Ministrja Denaj: Strategjia e MFP garanton transparencë të financave publike

Ministria e Financave dhe Ekonomisë zhvilloi sot aktivitetin lançues të konsultimit publik të Rishikimit Afatmesëm të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike. Të pranishëm në këtë event ishin Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, Ambasadori i BE në Shqipëri, z. Luigi Soreca dhe gjithë aktorët e përfshirë në zbatimin e kësaj reforme.

Qëllimi i këtij eventi ishte prezantimi i gjetjeve të procesit të Rishikimit Afatmesëm të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, prezantimi i vizionit për vitet e ardhshme të reformës dhe thirrja publike për kontributin e të gjithë partnerëve të zhvillimit, duke përfshirë dhe organizatat e shoqërisë civile, për përgatitjen dhe finalizimin e Strategjisë së Rishikuar të Menaxhimit të Financave Publike 2019-2022.

Një prej mesazheve kryesore që u transmetua në këtë event ishte forcimi i pronësisë së aktorëve të përfshirë në zbatimin e kësaj reforme, në mënyrë që të garantohet zbatimi i përgjegjshëm i menaxhimit të financave publike.

Në fjalën e saj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj u shpreh se qëllimi i Strategjisë së rishikuar 2019-2022 është konsolidimi i mësimeve të nxjerra, rezultatet dhe marrëveshjet e arritura pas shqyrtimin afatmesëm, si dhe të sigurojë një kornizë dhe udhërrëfyes që do të udhëheqë përmirësimet në rezultatet e Menaxhimit te Financave Publike për periudhën deri në dhjetor 2022.

“Vizioni i strategjisë së reformës së MFP është të sigurojë një sistem financiar publik që promovon transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik”, u shpreh Ministrja.

Më tej, znj. Denaj theksoi se objektivi i përgjithshëm i strategjisë së reformës së MFP është arritja e një buxheti më të balancuar dhe të qëndrueshëm me një raport të reduktuar të borxhit nëpërmjet menaxhimit më të fuqishëm financiar dhe kontrollit dhe proceseve të auditimit, ku zbatimi i buxhetit lidhet siç duhet me politikat e qeverisë.

Nga ana e tij, ambasadori i BE-së në Tiranë, z. Luigi Soreca, theksoi rëndësinë e një administrate që funksionon mirë dhe jep shërbime cilësore për qytetarët, si një kusht thelbësor për çdo vend kandidat që aspiron të futet të Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, Ambasadori Soreca theksoi se reforma në menaxhimin e finacave publike nuk është vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, pasi kjo e fundit ka një rol udhëheqës, por çdo institucion si ministri linje, njësi vendore, institucion i pavarur, dhe e gjithë shoqëria, ka një rol për të kryer në menaxhimin e financave publike./a.meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU