Mjaft me detajet e kobshme, po nxisim monstrat!

Nga Andi Malasi
 
Krimi në familje është një fenomen që trondit shpesh herë vendin tonë, me ngjarje nga më të pabesueshmet dhe të papranueshmet për një mendje normale njerëzore. Rastet më të fundit ishin ai në Korçë ku babai pasi mbyti dy fëmijët e mitur i dha fund jetës, dhe në Fier ku burri flaku nga dritarja e katit të 4-t bashkëshorten e cila më kot i përgjërohej të mos e kryente këtë akt të rëndë. Përshkrimi i makabritetit të këtyre ngjarjeve është i tepër, pasi aktet flasin vetë.
Me të drejtë opinioni i gjerë publik dhe mediat po i trajtojnë gjerësisht këto ngjarje që sigurisht meritojnë vëmendjen e duhur pasi përbëjnë këmbana alarmi për shoqërinë dhe format e devijancës që po shfaqin individë të shoqërisë sonë. Por pyetja që ngrihet këtë herë dhe çdo herë kur krimi në familje trondit vendin është, a po i trajtojnë mediat këto ngjarje siç duhet? A po bëjmë ne gazetarët detyrën për të përmbushur misionin e vërtetë të medias?
Përveçse informues, media ka rol shumë të rëndësishëm edukues për shoqërinë. Të paktën teorikisht. Por, sa e ka përmbushur media rolin edukues është mjaft e vështirë të thuhet, por fakt ëhstë që dhuna dhe krimi në familje po njeh vetëm rritje. Si në shifrat e rasteve të proceduara nga policia dhe prokuroria po ashtu edhe në ato raste që as denoncohen në strukturat ligjzbatuese. Për sa kohë fenomeni njeh vetëm rritje, vështirë të thuash se sensibilizimi mediatik ka dhënë reuzltate, e kundërta mund të jetë e vërtetë.
Rasti i Fierit dhe i Korçës, u pasuan nga një pasqyrim mjaft i gjerë mediatik me detaje nga më të rëndat, që për hir të së vërtetës, askujt nuk i duhen. Rrethana se si, u dhunua gruaja e gjorë e çfarë tha para se të flakej nga dritarja. Detaje se si babai mbyti dy djemtë e mitur dhe mesazhi prekës që ai kishte lënë për babain e tij. E pse duhej në fund të fundit të dilnin detaje tronditëse në opinionin e gjerë publik që vijon të ngarkohet me stres e depresion nga të tilla skena që edhe në filma të fusin frikën.
Sigurisht që informimi dhe sensibilizimi është mjaft i rëndësishëm, por të tilla detaje nuk bëjnë veçse të kundërtën e edukimit.
Dhe në fakt, rastësi apo të prirur dhe ndikuar nga ngjarjet barbare të ditëve të fundit, krimet e tilla nuk u ndalën. Dita e nesërme e vrasjeve në Korçë nis me raportimin e të tjerave ngjarjeve tronditëse. Në Korçë sërish djali tenton të vrasë në mënyrë çnjerëzore babain të shtruar në spital. Një grua në Tiranë shtyhet nga dhuna psikologjike e bashkëshortit të vetëhelmohet (ky i fundit i bënte presion nga burgu ku ishte dënuar pikërisht për dhunë ndaj bashkëshortes), por fatmirësisht mjekët ndërhynë në kohë këtë herë. Sërish në Tiranë një 60-vjeçar kërcënon me thikë vajzën e mitur, e dhunon dhe e ngacmon seksualsiht. Në Durrës një person dhunon rëndë nënën e moshuar…E shumë ngjarje të tjera të rreshtuara në komunikatën e policisë.
Nuk është e rastësishme që sa herë ndodhin krime të rënda në familje, pasohen nga seri krimesh të ngjashme. Edhe statistikisht, mund të themi se krimi në familje përsëritet me ngjarje të rënda sa herë opinioni është i ngarkuar emocionalisht nga ngjarje pararendëse. Më pak fjalë, dhuna prodhon dhunë!
Nëse në rrjetet sociale njerëzit mund të shfrehin dufin, inatet, fyerjet, dhe të propagandojnë dhunën, pa mundur dot t’i frenosh, të paktën mediat duhet të ruajnë filtrat dhe të mos bjerë në këto nivele.
Shpesh herë shohim që edhe policia e tepron me detajet që servir në komunikata për ngjarje të tilla. Fjala vjen, në rastin e një babai që kërcënonte vajzën e mitur dhe e ngacmonte seksualisht (në komunikatë tregoheshin detaje të papërshtatshme si ndodhi ngacmimi).
Mjafton të shohim se si detajet rrënqethëse të ngjarjeve të pasqyruara gjerësisht ndikojnë në ndërgjegjen e njerëzve të prirur për dhunë për të lënë mënjanë betejën e audiencës. Nuk ka çfarë i duhet askujt se si u torturua bashkëshortja, apo si u mbytën fëmijët. Nuk ka arsye se pse duhet të pasqyrohen lajmet e vetëvrasjeve dhe historitë e dhimbshme të personave para aktit fatal. Nuk bëjnë gjë veçse nxisin të tjera tragjedi.
Është e vërtetë se mediat prodhojnë dhe shesin ato që publiku kërkon, (është e vërtetuar se ngjarjet e rënda të kronikës së zezë tërheqin shumë) por kjo nuk do të thotë se nuk ka mënyra për të fituar audiencën. Ka shumë për të prodhuar materiale që sensibilizojnë dhe edkukojnë, në vend që të jemi peng i lajmeve me detaje të kobshme që nxisin dhunuesit!
 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU