Steinmeier: PD t’i bashkohet draftit të Reformës, është në interes të shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama foli sot në përfundim të takimit me ministrin e Jashtëm gjerman sa i përket zhvillimeve në Komisionin e Posaçëm për Reformën.

“Bashkimi Evropian pret krahëhapur nga Shqipëria reformën në Drejtësi. Jam i gëzuar që edhe ministri gjerman, sot në mënyrë të paekuivokë, nënvizoi rëndësinë e kësaj reforme dhe nevojën që opozita të bëjë të sajën për miratimin e një drafti që nuk është miratuar në selinë e Partisë Socialistë” – tha Rama duke theksuar se Gjermania e ka ndjekur procesin e reformës me kujdes të veçantë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman, Frank Steinmeier, tha se vizita e tij është nxitur nga faza vendimtare në të cilën ndodhet Shqipëria sa i përket anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë fjalës së tij, kryediplomati theksoi se Gjermania ka një respekt për rrugën e reformave që vendi ynë ka ndërmarrë dhe se pikë kyçe për demokratizimin e mëtejshëm do të ishte lufta kundër korrupsionit e shoqëruar me reformën në Drejtësi.

“Tani ndodhemi në një fazë vendimtare. Në vjeshtën e këtij viti, Komisioni Evropian do të shqyrtojë nëse Shqipëria i ka përmbushur detyrimet dhe këtu rol do të ketë edhe reforma në drejtësi. Jemi para një dritareje të hapur dhe shpresoj që forcat politike shqiptare të gjejnë gjuhën për të arritur pritshmëritë tona. Mendoj se jemi në një pikë ku Shqipëria nuk kishte qenë kurrë më parë, para një produkti që nuk vjen si produkt vetëm i shqiptarëve, por me konsulencën e ndërkombëtarëve. Për përmbushjen e kësaj reforme është e nevojshme pjesëmarrja e opozitës dhe kjo është në funksion dhe interes të shqiptarëve” – tha Steinmeier.

(java /r.a)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU