Milo: Qeveria po përdor mjete represive, Kabineti, i lodhur, duhen rifreskime

    “Reformat që janë shpallur po bëhen me metoda të atilla të ushtrimit, në mos të dhunës së drejtpërdrejtë, të presionit dhe terrorit psikologjik. Të bësh shtet në demokraci është ndryshe nga shteti në diktaturë”- kështu është shprehur aleati i Partisë Socialiste, kreu i PDS, Paskal Milo, i cili në një intervistë për gazetën Panorama, i ka kërkuar dhe bërë thirrje Kryeministrit që të mos “ngjyrosë” realitetin, që për të, nuk është siç e deklaron qeveria.

    Paskal Milo ka shtuar po ashtu se kabineti qeverisës është i konsumuar dhe i lodhur, e se kësisoj, duhen bërë ndryshime.

    Më tutje pjesë nga Intervista:

    Kemi mbyllur një periudhë 2-vjeçare të qeverisjes së majtë, ku ju ishit pjesë e këtij koalicioni. Por duket se në fund të këtij dyvjeçari kemi shumë akuza për klientelizëm, ndërsa të ardhurat kanë ardhur duke rënë. Si i vlerësoni këta 2 vjet qeverisjeje?
    Zhvillimet në Shqipëri, për fat të keq, përtej përpjekjeve për t’i fshehur situatat reale në të cilat ndodhet vendi, janë me të vërtetë shumë shqetësuese. Kjo gjendje nuk është thjesht dhe vetëm se Shqipëria ka trashëguar deficite të mëdha zhvillimore nga qeverisja e mëparshme e vendit, ku duhet pranuar se u bë një gropë e thellë e zezë për financat shqiptare. Dy vjet janë më se të mjaftueshëm jo vetëm për një vend të vogël si Shqipëria, por edhe për vende më të mëdha se ajo për të dëshmuar një tendencë të qëndrueshme zhvillimi dhe për të bërë përmirësime të ndjeshme e të prekshme në jetën e qytetarëve. Kam përshtypjen që ka një konflikt të brendshëm në filozofinë e qeverisjes midis një programi ambicioz që po rezulton i çalë, i pazbatueshëm dhe metodave të qeverisjes. Në vend që të hartohej një program qeverisës me këmbë në tokë, që t’u jepte shqiptarëve arsye dhe argumente që ato që shkruheshin në letër patjetër që do zbatoheshin, u miratua një program që ishte më tepër, siç thashë, me ngjyra elektorale, një program ku ëndrra ishte ngjyra me të cilën ai ishte ngjyrosur dhe ku aftësia për zbatim ishte dhe mbeti në nivel të ulët.

    Shumë ekspertë thonë se në kushtet kur ekonomia nuk është në ditët e saj më të mira, krahasuar me dy vite më parë, një aksion i nisur nga qeveria kërkon ta formalizojë atë e saj, por rrugët nuk janë ato të duhurat për ta bërë këtë me sa më pak kosto. Mosndryshimi i ministrave, në ato pika ku vërehen dobësi, i drejtorëve, bërja e një lloj shkundjeje në qeverisje, mendoni se situata mund të përkeqësohet? Jemi në momentin kur disa ndryshime janë jetike dhe për qeverinë?

    Të jem i qartë, kjo qeveri ka marrë përsipër disa reforma që në thelb dhe në gjykim të parë janë të domosdoshme për t’u bërë, të domosdoshme për të krijuar shtet ligjor dhe unë me gjithë zemër i kam mbështetur ato. Por çfarë po ndodh në realitet: nëse objektivi është i drejtë, metodat për t’i realizuar këto objektiva nuk janë në përputhje me nivelin në të cilin ndodhet shoqëria shqiptare nga pikëpamja ekonomike, sociale, kulturore dhe mund të them që nëse një qëllim i mirë zbatohet me mjete jo të përshtatshme, kthehet në bumerang.

    E keni fjalën tek ashpërsia e masave ndaj biznesit për ta formalizuar atë?
    E kam fjalën që reformat që janë shpallur po bëhen me metoda të atilla të ushtrimit, në mos të dhunës së drejtpërdrejtë, të presionit dhe terrorit psikologjik. Të bësh shtet në demokraci është ndryshe nga shteti në diktaturë. Shteti në diktaturë bëhet përmes dhunës, forcës dhe kërcënimeve, kurse shteti në demokraci bëhet ose perfeksionohet përmes bindjes dhe ndërgjegjësimit qytetar për të respektuar ligjet, zbatuar ato ose dhe për t’i përmirësuar. Për fat të keq, në Shqipëri raporti mes ndërgjegjësimit të qytetarit dhe ushtrimit të dhunës e presionit psikologjik ndaj tij për të bërë shtet ligjor, është në favor të së dytës.

    Ju po thoni se kemi elementë represioni diktatorial në turravrapin për të bërë shtet ligjor?!
    Ndihet në opinion dhe është krijuar një frymë që kjo qeveri kërkon ta ndërtojë shtetin me ushtrimin e një politike të fortë për ta bërë atë për dy vite apo katër vite, në një kohë që shteti në Shqipëri minimalisht nuk është bërë për këto 25 vite. Nuk mundet që deficitet e krijuara në Shqipëri të shtetbërjes, të krijuara në çerek shekulli, t’i kompensosh në dy vite. Sepse do të kalohet siç po ndodh në masa të tilla shtrënguese që janë me rrjedhoja negative për vetë thelbin e demokracisë që duhet të ndërtohet në Shqipëri. Një fakt është domethënës dhe që duhet ta bëjë qeverinë ta shikojë realitetin në sy e të mos përsërisë ato skema absurde të vjetruara me të cilat vetë qeveritarët e sotëm janë tallur në të shkuarën përkundrejt një tabloje të zymtë ekonomike. Këtë realitet e konfirmoi edhe Banka Botërore për klimën e biznesit në Shqipëri. Nuk duhet që, duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë situatë, ta paraqitësh Shqipërinë si një vend që po lulëzon, që po ecën me ritme të kënaqshme zhvillimi dhe që është një model që duhet të kihet parasysh edhe nga të tjerët. Nuk mund të vazhdojë më kështu. Nëse Kryeministri Rama dëshiron që të ketë një qeverisje të suksesshme dhe të lërë kontribute reale në zhvillimin e Shqipërisë, duhet patjetër që të ndalë vetë i pari euforinë, retorikën, ngjyrimet e pabaza të realiteteve të dhimbshme shqiptare dhe t’i rikthehet në mënyrë kritike analizës së qeverisjes së dy viteve, përndryshe do të kemi një histori të mbretit lakuriq që do të përfundojë në një tragji-komedi të radhës, siç ka ndodhur jo një herë në Shqipëri.

    Ka nevojë në këtë situatë për ndryshime në qeveri?
    Para së gjithash, mendoj se skuadra që Kryeministri Rama ndërtoi për të qeverisur Shqipërinë është e lodhur, e konsumuar dhe e papërgatitur për të shkuar në finish. Një trajner i mirë i shikon defektet e lojtarëve të vet në lojë e sipër dhe bën zëvendësimet e duhura në momentin e duhur, duke bërë edhe zhvendosje e lëvizje taktike. Ka ardhur momenti që kjo skuadër më tepër se kurrë duhet rifreskuar, jo vetëm në elementë përbërës të saj, por më tepër në konceptin e lojës nëse do që të zërë një vend nderi në kategorinë superiore të politikës shqiptare./ Panorama

    S'KA KOMENTE

    PËRGJIGJU