Moikom Zeqo meriton çmimin “Teuta” në manifestimin letrar “Muzat e Alpeve 2017”

Sot nis në Istog dhe përfundon më 6 korrik në Tuz manifestimi letrar ndërkufitar ‘Muzat e Alpeve 2017’.

Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve ‘Teuta’, e themeluar nga shkrimtarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, në bashkëpunim me Drejtorinë për Arsim dhe Kulturë në Istog, bibliotekën ‘Marin Barleti’ në Shkodër si dhe Muzeun Etnografik të Malësisë – në Lekaj të Tuzit, më 4, 5 dhe 6 korrik mban manifestimin V letrar ndërkufitar ‘Muzat e Alpeve 2017’.

Në kuadër të manifestimit të përvitshëm letrar ndërkufitar “Muzat e Alpeve” Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve ndan edhe çmimin letrar ‘Teuta’. Laureatë paraprak të këtij çmimi deri tash ishin shkrimtarët e mirënjohur shqiptarë dhe malazezë: Jevrem Berkoviq, Dritëro Agolli, Ramiz Kelmendi dhe Mirash Martinoviq. Ndërsa sivjet çmimi letrar “Teuta” shkon për njërin ndër personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, profesor Moikom Zeqo.

Ndër aktivitetet e parapara brenda programit të sivjetshëm janë: Historiku i ‘Teutës’, biografi e shkurtër e laureatëve të Çmimit për Vepër Jetësore “Teuta” si dhe homazh për dy laureatët e ndjerë Dritëro Agolli dhe Ramiz Kelmendi; kumtesa mbi temat: “Krijimtaria studimore e Dr. Ibrahim Rugovës”, “Letërsia shqipe dhe roli i saj historik” dhe “Feminizmi, bota dhe kundërbota e tij” si dhe promovim i librave dygjuhësh: “Svi moji-Të gjithë të mitë”, me autor Zuvdija Hoxhiq (Berisha) – sot në Istog, “Këngët e përgjërimit-Zavjetne pjesme”, me autor Lulzim Tafaj, si dhe “Ardhësit-Këngët e Ali Binakut”, përkthim dhe botim i ri nga Anton Nikë Berisha.

“Moikom Zeqo, autor i rreth 70-të veprave poetike të cilat fillojnë maratonën e madhe të postmodernizmit shqiptar që në vitet 70-të të shekullit që lamë pas, marrin përsipër nëpërmjet plazmimeve të gjuhës shqipe, përgjegjësin e dendësimeve, kundërthënieve dhe vazhdimësisë së një realiteti të ri poetik.

Erudit i rrallë i historisë dhe traditës së qytetërimit shqiptar, akademiku Moikom Zeqo me veprën e tij iu takon pararendësve të brezit të lindur pas Luftës së Dytë Botërore, duke shprehur me një kurorë të re mendimtari dhe njeriu të shqetësuar dykuptimësinë e njeriut të sotëm, pa pasur drojë të na japë përgjigje të pafundme nëse është ky realitet i thellësive historike që ka krijuar njeriun, apo është njeriu i paepur për ëndërrim që krijon realitetin e një bote të përbashkët dhe universale”, thuhet ndër të tjera në komunikatën për ndarjen e çmimit ‘Teuta’, përgatiti Koha. (b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU