Ministri i ekonomisë mban peng qeverinë e re në Itali

Portofoli i ministrit të Ekonomisë po mban peng formimin e qeverisë së re në Itali, duke e lënë vendin në krizë politike që zgjat prej zgjedhjeve të 4 marsit.

Kur dukej se situata po shkonte drejt zgjidhjes, me formimin e kabinetit qeveritar të drejtuar nga Giuseppe Conte, Presidenti Sergio Mattarella bllokoi emërimin e Paolo Savonës në krye të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

Ekonomisti i njohur italian, ish-ministër i Industrisë, është ndër kritikët më të mëdhenj të Bashkimit Europian dhe monedhës së përbashkët Euro. Savona kritikonte ish-Kryeministrin Gentiloni dhe i jepte zë nevojës që ka Italia për një plan B, për shkëputjen nga BE.

Gjatë konsultimeve me kryeministrin e mandatuar Conte, Presidenti Mattarella e bëri të qartë se është kundër Paolo Savonës. Por koalicioni populist Lëvizja 5 Yjet-Lega Nord, këmbëngul se nuk do të ketë një emër tjetër në vend të tij.

Të ndodhura në këtë pikë, palët mund të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Paolo Savona është bërë gjithashtu shënjestër e sulmeve në mediat gjermane. Italia kërkon të zgjedhë një armik të Gjermanisë në krye të financave, shkruan Frankfurter Algemanie Cajtung. Ndërsa më i rëndë ishte komenti i prestigjozes BILD, që e krahason Paolo Savonën me ish-ministrin grek që premtonte të nxirrte vendin nga euro, Janis Varufakis.

Nuk vonoi përgjigjia e Matteo Salvinit. Italianët vijnë të parët, shkruan kreu i Legës, duke cituar Donald Trumpin. Nuk do të zgjedhim një ministër që u shkon për shtat gjermanëve që na ofendojnë, tha Salvini.

Me skeptizëm shihet gjithashtu edhe pozicioni i Kryeministrit të mandatuar, Giuseppe Conte, i cili nuk ka kënaqur pritshmëritë e aleancës Di Maio Salvini në negociatat me Presidentin Matarella.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU