që ju shqetëson?

Sigurisht situata politike tek ne fatkeqësisht gjatë të gjithë kohërave të tranzicionit nuk ka qenë dhe nuk ka se si të jetë ende e qetë.  Unë mendoj se qeveria duhet lëne që të punojë. Sigurisht kur ka defekte apo probleme duhet që të kritikohet  por jo të sulmohet për çdo gjë. Vërtet, ka probleme të cilat mund të kritikohen  por ne duhet të evidentojmë edhe elementet pozitive ku një sërë problematikash kanë marrë zgjidhje. Ne kemi ende kohë përpara për t’ia parë efektet pozitive reformave. Mendoj se ka ministra që të tjera thonë dhe të tjera bëjnë, gjë që kryeministri duhet ta regullojë, të kërkojë dhe të vlerësojë më shumë informacionet që i vinë.

Dhe për çfarë do ta kritikonit nëse do ishit në krye të shtetit?

Është një pyetje shumë hipotetike pasi situatat nuk ngjajnë me njëra-tjetrën. Unë nuk mund të flas sot pasi nuk jam në statusin e një presidenti.  Pra përgjigjia do ishte një goditje e drejtpërdrejtë për kreun e shtetit.
Nuk më duket etike që një ish-president të kritikojë homologët e tij, qoftë  paraardhësit qoftë pasardhësit.

Jeni shprehur pardje pro importit të mbetjeve. Pse besoni që  Shqipëria ka kapacitetet e duhura për ta përballuar kur në vend kemi shumë plehra që gjenden të pamenaxhuara?

Projekti i ka të përcaktuara çfarë lloj materialesh të riciklueshme do të importohen. Problemi  qëndron tek termi, mbetje dhe plehra. Kur themi plehra askush nuk bie dakord se për atë punë kemi mjaft plehra dhe i thonë ta bëjmë Shqipërinë më të ndotur se sa është aktualisht.

Këtu bëhet fjalë për mbetje të riciklueshme, të ambalazhuara dhe të kontrolluara.

Unë kam qenë dhe jam kundra importimit të plehrave në vendin tonë, por nuk jam kundra importimit të mbetjeve teknologjike të riciklueshme. Duhet të kemi parasysh se në vendin tonëtashmë ekzistojnë mbi 40 fabrika, ku janë punësuar mijëra punëtorë. Dhe në këtë situatë dy rrugë janë: ose t’u krijohet mundësia atyre që të vazhdojnë punën ose ata do të shpërngulen në vendet fqinjë ku nuk i kanë këto pengesa si tek ne. Gjykoj që duhet të jemi të kujdesshëm, të mos përziejmë kujdesin dhe vëmedjen për të ruajtur ambientin, gjë që duhet të ekzistojë, me probleme të importit të mbetjeve të riciklueshme që janë të përcaktuara në projekt ligj në mënyrë eksplicite.Ato janë katër:mbetje tëmetaleve, plastikës, letrës dhe  drurit. Kalimi i tyre do të lejohet vetëm në tre pika doganore, për t’i pasur nën kontroll. Këto janë arsyet pse unë e mbështes këtë projekt ligj, dhe do të dëshiroja që politika ka shumë halle boll u mor me këtë problem, ndërsa ajo pjesë e shoqërisë civile që e ka më për zemër është mirë që të arsyetojë më drejtë për këtë rast.

Jemi në prag të zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. A keni një emër konkret që mund të propozoni për president të ri që sipas jush do ta përfaqësonte denjësisht vendin?

Andrea, kjo është një çështje që e zgjidh politika. Mendimi im se ne nuk e kemi në rregull këtë problem pasi sipas meje  Presidenti duhet zgjedhur nga populli, atëhere ne do të kishim vërtet një Kryetar Shteti dhe jo një nënpunës në Presidencë, sikurse kërkojnë politikanët tanë të nderuar.

President me flokë të zinj nuk duhet zgjedhur. Kjo ka një domethënie pasi nuk është thjesht boja e flokëve por është çështje përvoje, çështje mençurie të moshës, është koha kur njeriu i ka zgjidhur problemet e mëdha familjare dhe i mbetet të dedikohet për detyrën, për vendin, për popullin e tij.Zgjedhja e presidentit është në një moment mjaft delikat dhe duhet zgjidhur me përgjegjësi kushtetuese, kombëtare dhe me ndjenjë të lartëpërgjegjësie përpara popullit. Kështu siç veprojmë ne, praktika tregon se nuk kemi qenë shumë të suksesshëm.

Presidenti Nishani është shprehur se mund të kandidojë përsëri, në bazë të rendimentit të punës së tij, a do ishte ai një emër i sugjeruar prej jush?

Ajo është e drejta e tij. Sipas kushtetutës mund të kandidojë për një mandat të dytë.

Çfarë mendimi keni për heqjen e shumë kompetencave të presidentit?  Pse është marrë ky vendim?

Unë mendoj që në kushtetutë duhet të bëhen disa rregullime. Vërtet presidenti ka pushtet moral por duhet të ketë edhe pushtet ligjor. Në zgjedhjet e qeverisë zëri  i tij duhet të jetë më i fortë, veçanërisht për disa ministra si ai i mbrojtjes, i jashtëm dhe i drejtësisë. Kështu siç po veprojmë ne e kemi shndërruar figurën e presidentit në një nënpunës në presidencë, qëpolitikës i intereson ta ketë të tillëpër ta komanduar dhe të bëjë ashtu siç e porosit ajo.  Në këto kushte ai nuk është më një kryetar shteti. Vërtetë e zgjedhin nga parlamenti vendet si Italia, Greqia apo Gjermania, por ata kanë tjetër nivel demokratik dhe tjetër perceptim mbi shtetin, kryetarin e shtetit dhe mënyrën se si duhet të funksionojë shteti.

Ndryshimi i pushtetit nuk është ndërrim i shtetit, pasi në bazë të kushtetutës ka institucione që janë të pavarura.  Ne fatkeqësisht kemi ende gjallë renimishenca të së kaluarës. Siç ka qenë në kohën e komunizmit: Partia mbi të gjitha dhe gjithçka e vendoste ajo. Kjo tendencë e rrezikshme duhet të marrë fund.

Keni deklaruar se zgjidhja e presidentit në vend është kthyer në një pazar politik, për çfarë e keni pasur fjalën konkretisht?

Sigurisht që është pazar politik pasi partitë e zgjedhin presidentin veç për interesat e tyre. Nuk e lejojnë që ai të bëjë detyrën që i takon për të qenë një arbiter i drejtë. Ne në 26 vite kur kemi kriza apo sherre kërkojmë ndihmë nga Bashkimi Evropian apo SHBA-të. Kemi 26 vite dhe tashmë nuk justifikohet që ta kërkojmë nga jashtë. Politika duhet ta kërkojë zgjidhjen tek presidenti pasi ai është kryeplaku i shtëpisë dhe kur një shtëpi ka sherre i zgjidh kryeplaku. Edhe një shtet kështu është, por ama ne duhet ta zgjedhim një njeri të tillë.

Koalicioni PS-LSI duket se ka arritur pikën më të nxehtë ku zëra nga të dyja palët kanë filluar të sulmojnë njëra-tjetrën. Kush është molla e sherrit sipas mendimit tuaj?

Mollën e sherrit tashmë e bëjnë vetë. Kushdo mund ta shpikë një mollë sherri, qoftë PS qoftë LSI, por fakti tregon qëkëto dy parti kur kanëqenëbashkë kanë pasur rezultat. Kur fillojnë sherret rezultati zbehet. Është e drejta e tyre të gjykojnë dhe të vendosin.

Cili është gjykimi juaj mbi reformën në drejtësi?

Reforma në drejtësi është një nga më të rëndësishmet në vend, por fatkeqësisht e kemi ende në letër.  Kryesore është Vettingu, domethënë  filtrimi i figurave nga ana profesionale, nga ana morale dhe nga ana pasurore. Nëse një njeri ka një pasuri më shumë se sa i takon, atëherë del  me pikëpyetje mënyra se si e ka vendosur.
Gjykoj se këto institucione që do të zgjidhen për këtë punë, duhet ta kryejnë në mënyrën më të drejtë. Ka ardhur koha që të hiqet dorë nga stërkëmbshat që i kanë vendosur apo po i vendosin reformës. Ajo do të jetë një gjë e mirë për të gjithë. Do tëjetë fillimi i një katarsisi të politikës dhe shoqërisë shqiptare. Po të arrijmë ta bëjmë si duhet do të jetë një fitore e madhe kombëtare.

Si duhet të bëhet implementimi i saj në gjykimin tuaj? Mendoni se do të jetë zgjidhje për ngjarjet më të mëdha që kanë prekur vendin?

Shpresojmë që implementimi të jetë i drejtë. Sugjerimi im do ishte që shoqëria civile të ketë zë ligjor për  të kontrolluar implementimin e reformës. Të ketë një institucion të përbërë nga përfaqësues të shoqërisë civile.
Besimi publik mbi drejtësinë ka rënë shumë dhe duke pasur një strukturë bazuar mbi shoqërinë civile procesi do jetë më transparent.

Unë  mendoj se reforma në drejtësi do të duhet të fillojë nga 21 janari apo Gërdeci.  Këto janë probleme të mëdha që kërkojnë përgjigje. Të gjithë flasim, si pozitë di opozitë lidhur me këto ngjarje por secili kërkon t’ia lerë përgjegjësinë njëri-tjetrit. Ka ardhur koha të ndahet shapi nga sheqeri dhe  këtë  mund ta bëjë vetëm një drejtësi e pavarur dhe e pa korruptuar, sikurse ajo që po synohet.

Zoti Moisiu, mes dy vendeve Shqipëri-Greqi kohët e fundit ka pasur një marrëdhënie të trazuar. Si e mendoni sjelljen e të dyja-palëve mbi faktorët që e prodhojnë tensionin?

Është e vërtetë që me fqinjët ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi probleme. Gjithmonë unë përdor një shprehje: “Shokun dhe mikun mund t’i zgjedhësh, ndërsa fqinjin ta jep Zoti”. Pra të gjithë duhet të gjejmë mënyrën më të përshtatshme për të bashkëjetuar dhe për t’u marrë vesh. E keqja është se ne vazhdimisht gjatë historisë kemi vuajtur nga ata. Shqipëria nuk ka marrë asnjë centimetër tokë nga askush, ndërsa problemet që këmi pasur ne njihen dhe nuk po i rreshtoj këtu.

Por për fat të keq nuk jemi ne që i nxisim hunjtë për rindezje zjarri. Në se deri tani vetëm kemi duruar, nisur nga situata të ndryshme, kur ne ngremë zërin dhe vetëm zërin, atëherë ne na vërsulen edhe me provokacione nga më të ndryshmet.

Gjithmonë është më e drejtë që gjërat të thuhen me emrin e tyre se vetëm ashtu mund të sheshohen problemet që duhen zgjidhur. Personalisht problemin e Ligjit të Luftës, problemin e Çamëve si dhe probleme të tjera që kemi pasur unë i kam ngritur që gjatë kohës kur isha në krye të shtetit. Dhe sot bëhet mirë që po këmbëngulet më shumë që këto gjëra të diskutohen me ndeshmëri dhe të zgjidhen. Është detyrë e pashmangshme e politikës jo të ndezë zjarre por me përgjegjshmëri dhe drejtësi çdo gjë ta vendosë në vendin e saj.

Kur tek ne ndodh ndonjë kërkesë ligjore ndaj personave që pretendojnë ose kanë nënshtetësinë greke, bëhet nami dhe sigurisht që duhet të jemi të kujdesshëm për ta zgjidhur çdo gjë sipas konventave europiane, por ndërsa kur ndodh ndonjë gjë që bëjnë shqiptarët atëherë pala tjetër nuk pranon asgjë dhe e quan intersimin e palës tonë si gjë të pa nevojshme dhe të pa drejtë. Kështu nuk shkon, kjo nuk është as e drejtë dhe as e përputhshme me normat europiane.

Po bëhet problem i madh pse disa djem me origjinë shqiptare kanë bërë një foto duke simbolizuar shqiponjën. Të gjithë po ulërasin e po kërkojnë që ata mundësisht të kryqëzohen sepse kanë shfaqur një dëshirë të ndjesisë së tyre kombëtare. Kur vijnë këtu tek ne deputetë dhe gazetarë të ndryshëm dhe ndërhyjnë me të drejtë dhe pa të drejtë në mjediset tona, zhurma jonë ose mungon ose është e masave të duhura. Shtrohet pyetje cili qëndrim është më europian dhe i qytetëruar?

Hajt t’i zgjidhim gjërat me gjakftohtësi dhe me ndjenjën e mirësië fqinjësore dhe bashkëkohore./Tema/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU